Shqiperia

Pylli i padepërtueshëm i Bashkisë së Tiranës

Më 22 prill të këtij viti, në Ditën Kombëtare të Tokës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lajmëroi mbylljen e fushatës intensive të kurorëzimit të kryeqytetit me mbjelljen e 120 mijë pemëve. Për disa muaj rresht, ai ishte kryelajmi i bashkisë, me kryetarin që udhëhiqte i veshur me uniformë punëtori një fushatë pyllëzimi, ku u përfshinë institucione të tjera, ministri, ushtria, por edhe donatorë të ndryshëm.

Por duke vepruar si një njeri që kërkon rezultatin publicitar përpara çdo gjëje, z. Veliaj dhe institucioni që ai përfaqëson anashkaluan dhënien e informacionit mbi procedurën ligjore që mbështet dhe mundëson një proces të tillë. Asnjë projekt, asnjë informacion zyrtar, me shifra dhe studime, nuk u bë publik për këtë nismë që u mediatizua pa pushim.

Duke besuar se shifra e 120 mijë pemëve është në thelb një lajm i mirë për të gjithë qytetarët, TemaTv kërkoi të merrte më shumë informacion rreth këtij suksesi të vetëshpallur të Bashkisë dhe z. Veliaj.  Për këtë iu drejtuam rrugës dhe procedurave ligjore.

Më datë 1 maj të këtij viti, me një shkresë zyrtare, siç e parashikon ligji për të drejtën e informimit, i dërguam bashkisë së kryeqytetit 5 pyetje për të cilat kjo e fundit duhej të kthente përgjigje brenda një afati prej 10 ditësh pune. Megjithë sigurimet verbale të punonjësve të bashkisë për shqyrtimin e kërkesës, në të vërtetë asnjë përgjigje nuk u dha për pyetjet tona.

Në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit, ne iu drejtuam me një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit në datën 22 maj 2018. Pas shqyrtimit, komisioneri mori parasysh ankesën dhe më datë 28.05.2018 urdhëroi bashkinë që të kthente përgjigje.

Duhet të kujtojmë se transparenca dhe informimi janë detyrime ligjore për institucionet publike dhe ligjet aktuale për këto çështje janë propozuar dhe miratuar nga qeveria e parë e z. Rama, ku z. Veliaj ka qenë ministër.

Por ka edhe një arsye morale përpos asaj ligjore, që e bën më ironike përpjekjen e z. Veliaj për të mbuluar me heshtje dhe errësirë fushatat e tij, si kjo e mbjelljes së pemëve. Zotëria është fitues kronik i çmimeve të ndryshme, që janë shtuar kaq shumë, saqë të krijohet përshtypja e një patologjie. Një ndër to është edhe çmimi që z. Veliaj dhe Bashkia e Tiranës morën në vitin 2017 për transparencën.

Më 2 tetor të 2017, në ceremoninë e prezantimit të gjetjeve të Monitorimit 2017, organizuar nga INFOCIP dhe mbështetur nga “Olof Palme Center” dhe Qeveria Suedeze, kryebashkiaku  mori çmimin si institucioni më transparent ndaj qytetarëve. Çmim që iu dorëzua nga ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisi. Për të kuptuar diçka më shumë për metodën e vlerësimit në këtë rast, Tema TV pyeti edhe pranë Ambasadës Suedeze. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, Ambasada Suedeze heq përgjegjësitë nga vetja duke deklaruar se ambasadori ka qenë aty në mënyrë honorifike, pa patur asnjë tagër për motivacionin apo mënyrën e vlerësimit.

Suedia mbështet punën e disa organizatave dhe institucioneve në Shqipëri, të cilat ndër të tjera prodhojnë raporte monitorimi, studime, anketa etj. Përmbajtja e këtyre raporteve dhe publikimeve, pavarësisht nga tema, është në pronësi të organizatës / institucionit dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës së Suedisë në Tiranë. Kur bëjmë një marrëveshje me një partner, e bëjmë të qartë se përgjegjësia për materialin që ata prodhojnë qëndron me ta. Qëllimi ynë është që të mbështesim forcimin e shoqërisë civile në Shqipëri, e cila mund të përfaqësojë një shumëllojshmëri pikëpamjesh

Në këtë rast, ne kemi një mbështetje për Qendrën Ndërkombëtare Olof Palme (OPC) për programin e tyre trevjeçar që mbështesin organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri. OPC vendos për partneritetet me organizatat e shoqërisë civile shqiptare dhe nënshkruan marrëveshje direkt me ta, një partneritet i tillë që është me InfoCIP. Aktiviteti që ju referoni është pjesë e këtij bashkëpunimi”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e saj.

Ky qëndrim na jep të kuptojmë se ambasadori ka qenë aty në besë të disa OJQ-ve, ndaj edhe çdo implikim në këtë rast nuk ka vlerë. Mirëpo z. Ndisi është bërë dorëzanë i një vlerësimi për të cilin jo vetëm thotë se nuk di gjë, por që në dritën e vendimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, vihet seriozisht në diskutim. Z. Veliaj mund të luajë gjithë kohës me medaljet që i vendos vetes në gjoks, apo që ia japin edhe të tjerë, por kjo nuk e bën më shumë transparent. Pasi me sjelljen e tij në raport me disa pyetje fare normale, ai zhvlerëson me ritëm minutash çdo kredi që përfiton për imazhin e vet nga çmime si ky i vitit 2017, që mesa duket po lihet jetim nga ata që e dorëzuan.

TemaTv

OPINIONE