Vladimir Kera
Sa për dynjanë, ajo nuk mban në vetvete as begati reale e as dënim të vërtetë; gjithçka që shfaqet në të është pamje e jashtme, maskë dhe dekor.
Në thelb, kupat që u jepen njerëzve duken të barabarta, por në realitet vetëm lodhja është e përbashkët për të gjithë. Sepse dallimi nuk buron nga ajo që njeriu zotëron apo humb, por nga mënyra se si qëndron përballë asaj që i jepet.
Dynjaja është skenë prove, jo gjykim përfundimtar. Ajo është vendi ku shfaqen qëndrimet, sepse shpirtrat nuk u ndanë kurrë nga pasuria apo varfëria, nga lehtësia apo vështirësia, por vetëm nga pozicioni i brendshëm që mbajtën ndaj tyre. Nuk ishte e qeshura apo loti që i dalloi, as fati i dukshëm, por kuptimi që i dhanë asaj që po jetonin.
Çdo gjë që shohim është teatër: role që ndërrohen, kostume që mashtrojnë syrin. Njëri shfaqet si mbret e tjetri si lypsar; njëri si i ngopur e tjetri si i privuar. Por kjo është vetëm skena e jashtme, iluzioni i madh i kësaj bote, ku vlerat maten me pamje dhe jo me peshë reale.
Ndërsa pas perdes, në skenën e zemrave dhe në thellësinë e së vërtetës, këto ndarje të rreme nuk ekzistojnë. Atje nuk ka shtypës e të shtypur sipas pamjes, as të ngopur e të privuar sipas pasurisë; ka vetëm drejtësi absolute dhe matje të saktë sipas ligjeve që nuk lëkunden. Aty vlerësohet qëndrimi: durimi, mirënjohja dhe përulësia, ose përkundrazi, mendjemadhësia, shpërdorimi dhe padrejtësia.
Në këtë thellësi të padukshme, Zoti ushtron drejtësinë e Tij të fshehtë: Ai e ngushëllon të privuarin me qetësi të brendshme, ndriçon ndërgjegjen e atij që nuk sheh me sytë e zemrës, forcon zemrat e të dobëtëve dhe shoqëron të vetmuarit. Njëkohësisht, Ai e zbraz nga kuptimi luksin e të shfrenuarit, ua errëson shikimin e brendshëm atyre që u mashtruan nga bollëku dhe ua kthen rehatinë në ankth atyre që e përdorën dynjanë pa përgjegjësi.
Këto janë shenjat e hershme: paralajmërime të fshehta dhe përgëzime të brendshme; frymëra që burojnë ose nga Xhehenemi, ose nga Xheneti. Janë prova që i paraprijnë Ditës së Zbulimit, ditës kur iluzionet do të bien, perdet do të grisen dhe vlerat do të maten jo sipas asaj që u duk, por sipas asaj që u qëndrua.
Njerëzit e urtësisë arrijnë qetësi sepse e kanë kuptuar këtë realitet me mendje. Njerëzit e Zotit arrijnë qetësi sepse i janë dorëzuar Atij me besim dhe e kanë parë çdo ndodhi si drejtësi hyjnore. Ata i bashkuan dy qëndrime të larta: kuptimin dhe dorëzimin. Prej tyre lindi një qetësi e tretë; qetësia e jetës së tërësishme.
Ndërsa njerëzit e pakujdesisë, të mashtruar nga pamja, vazhdojnë të luftojnë për iluzionin: për pasurinë, pushtetin, epshin dhe tokën. Dhe në fund, nuk mbledhin veçse brenga, barrë dhe zbrazëti; uri që nuk ngopet dhe etje që nuk shuhet kurrë.
Prandaj, mos shiko çfarë ke në dorë, por shiko çfarë qëndrimi mban, sepse aty bëhet dallimi i vërtetë.
—
Në foto: Edward Said (1935–2003), intelektual i kalibrit të lartë, në mbështetje të rezistencës palestineze. /fb
















