Opinion Shqiperia

Punimet për kanalizimet dhe ujësjellësin e Durrësit rrezikojnë arkeologjinë

Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Në qytetin e Durrësit prej vitesh vijon zbatimi i projektit për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotur, duke ndërtuar linjat kryesore. Së fundmi, Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) ka nisur pastrimin e kolektorit që mbledh ujërat e ndotura nga lagjet kryesore të qytetit. Porta Vendore ka ndërmarr një vëzhgim 1 vjeçar për të kuptuar më shumë se sa po mbrohet trashëgimia kulturore në Durrës, e cila është në rrezik nga ky projekt.

Tre investimet me vlerë rreth 35 milionë euro kanë prekur të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, duke hapur kanale në rrethinat e qytetit dhe “në zemër” të zonës arkeologjike. Zyrtarisht për punimet e ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve, janë nënshkruar kontrata monitorimi arkeologjik, por Porta Vendore në një vëzhgim njëvjeçar në disa raste ka konstatuar mungesën e arkeologëve që duhej të mbikëqyrnin punimet.

Pastrimi i rrjetit ekzistues të kanalizimeve të ujërave të ndotura, po realizohet pa kontratë për survejimin nga arkeologët dhe si pasojë janë prekur shtresa kulturore e kanë dalë në dritë objekte arkeologjike, që sipas interpretimit të arkeologut Neritan Ceka, i përkasin shekujve IV-VI të Erës Sonë.

Institucionet e Kulturës konstatuan përgjatë këtij viti se punimet e paautorizuara nga Ujësjellës Kanalizime Durrës prekën shtresa arkeologjike, si qeramikë, fragmente kockash dhe karboni, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve.

Ndërtimi i kanalizimeve dhe pikëpyetjet mbi monitorimin arkeologjik

Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) në një përgjigje për Portën Vendore, sqaron se investimet që po realizohen aktualisht në Durrës janë pjesë e projektit [kredisë] së Bankës Botërore (BB), sipas marrëveshjes së nënshkruar në muajin nëntor të vitit 2013, midis qeverisë qendrore dhe BB.

Projekti përfshin ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe ndërtimin e një kolektori kryesor për ujërat e ndotura (“zeza”) në qytetin e Durrësit, ku Ujësjellësi Durrës ndjek zbatimin e punimeve.

Gërmimet po prekin sot nëntokën në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës në disa metra thellësi. Paraprakisht Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) ka lidhur aktmarrëveshje trepalëshe midis saj, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe subjektit privat të licencuar në arkeologji, “AD Star” sh.p.k.

AKUK njoftoi se punimet me vlerë rreth 5.4 milionë euro nisën më datë 28 shtator 2017. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, që “jep dritën jeshile” për projektet që prekin nëntokën, vetëm pasi të përmbushen detyrimet ligjore për mbrojtjen e arkeologjisë dha vendim një muaj më pas, më 25 tetor, ku kërkoi ndjekjen ditore të punimeve nga arkeologët privatë.

Punimet sipas AKUK po kryhen nga kontraktori “2T” sh.p.k. Në segmentin pranë bregdetit të Vollgës, në lagjen numër 1, nga një vëzhgim i Portës Vendore në muajin janar 2018, në terren nuk rezultoi të kishte arkeologë që duhej të mbikëqyrnin punimet sipas marrëveshjes ligjore.

Arkeologu Neritan Ceka vendos theksin te rëndësia e monitorimit nga arkeologët e terrenit ku kryhen punimet nëntokësore. “Ajo që po ndodh në Durrës, ku punimet e infrastrukturës prekin shtresat arkeologjike në mungesë të monitorimit nga arkeologët, është ajo që ndodhi edhe në Pazarin e Gjirokastrës”, shpjegon Ceka.

Sipas AKUK-së dhe Ujësjellësit të Durrësit, punimet janë konform ligjit dhe po monitorohen nga arkeologët. Porta Vendore realizoi disa vëzhgime të tjera në lagje të ndryshme të qytetit, ku rezultoi se në terren mungonin arkeologët privatë që duhej të mbikëqyrnin punimet.

Konkretisht, më datë 25 janar të këtij viti, nga vëzhgimi i punimeve që po kryheshin nga kompania “2 T” sh.p.k, pranë stacionit të trenit, pasi u pyetën edhe punëtorët e kompanisë, nuk kishte arkeolog që monitoronte gërmimet nëntokësore me ekskavator. Kështu, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për koment kompanisë (“2 T”) që po kryente punimet, nëse ka pasur monitorim arkeologjik, por që prej muajit shkurt e deri më tani, nuk u kthye asnjë përgjigje.

Punimet për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, Stacioni i Trenit Durrës. Foto: Geri Emiri

Po ashtu një kërkesë për koment iu dërgua me email subjektit privat të licencuar në arkeologji, “AD Star” sh.p.k., që duhej të mbikëqyrte me arkeologë këto punime, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk u kthye përgjigje.

Përgjegjësia për të mbikëqyrur punimet sipas ligjit i takon edhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe Drejtorisë së Kulturës Durrës, që në përgjigjet e tyre pretendojnë se e kanë realizuar.

Arkeologu Neritan Ceka e shpjegon rastin si të përsëritur, pasi kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Pastrimi i kanalizimeve, zbulohen objekte por mungojnë arkeologët

Po ashtu, Ujësjellës Kanalizime Durrës me një investim prej rreth 60 mijë euro pa TVSH, ka nisur punimet për pastrimin e kolektorit qendror të kanalizimeve të qytetit, që do të zgjasin një vit.

Punimet nisën në shtator të vitit 2018 në lagjen numër 4, 11 dhe aktualisht po punohet pranë lagjes numër 18. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, u shpreh për mediat më 13 prill se; “Të njëjtën punë që bëmë në rrugën “Egnatia”, do të vazhdojmë ta bëjmë në të gjitha rrugët e qytetit, do vazhdojmë të pastrojmë kolektorin e ujërave të shiut dhe ujërave të zeza”.

Punimet për pastrimin e kolektorit ekzistues janë afruar në zona me potencial të lartë arkeologjik, referuar zbulimeve të mëhershme. Punimet pranë ish-Lulishtes “1 maji”, në lagjen numër 11, nxorën në dritë objekte arkeologjike dhe në mungesë të arkeologëve punimet vijuan pa u kujdesur për dokumentimin dhe marrjen e objekteve të dala në dritë.

Punimet gjatë natës për pastrimin e tubacionit kryesor të ujërave të ndotura, sheshi “Pranvera”. Foto: Geri Emiri

UKD në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, sqaron se; “Nuk është lidhur aktmarrëveshje me Shërbimin Arkeologjik sepse bëhet fjalë për zhbllokim kanali ekzistues dhe jo për punime të reja”.

Përveç zhbllokimit të kanalit, UKD ka ndërtuar edhe puseta të reja, të cilat janë zgjeruar në një sipërfaqe të re. Nga vëzhgimi në terren rezultoi se pjesë qeramike dolën në dritë nga punimet që vijuan edhe përgjatë orëve të natës, pa monitorim arkeologjik.

“Objekti që duket në foto është një fund amfore romake, që dëshmon se kanali ka prekur shtresën kulturore të shek. IV-VI, të Erës Sonë”, interpretoi arkeologu Neritan Ceka, fotot që Porta Vendore i vendosi në dispozicion.

Amforë romake, e dalë gjatë punimeve për pastrimin e tubacionit kryesor të ujërave të ndotura, ish-lulishtja “1 Maji”. Foto: Geri Emiri

Edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK) dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA), rezulton se në një rast kanë evidentuar punime të paautorizuara nga ana arkeologjike.

Në procesverbalet që Porta Vendore mori nga DRKK Durrës, rezulton se më datë 30 janar të këtij viti, në lagjen numër 3 të qytetit, pranë Poliklinikës Qendrore, arkeologët e DRKK-së konstatuan se; “…po kryhen punime për zëvendësimin e një tubi uji nga UKD. Është hapur një kanal gjatësor rreth 800 m, me thellësi rreth 70 cm”.

Pasi DRKK ka kërkuar ndërprerjen e punimeve, pasi nuk kishte vendim arkeologjik dhe nuk kishte arkeologë që po i mbikëqyrnin punimet, dy ditë më pas në terren mbërrijnë edhe specialistët e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA).

Në procesverbalin me që mban datën 1 shkurt, ku përsëri përfaqësues të ujësjellësit nuk ishin të pranishëm, arkeologët konstatuan se pjesa më e madhe e kanalit ishte mbushur me çakëll, por skajet e gërmimit që nuk ishin mbuluar ende, dhanë informacion për dëmtime arkeologjike.

“…nën këtë lartësi (shtresa e asfaltit) shfaqen shtresa arkeologjike. Janë shumë të qarta në profil fragmente të shumta tjegullash dhe qeramike. Gjithashtu u vërejtën fragmente të ndryshme kockash dhe karboni”, shkruhet në raportin e firmosur nga specialistët e ASHA-s dhe të DRKK Durrës. Ata kërkuan pezullimin e punimeve deri sa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë të merrte një vendim për rastin.

Ujësjellësi i ri dhe punimet pranë monumenteve

Projekti i tretë që prek nëntokën e Durrësit dhe lidhet me investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, është ndërtimi i rrjetit të ri të furnizimit me ujë të Durrësit, që lidhet me ndërtimin e stacionit të pompimit në burimin e ujit në Mat, linjën e dërgimit dhe rezervuarët pranë zonës urbane.

Në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), shkruhet se projekti ka vlerë 31.6 milionë euro dhe se investimi ka nisur më 25 shkurt të vitit 2016. Porta Vendore evidentoi nga vëzhgimi i saj se punimet për shtrimin e rrjetit të tubacioneve, më datë 22 qershor 2018 ishin afruar në fshatin Rrushkull.

Por marrëveshja arkeologjike, për vëzhgimin sipërfaqësor, sondazhet arkeologjike duket se është përqendruar vetëm në qytet dhe rrethinat pranë tij. Institucionet e kulturës për projektin që sipas AKUK ka nisur në vitin 2016, kanë marrë kërkesë zyrtare vetëm në fundin e vitit 2018.

Në një vendim të datës 19 dhjetor 2018, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratoi raportin e vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor, përgatitur nga subjekti privat “AD Star” sh.p.k, mbi praninë ose jo mbi sipërfaqe të objekteve arkeologjike apo monumenteve të kulturës.

Subjekti realizoi 6 sondazhe arkeologjike në zonën e qytetit, Porto-Romanos, Spitallës lindore, Shkozetit, Rrashbullit dhe Arapajt, të cilat nuk rezultuan me zbulime arkeologjike, por megjithatë duket se punimet do të realizohen vetëm pak metra larg disa prej monumenteve më të rëndësishme të Durrësit.

“Më poshtë po rendisim vendgjetjet më të rëndësishme dhe më të afërta me linjat e rrjetit të ujësjellësit të Durrësit:

  • Afërsisht 50 m, në Jug të depos së ujit Nr. 1 është gjetur një Varrezë Helenistike;
  • Afërsisht 80 m, në jug, këtu është gjetur një mozaik dhe janë edhe kullat mesjetare më në jug, pjesë e fortifikimit të madh mesjetar;
  • Afërsisht 10-20 m, në lindje janë zbuluar forum Bizantin dhe Termat nën pallatin e kulturës;
  • Afërsisht 21 m, në lindje dhe në perëndim janë zbuluar banesa romake me mozaik.
  • Afërsisht 110 m, në veri të traktit Nr. 5 ka qenë zbuluar nekropoli arkaik helenistik.

“3 traktet e para të projektit të ujësjellësit të ri janë të pozicionuara në Zonën Arkeologjike të Riskut më të rëndësishëm, “A”. 2 trakte janë të pozicionuara në Zonën Arkeologjike “B”, ndërsa 7 traktet e tjera janë jashtë zonës arkeologjike të qytetit të Durrësit”, shpjegon raporti.

Arkeologu Neritan Ceka hedh dyshime mbi punën e institucioneve të kulturës në projektet që ndërmerren në Durrës, duke shtuar, “E gjithë kjo dëshmon për një klimë armiqësore ndaj trashëgimisë,që është dënuar me vdekje nga të gjitha qeveritë, pavarësisht nga ngjyra politike”./portavendore

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

OPINIONE