Opinion

Puna e pakryer e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…

Shqiptarët kanë shumë detyrime për të shlyer ndaj themeluesve të Lidhjes. Historiografia shqiptare ende nuk ka krijuar një pamje të plotë e të qartë për natyrën e vlerat e mëdha të Lidhjes. Shqiptarët ende ushqehen me mësime të gabuara që i çojnë në përjetime të gabuara.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Tema e zgjedhur për këtë numër të revistës “Shenja” më rikthen tek mendimet që i kam paraqitur në shkrimin tim “Lidhja e Prizrenit, themelvënia e vetëvendosjes shqiptare” (“Shenja”, korrik 2012), që ishte në fakt teksti i një përshëndetjeje të mbajtur në tubimin e organizuar në Prizren nga Lëvizja Vetëvendosje, në qershor 2012. Edhe tani u qëndroj besnik pikëpamjeve të shprehura në atë përshëndetje, se: “Lidhja e Prizrenit ka hyrë në historinë tonë si ngjarja e parë madhore e organizimit politik dhe paraqitjes diplomatike të nacionalizmit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Vlerat historike dhe aktuale të kësaj ngjarjeje janë të shumta. Ajo vazhdon të ushqejë kujtesën kombëtare me histori të lavdishme, të ndriçojë mendimin e sotëm politik shqiptar, të nxisë vetëdijen kombëtare të shqiptarëve dhe të motivojë përpjekjet e tyre për zgjidhjen e plotë të çështjes së tyre kombëtare… (Programi i Lidhjes) u ishte dhënë shqiptarëve dhe diplomacisë ndërkombëtare në formulimin e thjeshtë “një komb-një vilajet”. Edhe sot shqiptarëve u duhet të përpiqen shumë për të mbrojtur e realizuar idenë “një komb-një atdhe-një shtet” (“Shenja”, korrik 2012, f.6).

Pas 6 vitesh, kur janë shprehur fjalët e mësipërme, i riprodhoj jo me atë entuziazmin e vetëbesimin e atëhershëm. Por, fatmirësisht kam gjetur papritmas këtë fjali inkurajuese në një botim francez: “Nuk jam njeri që kalon kohën duke korrigjuar veten. Një teori e tillë nuk duhet ndryshuar për aq kohë sa të mos jenë shkatërruar kushtet e përgjithshme të periudhës së gjatë historike, të cilën kjo teori ka qenë e para që e ka përcaktuar me saktësi” (Guy Debord “Shoqëria e Spektaklit”, Paris 1967, Tiranë 2018, f.5). Prandaj, ritheksoj se themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka qenë e mbetet ngjarja më e madhe politike në historinë kombëtare e shtetërore të shqiptarëve. Ajo duhet nderuar në mënyrë të veçantë, jo vetëm duke e rikujtuar në “festivale politike”, por edhe duke e përjetuar si detyrë kombëtare imperative përmbushjen e programit e të platformës politike të saj. Shqiptarëve nuk u ka hije, as nuk u sjell dobi, të kalojnë kohën “duke e korrigjuar veten” lidhur me mesazhet që vinë nga veprimtaria, platforma dhe programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që mbeten ende “PUNË E PAKRYER”.

Shqiptarët kanë shumë detyrime për të shlyer ndaj themeluesve të Lidhjes. Historiografia shqiptare ende nuk ka krijuar një pamje të plotë e të qartë për natyrën e vlerat e mëdha të Lidhjes. Shqiptarët ende ushqehen me mësime të gabuara, që i çojnë në përjetime të gabuara. Këtë  e ka dëshmuar këto ditët e fundit edhe Prof. Dr. i shkencave historike, Gazmend Shpuza, në shkrimin e tij “Lidhja Islamike që u shndërrua në Lidhjen Shqiptare” (“Gazeta Shqiptare”, 10 qershor 2018). Ai kritikon ndikimin që kanë pasur rrymat e huaja historiografike, sidomos ato sllave, mbi historiografinë shqiptare për të përhapur idenë se Lidhja e Prizrenit nisi si “mekanizëm islamik”. Konkluzioni i Shpuzës është: “Lidhja e Prizrenit u konceptua dhe lindi si një organizatë kombëtare mbarëshqiptare që në ditët e para të themelimit të saj dhe nuk u shndërrua në një të tillë, siç pretendohet ende, as më 17 qershor, as më 2 korrik të atij viti, kur aty arrijnë përfaqësuesit e vilajetit të Shkodrës dhe më 1 nëntor 1878 edhe ata të Janinës”.

Lidhja e Prizrenit pati vërtet jetë të shkurtër si formacion politiko-ushtarak parashtetëror shqiptar. Ajo u shpërbë nën trysninë e faktorëve të shumtë ndërkombëtarë armiqësorë dhe në rrethana shumë të rënda vendore për shqiptarët. Por, imazhi i vërtetë dhe simbolika e Lidhjes është përjetësuar dhe duhet nderuar edhe sot, së pari si “Vokacion për Bashkimin Kombëtar Shqiptar”. Termi “vokacion kombëtar” mungon në Fjalorin e Gjuhë së Sotme Shqipe, por fjalori i frëngjishtes “Le Petit Robert” jep shpjegimin që na duhet: “Thirrja nga Zoti që i drejtohet një personi ose populli me qëllim që ai të kthehet te vetvetja (të gjejë veten)”. Në një paraqitje televizive, më 31 maj 2018 kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ua kujtoi gazetarëve që nuk e donin bashkimin se”bashkimi kombëtar është mbi të gjitha vokacion dhe pastaj edhe organizim”. Tek shqiptarët asnjëherë nuk është shuar jehona e “vokacionit të bashkimit kombëtar”, që u institucionalizua politikisht dhe organizativisht nga Lidhja e Prizrenit. Vendimet që u morën për shqiptarët në Konferencën e Londrës, në vitet 1912-13, nuk e shuan dot jehonën e vokacionit të Lidhjes, që u kurorëzua me suksesin e parë, shpalljen pavarësisë së Shqipërisë Etnike më 28 Nëntor 1912. Ky vokacion ka jehuar në shumë e shumë raste më vonë.

Shpresat se vokacioni dhe simbolika e Lidhjes së Prizrenit do të frymëzonte më shumë mendimin politik dhe politikat zyrtare e partiake të shqiptarëve u gjallëruan pas shembjes së komunizmit. Në Shqipëri këto shpresa u zbehën dhe u braktisën më shpejt. Në Kosovë vokacioni i Lidhjes së Prizrenit gjëmoi fort, sidomos në fillimet e luftës së armatosur për çlirim dhe bashkim kombëtar shqiptar kur zuri vend, madje qëndron ende, në formulën e betimit të ushtarit të UÇK-së dhe tani është rrënjosur fort në programin e partisë politike më të madhe e më të votuar në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje. Mjaftojnë këto fakte të përmendura kalimthi që shqiptarët si komb, posaçërisht “elitat” e tyre politike, intelektuale e propagandistike të binden që të heqin dorë nga prirjet e dëmshme dhe ushtrimet e kota “për të kaluar kohën duke ndryshuar vetveten”, duke revizionuar ose braktisur amanetet e Lidhjes, duke e trajtuar atë si vlerë vetëm të së shkuarës, për muze e arkiv.

Lidhja e Prizrenit, në radhë të parë, duhet të perceptohet e të përjetohet si një projekt politik konkret, veprues, parësor dhe aktual në jetën kombëtare e shtetërore të shqiptarëve. Disa veprimtari të zbehta përkujtimore që bëhen në çdo qershor as të gëzojnë, as të ngushëllojnë më. Këtë vit veprimtarisë kryesore zyrtare në Prizren i ra edhe një hije e zymtë nervozizmi politik nga skenat e pahijshme pranë foltores. Në Shqipëri vazhdon tradita e keqe e kalimit më shumë në heshtje e mesazheve të Lidhjes ose me ndonjë deklaratë të rrumbullakosur se Lidhja kontribuoi shumë për identitetin kombëtar, çka shpërfill vlerën e një programi e të një platforme politike për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, që ka mbetur në mes të rrugës. Përkujtimet e Lidhjes së Prizrenit po kthehen më shumë në përshpirtje se në veprimtari me përmbajtje dhe me nerv politik.

Në politikën, në mendimin politik dhe në propagandën shqiptare janë kristalizuar qartë tashmë dy rryma të ndryshme, me qasje të kundërta, në vlerësimin e Lidhjes së Prizrenit. Njëra rrymë dokumentat e vendimet e Lidhjes i trajton thjesht si material për “erudicion” historiografike për ndonjë “festival politik e propagandistik”. Rryma tjetër, jetën e veprimtarinë e Lidhjes, e çmon si projekt politik i vlefshëm edhe aktualisht për t’u realizuar. Me kundërshtarët e shumtë të njohur të vokacionit e të projektit të bashkimit kombëtar kemi bërë polemika të vazhdueshme gjatë tri dekadave të fundit. Por, krijohen gjithnjë hapësira për të debatuar dhe kundërshtitë mbeten si më parë. Ka edhe politikanë e analistë të huaj që orvaten të fusin në mendimin politik shqiptar vlerësime mbi tipare që Lidhja e Prizrenit nuk mund t’i kishte, për të paraqitur projektet e tyre për “fqinjësinë shqiptare në Ballkan”, si një zhvillim të ri të frymës e të kërkesave të Lidhjes në kushtet e sotme (Abdi Baleta, “Shenja”, korrik 2012).

Fryma e revizionimit negativist të Lidhjes po përhapet gjithnjë më shumë në qëndrime politike, në analiza politologjike dhe debate propagandistike. Gazetari Mentor Nazarko, ish këshilltar i presdentit Meidani në Shqipëri dhe tani këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, u përpoq tej mase, më 31 maj 2018, në emisionin televiziv në Top Channel të Tiranës të vinte në vështirësi Albin Kurtin për programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte e qartë se ai po kryente një porosi politike që t’i transmetonte Albinit publikisht mesazhin se po nuk hoqi dorë nga kjo, Vetëvendosja nuk ka gjasa të fitojë mbështetje nga vendet perëndimore për të ardhur në pushtet dhe vetë Albini të realizojë ambicien e tij për të qenë kryeministër. Me një gjuhë më përkëdhelëse, gazetari Andi Bushati bëri të njëjtën gjë, duke hedhur idenë se është më mirë që shqiptarët të kenë dy shtete të forta se një shtet të përbashkët të dobët e problematik. Pra, u duk qartë nga këto mesazhe se tani po shtrihen përpjekjet që edhe me Vetëvendosjen të ndodhë dukuria që ndodhi me UÇK-në para disa vitesh, kur ajo pranoi të hiqte dorë nga kërkesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Albini u dha përgjigjet që meritonin këtyre “mësimeve” të gazetarëve të Tiranës. Por, vërehet se po intensifikohen e diversifikohen taktikat e përdorura prej kohësh për të ndalur ritmin e kërkesave për bashkim kombëtar. Dikur, në vitet 1920-39, thuhej se Shqipëria para se të mendojë ta ndihmojë Kosovën duhet të bëhet shtet i fortë. Shqipëria nuk u bë kurrë shteti tillë. Tani ky argument vihet në qarkullim në formulën “dy shtete shqiptare janë më me leverdi se një i përbashkët”. Provën konkrete të së kundërtës së kësaj teze e kemi tani, para syve, nga përvoja e skuadrës përfaqësuese të futbollit të Shqipërisë, në sukseset e së cilës më së shumti ka qenë kontributi i lojtarëve nga Kosova dhe i entuziazmit të madh popullor që ngjalli parulla “një komb-një kombëtare”. Tani, që janë krijuar dy skuadra përfaqësuese shqiptare, një në Republikën e Shqipërisë dhe një në atë të Kosovës, këto suksese kanë filluar të zbehen dhe dikush po i minon me shumë dinakëri.

Disa ditë pasi e kisha ndjekur debatin e Albin Kurtit me Nazarkon e Bushatin, ky debat po më ngjante si një prelud i pikëpamjeve që do të lexoja në “Shenja” të muajit qershor 2018 në shkrimin e zotëri Milazim Krasniqit “Beteja e radhës është me neokolonializmin”. Krijova përshtypjen se aludohet më shumë për një “kolonializëm të Shqipërisë në Kosovë”, për çka në Prishtinë ka qenë shkruar edhe më herët. Më ranë në sy fjalët: “Krahas sponsorizimit okult për krijimin e kombit kosovar, i cili tashmë mund të shpallet si i dështuar…”. U ngazëlleva se gjeta një provë që në Kosovë po konsiderohet si e dështuar një ide utopike që ka qenë hedhur për të ngritur një pengesë për bashkimin shqiptar, duke shpikur një komb kosovar. Por, shpejt vura re se për pengimin e këtij bashkimi rekomandohet ngritja e pengesave të reja teorike e politike, sidomos në paragrafin ku radhiten disa ide direktivëdhënëse: “Kosova duhet të heqë dorë nga ideologjia irredentiste për bashkimin mekanik me Shqipërinë. Kosova duhet ta forcojë konceptin independentist të shtetit. Bashkimi me Shqipërinë mbetet një ëndërr, por vetëm kur të bëhen Kosova e Shqipëria shtete të suksesshme e të fuqishme dhe kur të hyjnë në kuadër të BE-së e të NATO-s, kur barrierat për bashkëpunim eliminohen pothuajse plotësisht. Por duhet të hiqet iluzioni për një bashkim mekanik a me dhunë i dy shteteve shqiptare gati të dështuara. Thjesht këtij iluzioni duhet t’i vihet pikë. Kosova duhet të profilizohet qartësisht si shtet i pavarur, duke hequr dorë nga kompleksi i inferioritetit në raport me Shqipërinë (si shtet amë)”. Disa rreshta më poshtë shtohet edhe pika mjaft intriguese: “Respektimi i diversitetit etnik e fetar është arma më e fuqishme e Kosovës për fuqizimin e saj si shtet derisa të jetë nën ombrellën e NATO-s dhe nën sponsorizmin e SHBA”. Nëse duam t’i paraqesim në mënyrë më koncize të gjitha këto, do të mjaftonin fjalët e pakta: Kosova duhet të ruhet në radhë të parë nga rreziku që i vjen nga Shqipëria, nga kolonizimi shqiptarist dhe nga inferioriteti kosovarist para Shqipërisë. Piramida e rreziqeve për Kosovën kthehet kokëposhtë. Shumicën e këtyre tezave i kemi dëgjuar pa pushim nga politikanë e analistë të huaj e shqiptarë dhe kemi polemizuar me to.

Teza mbi kundërvënien në Kosovë të konceptit të shtetit independentist dhe shtetit irredentist më duket një ngacmim më i rëndë sesa “sajesa e kombit kosovar”, sepse shteti independentist përfytyrohet vetëm si një guaskë, ku të ruhet molusku i shoqërisë multietnike që prej dekadash i imponohet Kosovës si zëvendësues i kombit shqiptar në Kosovë. Të gjitha këto teza janë nxitëse për rindezjen e debateve të bëra dhe paralajmërojnë erëra të reja (për disa të ftohta e për disa të nxehta) në hapësirat shqiptare. Mua më inkurajon fakti që bashkimi kombëtar në Kosovë nuk është ëndërr, por aspiratë e shumicës, që sikurse kanë dëshmuar sukseset e vrullshme të Lëvizjes Vetëvendosje, kundër secilës u kurdis një konspiracion i gjerë ballkanik, ndërkombëtar e shqiptar. Mua më inkurajon fakti që “vokacioni i bashkimit kombëtar” jehon fort në Kosovë dhe ku vepron dhe një formacion i fuqishëm politik, si bartës i projektit të bashkimit kombëtar. Në Shqipëri gjendja është më ndryshe, më e dobët, sidomos në fushën e organizimit politik. Janë pezmatuese përpjekjet për ta përmbysur historinë dhe vlerat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për t’iu përshtatur vendimit të pashembullt dhe absurd të diplomacisë ndërkombëtare që ua ndalon shqiptarëve bashkimin e tyre kombëtar. Analistëve shqiptarë nuk u bie barra politike morale (po nuk deshën vetë) të teorizojnë në mbështetje të këtij qëndrimi arrogant./ shenja