Pse nuk dorëhiqet kryebashkiaku i Elbasanit me pasuri marramendëse?

Qazim Sejdini është njeriu që me pamje “babaxhani” aq sa ka marrë dhe nofkën “lala” e ka qeverisur me të gjitha mënyrat qarkun e Elbasanit. Duke qënë nyje e kryqëzimit të të gjitha trafiqeve të paligjshme që vijnë nga vendet e lindjes, Turqia dhe më gjërë përmes Qafë Thanës, Elbasani shërben si “distributor” për këtë veprimtari, dhe që përmes portit të Durrësit derdhet në të gjitha vendet e BE. Qazim Sejdini është koka e tërë këtyre punëve të pista, ndërkohë që dhëndërri i tij është thjeshtë mekanizmi i shkrepjes dhe që e ka bërë policinë e Elbasanit si shtëpinë e tij, teksa kapet nga policia dhe amnistohet nga gjykata. Kështu ka ndodhur dhe para pak kohësh kur Saimir Tahiri në kohën që ishte Ministër i Brendshëm e arrestoi Sokol Sanxhaktarin, dhëndërrin e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini për veprimtari të paligjshme dhe kishte bërë gati dosjen për ta lënë gjatë brenda qelive të burgut. Të paktën deri sa të tregonte se kush ishte koka e veprimtarive të paligjshme në Elbasan, kërthiza e Shqipërisë. Por ka qënë ndërhyrja e menjëhershme e gjykatës së Elbasanit, nën kujdesin e “Lalës”, e cila e nxori menjëherë. Madje u kujdes që dhe të mos shpërndahej si lajm në media, por që këtu zuri fill dhe përplasja e Tahirit me kokat e krimit. Por që s’ka pasur mbështetjen e drejtësisë. Ndërkohë që tani policia është ende në dilema për ndalimin e Sanxhaktarit, ku herë pas here gjendet dhe me “leje viti” pa mundur të ndërmarrë ndonjë aksion kundër tij. Sokol Sanxhaktari, dhëndri i Qazim Sejdinit, kryetarit të bashkisë së Elbasanit, njihet si person me precedentë penalë në këtë qytet. Megjithëse policia e ka arrestuar atë disa herë, për vepra të ndryshme penale, Sanxhaktari, sërish ka fituar lirine, duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake. Në prokurorinë e Rrethit të Elbasanit, mësohet se Sokol Sanxhaktari është proceduar pesë herë. Por të njëjta burime, bëjnë të ditur se të pesta herët procedimi penal s’arrin deri në fund. Në “inventarin” e veprave penale të Sokol Sanxhaktarit, vetëm në 7 vjet , rëndojnë disa akuza. Në vitin 9 qershor 2008, Sokol Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e Elbasanit për veprat penale të “Shkatërimit të pronës” dhe “Prishtjes së rendit dhe sigurisë publike”. Më tej në 1 korrik 2008 Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e rrethit me 3.4 milion lekë gjobë, për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Së bashku me të u dënua dhe shoku i tij, Altin Mehja. Gjithashtu në 29 qershor 2010 Sanxhaktari është dënuar me 3 muaj e 10 ditë burg për armëbajtje pa lejë dhe plagosje të lehtë në dëm të shtetasit Ervis Daka. Sanxhaktari në datën 31 tetor 2010 është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” dhe “Kundërshtim të forcave të rendit”. Dhe pothuajse çdo vit dhëndërri i Qazim Sejdinit ka qënë “mysafir” më polici dhe është marrë masa e arrestit, është dënuar. Ndërkohë në datën 4 prill 2016 Sanxhaktari është dënuar me 1 vit burgim, pasi është arrestuar me pistoletë pa lejë dhe kundërshtim të forcave të rendit. Në mëngjesin e datës 2 shtator 2008, dy persona u plagosën. Burimet zyrtare të policisë saktësuan atëherë se ngjarja ndodhi në lagjen “Qemal Stafa”, në afërsi të televizionit “Dardan” dhe objektivi i atentatit ishte Endri Biçoku, 25 vjeç. Viktima ishte duke dalë nga lokali në pronësi të shtetasit Ardjan Veci, i cili mësohet se edhe ky ngeli i plagosur. Ndërsa dy të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit, policia identifikoi si autorë të kësaj plagosje të dyfishtë Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit. Më se një vit më pas, Sokol Sanxhaktari është sërish protagonist i një tjetër plagosje. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 dhjetor 2009, pranë ish-kinema “Metalurgu”, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, mbeti i plagosur me armë zjarri, 27 vjeçari Julian Piu. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila identifikoi dhe shpalli në kërkim tre të rinjtë Sokol Sanxhaktari, Gjergji Verushi dhe Mirjam Dedja, si autorë të plagosjes së Julian Piut. Po kështu, në fillim të vitit 2010, Sokol Sanxhaktari, shënon sërish emrin e tij në listat e policisë, për plagosjen e një tjetër personi, në Elbasan. Këtë herë, viktimë e plagosjes ishte i riu Elvis Bako.

Prokuroria: Përgjoni dhëndrin e Qazimit! Policia: I kemi policët me leje

Një dokument i bujshëm zbulon një skandal të ri në radhët e uniformave blu, që kanë refuzuar të përgjojnë një grup kriminal të Elbasanit, të dyshuar nga prokuroria për një tentativë vrasje me armë luftarake, me argumentin se polcet ishin me leje. Një skandal që rrezikon të ketë dhe prapaskena politike, pasi një nga tre personat që duhej të përgjoheshin dhe që policia me sjelljen e saj, në të vërtetë e ka mbrojtur, është Sokol Astrit Sanxhaktari, 31 vjeç, dhëndrri i kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini. Sipas dokumentave, me datë 10 gusht 2017, prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar policisë se Shtetit përgjimin fotografik, filmik dhe me audio të Sokol Astrit Sanxhaktarit, Kelmend Ymer Xhaferri dhe Enea Njazi Bekteshi. Sipas prokurorisë përgjimet duhet të bëheshin ‘’nga data 11 gusht 2017 deri me datë 26 gusht 2017, nga specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit’’. Prokuroria autorizoi përgjime ‘’në vende publike të personave të lartpërmendur edhe me persona të tjerë’’. Por vetëm 13 ditë më pas urdhërit të prokurorisë policia përgjigjet se “nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”. Hetimet që përfshijnë dhëndrrin e Sejdinit, duken se janë të lidhura me sulmin e kryer me 6 gusht 2017 me antitank kundër hotelit të Ardian Çapisë, një nga familjet e përfshira në një luftë të vjetër e të gjatë bandash mes familjeve të Elbasanit. Një nga tre të dyshuarit, Klement Xhaferri, është arrestuar pak ditë më parë, në drejtimin e një Range Rover, gjatë operacionit të drejtuar nga policia rreth Tregut Ushqimor të Elbasanit. Në atë ngjarje një makinë e blinduar përplasi patrullën e policisë për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes. Në timonin e makinës së blinduar dyshohet se ishte Suel Petrit Çela, i shpallur tashmë në kërkim dhe ende në arrati. Një video që qarkulloi në orët e fundit, e rregjistruar nga kamerat e sigurisë së Tregut Ushqimor, dëshmon dinamikën e incidentit dhe konfirmon se makina e blinduar në pronësi të Petrit Çelës, pronar i Tregut Agroushqimor, ka goditur me qëllim patrullën për t’u larguar me forcë nga kontrolli i policëve.

Pasuria marramendëse e Qazim Sejdinit. Asetet që kryebashkiaku i Elbasanit zotëron në jug

Ai do të mbahet mend gjatë si shembulli tipik i zyrtari të lartë që e shfrytëzon pushtetin për të shantazhuar mediat. Qazim Sejdini, në rolin e një “padrinoje babaxhan” u filmua në prag të zgjedhjeve të vitit 2015 duke kërcënuar disa gazetarë lokalë.  “Ju nuk mund të dilni kundër pronarit tuaj, pronari është i lidhur me pushtetin pazgjidhmërisht dhe nuk ka ku ta luajë topin”, u thotë Sejdini gazetarëve, duke u kujtuar se një koleg i tyre u pushua nga puna pasi kishte tentuar të shkruante kundër tij. Pavarësisht këtij skandali, Qazim Sejdini u rikandidua në postin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit dhe u rizgjodh për herë të tretë. Ai është një prej të besuarve të kryeministrit Edi Rama. Por përveç se si shëmbëlltyrë e zyrtarit që në zyrën e shtetit sillet si “padrino” Sejdini do të mbahet mend edhe për pasurinë marramendëse që zotëron. Ai rezulton të jetë një prej kryebashkiakëve më të kamur në vend. Pasuria e tij sa vjen e shumëfishohet: llogari bankare e pasuri të patundshme në disa qytete të vendit. Boldneës sjell një listë të plotë të aseteve të tij. Këto asete ndodhen në jug të vendit dhe kryesisht në Fier. Ai zotëron në këtë qytet një vilë me sipërfaqe 478 m2 dhe me vlerë 350 milion lekë (të vjetra), një banesë prej 120 m2 me vlerë 100 milion lekë (të vjetra), një magazinë prej 840 m2 me vlerë 250 milion lekë (të vjetra) si dhe dy zyra të mëdha me një vlerë totali prej 86 milion lekësh (të vjetra). Në Vlorë ka një banesë 130 m2 me vlerë 63 milion lekë (të vjetra), dhe një tjetër me sipërfaqe 102 m2. Sejdini ka 3 makina në pronësi që shkojnë rreth 50 milion lekë (të vjetra). Por përveç pronave, kryebashkiaku i Elbasanit ka edhe shumë borxhe pasi ka marrë nga bankat e nivelit të dytë rreth 270 milion lekë kredi. Bashkëshortja e Sejdinit nëpërmjet “Ujori Sh.p.k”, një agjensi doganore në emër të saj, ka përfituar qindra miliona lekë që prej vitit 2004. Gjithashtu edhe fëmijët e kryebashkiakut Sejdini kanë arritur të punësohen në institucione shtetërore me paga relativisht të larta dhe të merren gjithashtu me aktivitete private. Viti elektoral 2013, për familjen Sejdinin do të ishte i artë kjo dhe për shkak të një ngërçi institucional të Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Parurive. Në këtë vit, bashkëshortja e Sejdinit deklaron se ka fituar plot 200 milion lekë nga kompania “Ujori Sh.p.k” , ndërkohë që një vit më parë, në 2012, nuk i kalonte 4.7 milion lekë të ardhura (të vjetra). Po në 2013, të ardhurat për fëmijët e kryebashkiakut u rritën në 31 milion lekë ndërsa u shtohen edhe një apartament në Vlorë me sipërfaqe 102 m2. Gjithashtu familjes Sejdini shtoi listën e aseteve edhe me një ndërtesë me sip. 831 m2 por nuk specifikohet vlera si dhe vendndodhja. Në 2014, në familjen Sejdini hyn në lojë edhe dhëndri i cili merr një kredi prej 147 milion lekësh (të vjetra).

Deklarimi i pasurive që ka Zhuljana Sejdini, pronare e firmës “Ujori”

  1. Të ardhura nga administrimi i firmës “Ujori” 11 616 110 lekë
  2. Pronare me 100% e shoqërisë UJORI shpk me kapital 100 000 lekë.
  3. Të ardhura nga qiraja e pronës së bashkëshortes, e trashëguar nga babai, 840 000 lekë.
  4. Bashkëshortja, paga në kompaninë UJORI shpk, 305 759 lekë.
  5. Bashkëshortja, të ardhura nga pensioni 269 932 lekë.
  6. Bashkëshortja, të ardhura nga bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 36 765 lekë.
  7. Bashkëshortja e djalit të ardhura nga paga për nëntor-dhjetor 2014, 31 724 lekë.
  8. Bashkëshortja e djalit, të ardhura nga raportet e barrëlindjes, 387 739 lekë.
  9. Bashkëshortja, bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 1 000 000 lekë.
  10. Bashkëshortja, detyrim  i papaguar  komunës  Shushicë  në  vlerën 7 100 lekë/vit, për truall e tokë bujqësore me destinacion ullishte, sipas  kushtit për pagim një herë në vit./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne