Qeveria dhe rebelët pajtohen që ta shndërrojnë Sudanin në “shtet laik”

Qeveria e Sudanit ka arritur marrëveshje me një udhëheqës rebel, duke vendosur kushtet që fraksioni i tij të njohë marrëveshjen e paqes të nënshkruar me grupet rebele në fillim të kësaj jave.

Shndërrimi i Sudanit në një shtet laik është fokusi kryesor i marrëveshjes së nënshkruar dje mes kryeministrit Abdallah Hamdok dhe udhëheqësit të Lëvizjes për Çlirimin e Popullit të Sudanit – Veri (SPLM-N), Abdul Aziz Alhilu.

Sipas marrëveshjes, Kushtetuta e Sudanit duhet të bazohet në parimin e ndarjes së fesë dhe shtetit dhe të orientohet drejt përfundimit të diskriminimit në vend.

“Sudani është një shoqëri multi-racore, multietnike, multi-fetare dhe multi-kulturore. Njohja e plotë dhe akomodimi i këtyre larmive duhet të afirmohet”, thuhet në dokumentin e deklaratës që i është prezantuar Anadolu Agency (AA).

“Që Sudani të bëhet një vend demokratik ku të drejtat e të gjithë qytetarëve janë të garantuara, Kushtetuta duhet të bazohet në parimin e ‘ndarjes së fesë dhe shtetit’ dhe të respektohet e drejta e vetëvendosjes”, qëndron në dokument.

“Liria e besimit dhe adhurimit dhe praktika fetare do të garantohet plotësisht për të gjithë qytetarët sudanezë. Shteti nuk do të ketë një fe zyrtare. Asnjë qytetar nuk duhet të diskriminohet bazuar në fenë e tij”, thuhet gjithashtu në marrëveshje.

Marrëveshja pritet të sjellë një reagim të fuqishëm nga mbështetësit e ish-sundimtarit sudanez Omar al-Bashir, të cilët kanë mbajtur protesta të shumta kundër asaj që ata e shohin si “dështim dhe korrupsion” të qeverisë kalimtare.

Grupi SPLM-N i drejtuar nga Alhilu është një nga dy fraksionet që hoqën dorë nga marrëveshja e paqes midis qeverisë kalimtare dhe grupeve rebele të nënshkruar të hënën në kryeqytetin Juba të Sudanit të Jugut.

Marrëveshja mundëson pjesëmarrje të rebelëve në institucionet qeveritare, edhe atë 35 për qind të ministrave të kabinetit, 75 vende në asamblenë e ardhshme kalimtare me 300 anëtarë dhe tre anëtarë në Këshillin Sovran të përbërë nga 11 persona.

Marrëveshja gjithashtu propozon një sistem federal për Sudanin dhe u jep autonomi rajoneve të Kordofanit të Jugut dhe Nilit të Kaltër.

Sipas marrëveshjes, rajoni Darfur i cili u nda në pesë shtete, do të ribashkohet në një zonë pas shtatë muajsh dhe do të ketë guvernatorin e vet.

Marrëveshja gjithashtu i jep Darfurit 40 për qind të të ardhurave të tij dhe 20 për qind të mundësive të punësimit në shërbimin civil./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne