A do qëndrojë Turqia në NATO? Dalja e saj mund të çojë në shpërbërjen e Aleancës

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe aleatëve të saj të NATO-s morën një kthesë për keq këtë javë pasi ndihmësi kryesor i Presidentit Erdogan njoftohet se këshilloi parlamentin që të rishqyrtojë anëtarësimin e Ankarasë në aleancë. Yunus Soner, zëvendëskryetar i Partisë Vatan të Turqisë, tha  se dalja e vendit të tij nga aleanca perëndimore është praktikisht e pashmangshme.

Pasojat vazhdojnë që nga stërvitja skandaloze e NATO-s në Norvegji javën e shkuar, ku presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe themeluesi i Turqisë, Mustafa Ataturk u ekspozuan në një poster si “armiq”. Të hënën, Yalçin Topçu, një këshilltar kyç i presidentit, u kërkoi ligjvënësve të rishqyrtojnë anëtarësimin e Turqisë në bllokun mbrojtës.

Duke folur për Turqinë, Yunus Soner, nënkryetar i partisë nacionaliste të majtë, Partia e Vatanit, tha se çështja e daljes së vendit të tij nga NATO është shumë e vonuar dhe se “Turqia tashmë e ka filluar procesin”.

“Një shembull i kësaj është fakti se Ankaraja kundërshtoi referendumin e mbajtur në Kurdistanin e Irakut, jo në kuadrin e NATO-s, por në koordinimin e përgjithshëm me Rusinë, Iranin dhe Irakun”, shpjegoi politikani. “Një shembull tjetër i tërheqjes së Turqisë nga NATO është politika e tij me Sirinë, e cila nuk përputhet me strategjinë e NATO-s, por është përcaktuar në procesin e negociatave me Rusinë, Iranin dhe indirekt me vetë Sirinë”, shtoi ai.

Një tjetër shembull, sipas Soner, është fakti se në kulmin e krizës së Katarit, Ankaraja kundërshtoi propozimet amerikane për formimin e një NATO-je myslimane sunite. Për më tepër ai tha se Turqia tashmë ka alternativa të qarta në sferën e bashkëpunimit të mbrojtjes, veçanërisht në Rusinë dhe Kinën.
“Shkurt, pavarësisht ndërveprimit të vazhdueshëm midis Turqisë dhe NATO-s në sferat ushtarake dhe teknologjike, politika e jashtme e Turqisë nuk është më e përcaktuar nga anëtarësimi i saj në aleancë,” theksoi Soner. “Prandaj, pyetja nëse Turqia mund të tërhiqet nga NATO-ja ka humbur vlefshmërinë e saj,” shtoi ai.

Sipas politikanit, “momenti më i rëndësishëm dhe i vlefshëm në këtë proces largimi nga NATO është jo vetëm ndjekja nga Ankaraja e një politike të jashtme të pavarur, por edhe pastrimi i elementeve të NATO-s brenda forcave të armatosura turke, diçka që zyrtarët amerikanë e kanë ditur vazhdimisht dhe ekanë ndjekur me shqetësim të madh “.

Sa për shpjegimin e zyrtarëve të NATO-s se materialet skandaloze në stërvitjen në Norvegji ishin punë e një kontraktori të pavarur civil dhe jo nga punonjësit e NATO-s, Soner tha se kjo çështje nuk mund të fshihet thjesht pas një gabimi teknik. Përkundrazi sugjeroi ai, ajo duket më shumë si një provokim i drejtpërdrejtë nga NATO dhe SHBA. Ai është një tregues i hendekut në rritje në marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleancës. Politikani vuri në dukje se sot në Turqi ka pak zëra mbështetës për anëtarësimin e vendit në aleancë, por edhe ata që janë nuk japin argumente bindës për pozicionin e tyre. “Klima politike sot në Turqi është kundër idesë së bashkëpunimit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara,” tha ai.

Në fund të fundit, politikani i Partisë Patriotike theksoi se një dalje e mundshme e Turqisë nga NATO mund të çonte në rrëzimin e aleancës. “Turqia tashmë ka alternativa të mëdha, të tilla si bashkimi me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait”, tha ai. “Anëtarësimi i saj në këtë organizatë do të sjellë përfitime të mëdha për të dyja palët. Kështu, duke u tërhequr nga Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe duke u bashkuar me strukturat e Euroazisë, Turqia mund të ndihmojë të çojë Euroasinë në një nivel të ri”.
“Distancimi i Turqisë nga NATO ka zbuluar një ndarje brenda aleancës. Në fund të fundit jo vetëm Turqia por edhe një numër i konsiderueshëm i vendeve evropiane po distancohen nga blloku i mbrojtjes”, vuri në dukje Soner.

“Marrëveshja e fundit për krijimin e një pakti të përbashkët mbrojtës midis shteteve evropiane thjesht konfirmon këtë proces centrifugimi midis vendeve anëtare të NATO-s”, shpjegoi politikani. “Disa anëtarë të NATO-s janë të shqetësuar për aktivitetet e aleancës në Ukrainë. Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca janë jashtëzakonisht të shqetësuar për qëndrimin e Uashingtonit ndaj Iranit. Pas një kohe të gjatë, të gjitha këto vende do të bashkohen me Turqinë në kërkim të një sistemi të ri të sigurisë dhe në fund të fundit Shtetet e Bashkuara do të mbeten vetëm në aleancën që krijuan. Orientimi i zhvendosur i Turqisë do të hapë rrugën për ndryshime thelbësore “.

Nga ana e tij, Cahit Armagan Dilek, drejtor i Institutit Turk të Shekullit të 21 me qendër në Ankara tha se ndërsa e folura mbi një tërheqjeje të Turqisë nga NATO mund të duket e nxituar, Ankaraja duhet ti përqendrojë energjitë e saj në pezullimin e operacioneve të aleancës në territorin turk .

“Është e nevojshme të veprohet hap pas hapi”, theksoi Dilek. “Së pari: ngrijnë aktivitetet e SHBA-së dhe NATO-s në bazat ushtarake turke. Se dyti në përputhje me reagimin nga njëra anë, mund të jetë e mundur revokimi i lejes për vendosjen e kontigjenteve ushtarake të huaja në bazat turke dhe të kërkohet që çdo kontigjent që tashmë është dislokuar të largohet. Nëse këto hapa nuk kanë efektin e dëshiruar, baza e Incirlikut mund të mbyllet plotësisht për përdorim nga SHBA-ja”. Masat e tjera, sipas analistit mund të përfshijnë pezullimin e misionit detar të NATO-s kundër emigrimit ilegal në Detin Egje, me kërkesën e Ankarasë që anijet të lënë ujërat e saj territoriale. “Përsa i përket drejtimit sirian, mund të kryhen operacione për të kapur armët dhe municionet që u janë shpërndarë elementëve kurdë të YPG-së nga Amerika. Turqia mund të kryejë një operacion për të goditur depot e armëve dhe bazat e YPG-së në lindje të lumit Eufrat, ku SHBA rregullisht dërgon armë dhe merr pjesë në trajnimin e ushtarëve me qëllim të formimit të një ushtrie të rregullt kurde”./ Gazeta Impakt

burimi:sputnik

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne