Putin ka gati njohjen e Kosovës, nis ftohja Beograd-Moskë

E përditshmja më e madhe e Beogradit Blic ka shkruar se Rusia e ka gati njohjen e Kosovës dhe pret vetëm një sinjal nga ana e SHBA-së si kompromis për Ukrainën.

Blic citon Mary Deevsky nga Instituti Mbretëror Britanik, i cili thekson se “Putin e mban Kosovën si peng për ta shkëmbyer”.

Kjo është hera e dytë për disa muaj që në qarqe kaq të larta flitet për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Rusia. Në shtator të vitit të kaluar, Vladimir Putin barazoi Kosovën dhe Krimenë, duke kritikuar Perëndimin që sipas tij respekton vullnetin e popullit në një vend dhe nuk e bën për një vend tjetër.

Beogradi nuk ka shumë konfidencë me Moskën kohët e fundit, por Serbia ka nevojë për Rusinë për ta ndihmuar ndërkombëtarisht.

Ndërkaq, Blic shtron pikëpyetjen se pse në Serbi besohet teza se “rusët janë më serbë se ata vetë”.

Dhe vazhdon më tej duke cituar politologun e njohur Neven Cvetiçanin:

“Rusia në Serbi deri tani ka hapur rreth 70 qendra të ashtuquajtura kulturore dhe një qendër të ashtuquajtur humanitare në Nish, e cila më shumë është bazë e spiunazhit ushtarak se sa qendër humane. Rusia e ka blerë kompaninë më të madhe të naftës në Serbi “SrbijaGas” për vetëm 400 milionë euro, kurse vlera e saj ishte rreth 4 miliardë euro. Rusia vetëm për propagandë në Serbi ka investuar rreth 1.8 miliardë, si në gazeta, agjenci të ndryshme informative, portale, televizione, shoqata joqeveritare etj. Rusia deri më tani në Serbi nuk ka hapur asnjë fabrikë, asnjë serb nuk punon në ndonjë firmë ruse, por shumica e tyre punojnë në shtetet e Europës, SHBA dhe shtetet tjera”.

Blic vazhdon më tej se “Rusia gjithmonë Serbinë e ka shfrytëzuar si trampolinë të përshtatshme për realizimin e interesave të saj gjeopolitike. Serbinë mē shumë e ka bërë shtet Europa sesa Rusia. Se sa e mbrojti Rusia këtë shtet u pa në vitin 1999 gjatë bombardimeve të NATOsë. Asnjë ushtar rus nuk vdiq për Serbinë”.

E përditshmja më e madhe e Beogradit, duke krahasuar kontributet e BE-së dhe Moskës, thekson se “Europa në Serbi ka investuar shumë. Po të mos ishin investimet europiane ky shtet do të kishte falimentuar prej vitesh.

Vetëm 10 vitet e fundit, BE ka investuar mbi 5 miliardë euro. Europa çdo ditë fabrika të reja, por edhe punëson serbë të shumtë”.

Politologu Cvetiçanin thekson në elaborimin për Blic-in se Putin në një bisedë me partnerët e tij perëndimorë  ka thënë se “Unë nuk jam miku juaj, por as armiku juaj. Unë jam president i Rusisë“.

Ndërkaq, historiani Srgjan Cvetkoviç,  thotë se në politikë zbatohen ligjet e interesit dhe se kush është më shumë mik apo armik.

“Është e vërtetë se është një vend sllav dhe ortodoks që është më afër nesh sesa disa demokracitë perëndimore. Por fuqitë e mëdha si Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar kanë provuar të udhëhiqen nga interesat e tyre.  Politika duhet të shihet si një tabelë shahu. Forcat e mëdha, për hir të përfitimit të mundshëm, shpesh sakrifikojnë ushtarët për të shpëtuar mbretëreshën”, thotë Cvetkoviç.

Blic shkruan se ka mësuar se për Krimenë apo çështje të tjera botërore, Rusia mund t’i bëjë një koncesion Amerikës për Kosovën. Dhe flet për kohë të afërt…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne