Qarkorja e Bashës për mediat proqeveritare bën bashkë kundër tij Mero Bazen dhe Alfred Lelën

Lulëzim Bashën e kanë bërë sanduiç me kritka nga e majta në të djathtë pas publikimit të qarkores që ai i dërgonte demokratëve kundër mediave pro qeveritare. Në këtë dokument të bërë publik nga Mapo (shiko poshtë) lideri demokrat vinte alarmin se qeveria tashmë ka kapur tre televizionet kombëtare, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus se ajo po krijon media të reja online, se po blen gazetarë dhe po konverton ish mbështetës të opozitës në favor të saj.

Kjo, sipas asaj që Basha u shpjegonte demokratëve bëhet për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të vendit: “Nuk është rastësi që gazetarë/media pranë qeverisë apo ish-funksionarë të Partisë Demokratike, që janë të vlefshëm për Edi Ramën, shkruajnë për të sajuar “probleme” të opozitës apo Partisë Demokratike, sa herë Edi Rama është në vështirësi politike, sa herë ai apo bashkëpunëtorët e tij kapen në flagrancë në skandalin dhe vjedhjen e radhës, sa herë u zbulohen aferat korruptive apo lidhjet me krimin” thuhej në qarkore e cila i këshillonte hierarkët demokratë që ti shmangnin ballafaqimet dhe debatet me emisione dhe gazetarë të këti kalibri.

Por ky qëndrim ka hasur në reagimin e menjëhershëm të dy gazetarëve, njërit që njihet si nga kritikët më të mdhenjë të Bashës, Mero Baze dhe tjetrit që deri më tani konsiderohej si mbështetës i tij, Alfred Lela.

Baze që përmendet me emër dhe mbiemër në qarkore si gazetari i Ramës, përkrah Skënder Minxhozit dhe Sokol Ballës e ka konsideruar këtë si një autogol të liderit democrat që njësohet me kryeministrin në renditjen e gzetarëve armiq.

“…me këtë listë, i bie që Rama i ka gazetarët kritikë “në gryk të pushkës”, por ky i ka “në grykë të topit” shkruan mero baze që shikon këtu edhe një lëvizje të gabuar taktike:“kjo “qarkore” tregon dhe sa budalla dhe dëshpërues është për opozitën ky njeri. Kur vendos të vish në pushtet, gjithë energjitë shpenzohen se si të bëhesh miqësor me të gjithë, si të bëhesh i pranuar, si të demonstrosh aftësinë për pajtim dhe ndryshim dhe jo si të bëhesh si një plakë e çmendur që zë me gurë këdo që kalon në sokak. Letra është një ilustrim i paranojës, frikës dhe urrejtjes, që ai ka për këdo, që nuk e ka nën kontroll”.

Edhe Alfred Lela është dakord me Bazen në pikën e shpalljes së gazetarëve armiq: “me këtë anatemë ndaj medias dhe gazetarëve dëshmon se ti je njëlloj me Ramën, veç ke më pak ngjyra se ai” i shkruan ai Bashës. Por rasti i tij është pak më i ndryshëm. Portali Politiko.al që ai drejton nuk përmendet me emër në qarkoren e PD-së, por aty nënkuptohet se ai bën pjesë në ata që janë konvertuar pas politikës së shkopit dhe karotës që aplikon kryeministri. “Kjo strategji antiopozitare përfshin portalet e njohur në publik për qëndrimet kritike ndaj Qeverisë dhe që, deri para pak muajsh, në linjën e tyre editoriale ishin në përkrahje të plotë të vendimeve të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Strategjia e financimit të këtyre portaleve nga Edi Rama bëhet me kushtin që ato të ruajnë dukjen kritike të Qeverisë- për të krijuar perceptimin e gabuar të një portal opozitar- dhe të shtojnë akuzat, lajmet e rreme, gjysëm të vërtetat dhe mashtrimet kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, duke sajuar “probleme” apo duke bërë pseudo-analiza me fakte të shtrembëruara. Qëllimi është për të goditur dhe ulur besueshmërinë e Partisë Demokratike, në mënyrë që të krijojnë perceptimin e gabuar se “të gjithë janë njësoj” thuhet në qarkore.

Dhe mbi këtë aluzion është përgjigjur Lela që e ka konsideruar këtë si një metotë të kopjuar nga Berisha. “Unë e kuptoj këtë strategji të Bashës dhe e ka të marrë borxh nga Berisha, se ai nuk mendon dot në kokë të vet: ata që nuk janë plotësisht ushtarë dhe në rresht, nuk janë tanët se nuk janë shërbëtorë të plotë, kështuqë është më mirë t’i shpallim kundërshtarë dhe t’i fusim në rradhët e armiqve politikë. Të djathtët që guxojnë të mos mendojnë si ata, janë më pak shqetësues nëse nuk pranohen si të djathtë dhe futen te mercenarët dhe armiqtë” shkruan ai./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne