Putin: Amerika nuk do të heqë dorë nga sistemi antiraketor THAAD

Presidenti i Rusisë kritikoi qëndrimet e SHBA ndaj Koresë së Veriut dhe deklaroi: “Edhe nëse Koreja e Veriut ndalon të gjitha aktivitetet e saj raketore dhe bërthamore, Amerika nuk do të heqë dorë nga dislokimi i sistemit antiraketor THAAD në Korenë e Jugut”.

Vladimir Putin, në një takim me drejtues të mediave ruse dhe të huaja në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, tha se qëllimi i zhurmës së madhe që bëhet nga Uashingtoni kundër Phenianit është dislokimi i sistemit antiraketor THAAD në Korenë e Jugut për të sfiduar Rusinë dhe Kinën. “Edhe sikur nesër Pheniani të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet e tij raketore dhe bërthamore, Amerika nuk do të heqë dorë nga dislokimi i sistemit THAAD”-deklaroi Putin. Ndër të tjera, sipas Putinit, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është një prej pikave kryesore, në të cilat Moska dhe Perëndimi duhet të bashkëpunojnë mes tyre. “Boll më me shpikjen e kërcënimeve imagjinare nga Rusia. Të shohësh sulme me bomba në Paris e në pjesë të tjera të Europës, të bëhesh dëshmitar i konflikteve në Lindjen e Mesme, e sërish të dëgjosh spekulime mbi rrezikun e Rusisë. Kjo është mjaft e çuditshme”, tha shefi i Kremlinit. Ai mbrojti presidentin sirian Bashar Asad, duke theksuar se qeveria siriane ndodhet në frontin e parë të luftës kundër terrorizmit dhe duke kujtuar se nuk ka prova që tregojnë se kreu i Damaskut ka përdorur armët kimike kundër popullit të vet./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne