Qeveria bllokon pagesat dhe fondet e Bashkisë Shkodër

Qytetarët e Shkodrës nuk do të mund të marrin dot asnjë shërbim nga Bashkia Shkodër. Përmes një vendimi në shkelje të ligjit, qeveria ka vendosur të bllokojë likujdimin e çdo pagese të kryer nga Bashkia, përfshirë pagesat me fonde të vetë bashkisë.

Vendimi u bë i ditur dje nga Kryebashkiakja Voltana Ademi përmes një letre drejtuar Ministres së Financave Denaj dhe përfaqësive të huaja në vend. Sipas Ademit, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit e ka njoftuar se:

“….sipas ligjit ….. kryetares së bashkisë i mbaron mandati më 20 gusht ora 16:30, sipas orarit zyrtar, për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak që duhet të zgjidhë problemin.”

Pas këtij urdhri, Drejtoria e Thesarit në Shkodër ka bllokuar likujdimin e çdo fature të Bashkisë duke bllokuar kështu dhënien e shërbimeve për qytetarët.

Drejtoria e Thesarit është institucion publik në varësi të Ministrisë së Financave dhe nuk ka asnjë kompetencë në përcaktimin e fillimit apo mbarimit të mandatit të një përfaqësuesi të zgjedhur me votë.

Fillimi dhe mbarimi i mandatit të një përfaqësuesit vendor, në ketë rast Kryebashkiakes Ademi përcaktohet sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, neni 60 pika 4:

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Ligji nuk i jep asnjë kompetencë Këshillit Bashkiak për veprime të mëtejshme./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne