Puigdemont për akuzat: Jam gati për burg, nëse Belgjika vendos për ekstradim

Puigdemont kritikon heshtjen e Bashkimit Europian për çështjen e Katalonjës. Blloku europian po na kthen kurrizin dhe po tregon dobësi ndaj Spanjës, deklaroi ish presidenti i Katalonjës. Ndërkohë, Puigdemont tregoi gatishmëri për të pranuar burgun në Madrid, nëse Belgjika do të lejojë ekstradimin e tij . Ish lideri nënvizoi se do të apelojë në gjykatat ndërkombëtare kundër Spanjës.

Ish presidenti katalanas kritikoi ashpër heshtjen e Bashkimit Europian për shkeljet e të drejtave që po i bëhen Katalonjës. Në një intervistë për radion katalanase, Puigdemont akuzoi Bashkimin Europian se po tregohet i dobët para Spanjës dhe sipas tij blloku është gati të shkelë rregullat demokratike, me qëllimin e vetëm që të shmanget pavarësia e Katalonjës. Ish presidenti tha se BE duhet të reagojë menjëherë ndaj shkeljes së të drejtave që po u bëhen zyrtarëve të Katalonjës. “Evropa nuk mund të mbajë një qeveri të tërë në burg apo në arrati”, tha Puigdemont. Presidenti i shkarkuar katalanas, deklaroi se do të apelojë në gjykatat ndërkombëtare kundër vendimeve të Madridit. Puigdemont nënvizoi në intervistën e tij se është i gatshëm të pranojë arrestin me burg në Spanjë, nëse Belgjika do të pranojë ekstradimin e tij. Sipas Puigdemont, ardhja në Belgjikë është një lëvizje strategjike nga ana e tij për të ndërkombëtarizuar çështjen e Katalonjës. Kjo është mundësia më e mirë për të mbrojtur të drejtat tona, jo individuale por për të gjithë qeverinë katalanase, në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi ai. Ndërkohë në lidhje me procesin zgjedhor të 21 Dhjetorit, Puigdemont u bëri thirrje të gjitha forcave politike katalanase që të formojnë “një listë të gjerë” për lirinë. Puigdemont shpjegoi se është i domosdoshëm një front i bashkuar i demokratëve, përballë agresionit brutal të shtetit spanjoll. Sipas ish presidentit të Katalunjës, qeveria spanjolle ka ngritur një grusht shteti kundër demokracisë, duke vënë në zbatim nenin 155 të Kushtetutës./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne