“Qëllimi i Turqisë, e ardhmja e sigurt e vëllezërve sirianë”

Që nga fillimi i krizës në Idlib të Sirisë, Ankaraja asnjëherë nuk ka qenë në anën e konfliktit dhe dhimbjeve dhe qëllimi i saj i vetëm ka qenë të kontribuojë në një të ardhme të sigurt dhe paqësore për Turqinë dhe vëllezërit sirianë, tha nënpresidenti turk Fuat Oktay.

Duke folur në një ceremoni të ndarjes së çmimeve në kuadër të Kongresit Ndërkombëtar të Bioteknologjisë në Ankara, Oktay tha se Turqia ka kaluar nëpër periudha gjatë të cilave ka bartur vetë barrën e krizës në mënyrë që kriza në rajon të zgjidhet dhe të sigurohen kufijtë, duke mos marrë mbështetjen e duhur as nga komuniteti ndërkombëtar, as nga shtetet pjesëmarrëse në marrëveshjet e arritura.

Sipas tij, Turqia sërish ishte e vetme në përpjekjen e saj për të parandaluar vrasjen e civilëve në rajonin e Idlibit.

“Ne u kundërpërgjigjëm ndaj sulmeve kundër ushtarëve tanë heroikë, ndërsa nga ana tjetër përshpejtuam përpjekjet tona për zgjidhje politike përmes diplomacisë. Që nga fillimi i krizës, Turqia asnjëherë nuk ishte në anën e dhimbjeve, konfliktit dhe luftës. Qëllimi ynë i vetëm ishte të kontribuojmë për një të ardhme të sigurt, paqësore dhe të begatshme për ne dhe për vëllezërit tanë sirianë”, theksoi nënpresidenti turk.

“Kjo qasje e jona gjendet edhe në themelet e marrëveshjes së arritur gjatë vizitës së presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan) në Rusi”, shtoi Oktay, duke shprehur besim që kjo marrëveshje të kontribuojë në paqe.

Ai tha se Turqia pret që të gjitha palët t’i përmbushin angazhimet e tyre dhe shtoi se vendi i tij nuk do të ngurrojë të ballafaqohet në mënyrë edhe më të vendosur atyre që do të shkaktonin një gjakderdhje tjetër.

Të enjten, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin ranë dakord për një armëpushim të ri në Idlib, i cili hyri në fuqi që nga orët e para të së premtes.

Sipas marrëveshjes, të gjitha aktivitetet ushtarake do të përfundojnë në Idlib, me krijimin e një korridori të sigurisë 6 kilometra në veri dhe jug të autostradës kryesore M4.

Sipas marrëveshjes, patrullimet e përbashkëta turko-ruse do të fillojnë më 15 mars përgjatë autostradës M4 nga vendbanimi Trumba, 2 kilometra në perëndim të Sarakibit, deri në vendbanimin Ain al-Havr.

Turqia filloi Operacionin “Mburoja e Pranverës” më 27 shkurt pasi 36 ushtarë turq ranë dëshmorë muajin e kaluar pas një sulmi ajror të regjimit të Asadit në provincën Idlib dhe pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimeve të mëparshme. Sipas marrëveshjes së vitit 2018 me Rusinë, trupat turke gjenden në Idlib për të mbrojtur civilët nga sulmet e regjimit dhe aleatëve të tij./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne