Shqiperia

Pse Jambelli e donte të vrarë komisar Cukun. Emri i tij, në çdo faqe muri të qelisë kur ishte i burgosur

Pas disa kohësh në kërkim, policia shqiptare tani pret ekstradimin e Bledar Jambellit, arrestuar në Greqi, si personi i dyshuar për porositjen e vrasjes së komisar Artan Cukut.

“Panorama” mëson se vrasja e Artan Cukut ishte kryer për shkak të detyrës, lidheshin edhe me një kërcënim për jetën që ai kishte marrë në kohën kur drejtonte Policinë e Vlorës.

Kërcënim që i erdhi për shkak të rihapjes së një dosjeje të vjetër, që solli arrestime të tjera. Personi që u arrestua në vitin 2012 pas vrasjes së Amarildo Delajt, ishte Bledar Jambelli.

E pas arrestimit për këtë vrasje, gjatë një operacioni që u drejtua nga vetë Artan Cuku, u gjetën prova të reja që e përfshinin Jambellin edhe në dy vrasje të ndodhura në vitin 2006.

Ky ishte momenti kur Artan Cuku u kërcënua me jetë nga Jambelli, i cili i tha në zyrë se nuk do e harronte kurrë këtë ditë. Kërcënimet vazhduan edhe pasi Bledar Jambelli u izolua në një qeli në Burgun e Rrogozhinës. Madje, në lidhje me këtë rast ai u mor në pyetje në ambientet e burgut nga oficerët e Krimeve të Rënda.

Por ajo që u konstatua në qelinë e Jambellit, e bënte edhe më serioz kërcënimin ndaj Cukut. Emri i Artan Cukut ishte shkruar me dhjetëra herë në muret e qelisë. Por shkrimet në mure nuk u fotografuan, në mënyrë që të përdoreshin si provë.

ARRESTIMI I JAMBELLIT

Në janar të vitit 2013, Gjykata e Vlorës njohu me masën “arrest me burg” Bledar Jambellin, i njohur edhe si Rikard Muho, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt, (nipi i Mukës).

Kjo ngjarje kishte ndodhur më 30 nëntor 2006. Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve. Si rezultat i këmbënguljes së Artan Cukut, në atë kohë drejtori i Policisë së Vlorës për të rihapur hetimet, u bë i mundur sigurimi i provave shkencore dhe u kërkua rifillimi i hetimeve për këtë ngjarje, me autor të dyshuar Bledar Jambellin.

Pasi Prokuroria vendosi rifillimin e hetimeve, kërkoi caktimin e masës “arrest në burg” ndaj të dyshuarit, që u pranua nga Gjykata. Në këtë kohë Jambelli ndodhej në burg prej një muaji, pasi ndaj tij Gjykata e Vlorës kishte caktuar “arrest në burg”, si autor të dyshuar për vrasjen e Amarildo Delajt, ngjarje e ndodhur më 4 shtator 2012, në lagjen “Osman Haxhiu”.

Grupi hetimor kishte dyshime të forta se dy ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe kanë ndodhur për larje hesapesh, si pasojë e konflikteve në Spanjë. Të dyja viktimat mësohet se kanë qenë personazhe të njohura për policinë vlonjate, ndërkohë që ende nuk është gjetur ndonjë lidhje e Bledar Jambellit me ta, veç faktit të gjurmëve të tij në makinën, prej së cilës u vra Shpëtim Muka.

VRASJET

Pas arrestimit të Bledar Jambellit në vitin 2012, një vit më vonë u rihap një hetim i gjerë për një zinxhir, që dyshohej ta kishin zanafillën në Barcelonë të Spanjës, më pas në Vlorë e Tiranë. Vrasjet nisnin më 28 maj 1997, në ngjarjen që njihet si “Masakra e Levanit”, kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët e ekzekutimit të 21 personave. Vrasja dyshohej se ishte hakmarrje e Mukës ndaj vrasjes së tre vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka. Vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Çaushit.

Në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledar Zanaj, i cili u qëllua nga banda e ‘Gërdhuqëve’, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës.

Më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash.

Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e Marinës.

Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe deklaroi se vrasjen e kreu për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë. Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrjeje ndaj së ëmës.
Policia, brenda pak orësh gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim.
Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djali i cili i shpëtoi atentatit të 2006-ës. Policia tha se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama.

Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga kishte rënë vetëm Armando Zanaj. Ndërsa Bledar Jambelli, që u arrestua pas rihapjes së dosjeve, dyshohet se ishte paguar, pasi nuk kishte lidhje farefisnore.

OPINIONE