Putin dhe Trump në Vjetnam: Nga shiu në breshër

Do të takohen ata apo jo? Deri në fund ishte e paqartë, nëse Donald Trump dhe  Vladimir Putin do të kenë kohë për një bisedë në kuadër të samitit të Bashkësisë Ekonomike të hapësirës Aziatike të Paqesorit (APEC) në Danang të Vjetnamit. Të enjten (09.11) Ministria e Jashtme ruse konfirmoi një orar takimi – “me shumë gjasë” të për të premten. Pasi presidenti i SHBA-së, përpara rreth një jave ishte i pari që e hodhi idenë për një bisedë të tillë, Kremlini reagoi pozitivisht, por priti gjatë deri sa e konfirmoi atë. Dukej sikur të dy krerët e shtetit donin ta peshonin mirë përpara, nëse kjo do t’ia vlejë.

Distancë dhe forcë tërheqëse

“Unë besoj, që presidenti Trump e synon këtë takim, ndërsa presidenti Putin ndodhet kundrejt SHBA-së në modusin “le të presim njëherë”, thotë për DW Mark Simakovsky, ekspert pranë Think Tank të SHBA-së Atlantic Council. Presidenti i SHBA-së premtoi gjatë fushatës elektorale, se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me Moskën. Pas aneksimit rus të Krimesë marrëdhëniet me SHBA-në u përkeqësuan në mënyrë dramatike. Trump donte ta mbante premtimin, e megjithatë ai duhet të përballojë barrën e skandaleve në politikën e brendshme lidhur me Rusinë, vëren Simakovsky.

Shefi i Kremlinit nga ana e tij nuk beson, në një përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve me Uashingtonin. Kjo edhe sepse sanksionet e fundit të SHBA-së ndaj Rusisë nuk mund të shfuqizohen vetëm nga presidenti. Kur Trump u zgjodh para rreth një viti në parlamentin rus shpërthyen tapat e shampanjave. Kjo eufori ka kohë që ka kaluar tashmë dhe disa deputetë kanë dyshim, nëse Moska ndërkohe mund të arrijë marrëveshje me Trump-in. Ndaj takimi në Vjetnam mund të ketë “shanse të pakëta për një sukses në kuptimin e rezultateve konkrete”, thotë Simakovsky. “Në një farë mënyre Trump dhe Putin janë si planetët, që qendrojnë shumë larg njeri-tjetrit, por që kalojnë në trajektoren përkatëse dhe tërhiqen ndaj njeri-tjetrit.”

Përmbajtje pavarësisht spirales së sanksioneve

Pas takimit të parë që pas ardhjes së Trump në post në kuadërt të samitit të G-20 në korrik në Hamburg të dy presidentët u shprehën të kënaqur. Kemi konsoliduar një raport personal, vlerësoi Putin. Por ngjarjet, që pasuan menjëherë, e kanë vënë në sprovë të vështirë këtë marrëdhënie të re.

Kongresi i SHBA-së në fund të korrikut vendosi sanksione të reja më të ashpra dhe e vendosi Rusinë në një kategori me Iranin dhe Korenë e Veriut. Argumentimi ishte: Ndërhyrja në fushatën elektorale të SHBA-së më 2016 dhe qendrimi i Rusisë ndaj Ukrainës. Thuajse njëkohësisht Moska vendosi, të dëbojë më shumë se 750 diplomatë të SHBA-së. Ky ishte një reagim ndaj “disa hapave armiqësoore të Uashingtonit”, nënvizonte Ministria e Jashtme ruse. Me këtë ndër të tjera kihej parasysh dëbimi i një duzinë diplomatësh rusë nga administrata e Obamas në fund të vitit 2016. Asokohe Moska nuk u pëgjigj me të njëjtën monedhë, me sa duket për të mos rënduar raportet me presidentin e sapo zgjedhur Trump.

Kremlini e paraqet Trump-in si viktimë të një konflikti në politikën e brendshme të SHBA-së. “Të dyja palët janë të përmbajtura në retorikë”, thotë Andrej Kortunov, drejtor i Këshillit rus për Marrëdhëniet me Jashtë, një Think Tank i afërt me qeverinë. “Me sa duket nga pala ruse u vendos, që të mos shkatërrohen urat, për të shmangur një përshkallëzim dhe për ta rifilluar dialogun”, argumenton në bisedë me DW Kortunov.

Koreja e Veriut në plan të parë

Temat në bisedimet mes Putin dhe Trump nuk mungojnë. Lista e dëshirave të Moskës, sipas Kortunov, përfshin rivendosjen e plotë të dialogut diplomatik dhe ushtarak mes Moskës dhe Uashingtonit si dhe të ardhmen e marrëveshjes strategjike të çarmatimit si Marrëveshja INF për raketat me rreze të mesme veprimi. Edhe për vatrat e krizës në mbarë botën Rusia është e gatshme të bisedojë.

Kur Trump shprehu dëshirën të takohet me Putinin në Vjetnam, ai përmendi si tema bisedimesh: Korenë e Veriut, Ukrainën dhe Sirinë. Në radhë të parë Koreja e Veriut mund ta dominojë agjendën, për këtë janë të një mendimi ekspertët. Ndonëse si Moska edhe Uashingtoni i kritikojnë testet e fundit bërthamore të Penjanit, Rusia  bashkë me Kinën janë për zgjidhje diplomatike, që parashikon edhe lëshime ndaj Penjanit. Trump në të kundërtën kërcënon me një goditje ushtarake.

Trump dhe Putin mund të bisedojnë edhe për Marrëveshjen ndërkombëtare Bërthamore me Iranin, prej nga kërcënon të dalë presidneti i SHBA-së. Edhe për këtë ka mosmarrëveshje të mëdha. Putin së fundi ishte në Teheran dhe demonstroi përkrahje për udhëheqjen e republikës islamike.

Problemi më i madh në rrugën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Rusië dhe SHBA-së është humbja e besimit, thotë eksperti i SHBA-së, Simakovsky. Moska megjithatë nuk do të reshtë së kërkuari dialogun, mendon Andrej Kortunov. Edhe pse shanset për sukses janë të pakta, do të zhvillohen bisedime.

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne