Publikohen nga CIA rreth 470.000 dosje të konfiskuara nga Bin Laden

CIA publikoi ​​të mërkurën gati 470.000 dosje shtesë, që janë konfiskuar gjatë një bastisjeje në kompleksin e Osama bin Ladenit në Abotabad të Pakistanit, në vitin 2011.

“Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, autorizoi publikimin në interes të transparencës dhe për rritjen e vetëdijes së publikut për Al-Kaedën dhe ish-udhëheqësin e saj”, deklaroi CIA në uebfaqen zyrtare të saj.

Sipas Aktit të Autorizimit të Inteligjencës, e cila kërkon që Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (ODNI) të drejtojë një rishikim të dokumenteve për publikim, ODNI ka publikuar më parë dokumente nga koleksioni i viteve 2015, 2016 dhe 2017, pas një rishikimi ndërinstitucional të udhëhequr nga CIA.

“Publikimi i sotëm i letrave, videove, fotografive, regjistrimeve audio dhe materialeve të tjera të klasifikuara të Al-Kaedës, ofron mundësi për popullin amerikan që të fitojë njohuri të mëtejshme rreth planeve dhe punëve të kësaj organizate terroriste”, tha Pompeo.

“CIA do të vazhdojë të kërkojë mundësi për të shkëmbyer informacion me popullin amerikan në përputhje me sigurinë tonë kombëtare”, shtoi ai.

Materiali përmban skedarë softuerë të sistemit operativ, audio, video, si dhe fotografi personale të familjes Bin Laden, pornografi dhe disa filma të famshëm hollivudianë si “Batman: Gotham Knight”, “Cars”, “Antz” dhe “Resident Evil”.

Dosjet e publikuara kanë gjithashtu regjistrime video nga dasma e Hamza bin Ladenit, djali më i madh të Osamas, i cili u konsiderua në janar nga Departamenti i Shtetit si një Terrorist Global i Emëruar Posaçërisht.

Osama bin Laden, organizator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Tregtare Botërore të Nju-Jorkut, ku humbën jetën mbi 3.000 persona, u vra nga forcat speciale amerikane gjatë një bastisje në kompleksin e tij në Pakistan, më 2 maj 2011.

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne