Bota

Putin: Respektojmë interesat e miqve tanë turq

Pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, presidentët Recep Tayyip Erdogan i Turqisë dhe Vladimir Putin i Rusisë mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në Pallatin e Kremlinit.

Lideri rus e nisi fjalimin e tij duke thënë se takimi ishte zhvilluar në një atmosferë jashtëzakonisht konstruktive dhe mbi bazat e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai theksoi më tej se janë duke punuar së bashku për zgjidhjen e krizës siriane me rrugë politike dhe diplomatike.

“Ne po punojmë mbi një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes siriane. Aspirojmë që problemin ta zgjidhim me rrugë politike dhe diplomatike. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës realizojnë planin e tyre të tërheqjes (nga Siria), atëherë ky do të jetë një hap pozitiv”, tha Putini.

Shefi i Kremlinit njoftoi gjithashtu synimin për të zhvilluar në Moskë samitin trepalësh (Turqi-Rusi-Iran) të radhës.

Putini vuri në pah gjithashtu se Rusia i bashkohet mendimit dhe qëndrimit të Turqisë për të luftuar së bashku me të gjithë terroristët.

Në fund të fjalës së tij në konferencë për shtyp, presidenti rus u ndal edhe mbi përpjekjet e koordinuara të Ankarasë, Moskës dhe Teheranit me përfaqësuesin special të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, në kuadër të themelimit të komitetit kushtetues në Siri.

“Komiteti kushtetues është një fushë shumë e rëndësishme, një punë që do të konsolidojë arritjet tona në terren. Duhet të vendoset dialog ndërmjet të gjitha palëve”, u shpreh Putini./ trt