Qeveria e Albin Kurtit shtyn afatin për heqjen e pjesshme të taksës ndaj Serbisë

Qeveria e Kosovës këtë javë e kishte planifikuar që të merrte vendim për heqjen e pjesshme të tarifës ndaj produkteve serbe e boshnjake, duke e zyrtarizuar atë që Albin Kurti e kishte thënë në konferencë për media më 27 shkurt. Por, duket se për këtë propozim të kryeministrit s’ka konsensus as mes partnerëve të koalicionit. Zyra e Kryeministrit i ka thënë Gazetës Express se Albin Kurti do të vazhdojë të kërkojë unanimitet në Qeveri për këtë çështje. Hesapet rreth vendimit i ka rënduar edhe Serbia që e vazhdoi fushatën për tërheqje të njohjeve.

Taksa e vendosur nga Qeveria Haradinaj po vazhdon që të mbetet problem për rifillim të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Paralelisht me të, Serbia është duke vazhduar me fushatën e çnjohjeve.

Serbia po kërkon heqjen e taksës e Kosova që Serbia ta ndalë këtë fushatë. Pikërisht kjo kishte qenë edhe një nga kushtet që Albin Kurti i vuri presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, në mënyrë që në qeveri të Kosovës të merrej vendim për tërheqje të taksës vetëm për lëndën e parë. Kjo pastaj do të çonte në tërheqje graduale të kësaj mase.

Mirëpo, Kurti kishte paralajmëruar se në rast se nuk do të ndalej fushata e Serbisë, për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike e nuk ndalej fushata për njohjet, nga data 1 prill në qeveri të Kosovës do të merrej vendim që të zbatohej reciprociteti i plotë, gradualisht.

Pika e katërt që Kurti e prezantoi në paraqitjen e tij para mediave me datë 27 shkurt, do të vihet në jetë, për arsye se shteti serb pak ditë më vonë njoftoi se Siera Leone e ka tërhequr njohjen.

Rrjedhimisht, në mbledhjen që është mbajtur sot nuk është propozuar heqja e taksës për lëndën e parë.

Gazeta Express ka pyetur në zyrë të kryeministrit, nëse do të ketë vendim të qeverisë për heqje të pjesshme të taksës edhe pasi që Serbia e ka vazhduar fushatën, si dhe nëse do të vazhdohet me masë të reciprocitetit ashtu si ishte paralajmëruar.

Në qeveri kanë deklaruar se kryeministri Albin Kurti do të shtyjë afatin për heqjen e pjesshme të taksës pa dhënë afat të ri.

“Kryeministri Albin Kurti po dëshiron që të japë ende kohë për miratim sa më unanim të qëndrimit të tij të bërë publik ku kombinohen reciprociteti gradual me heqjen graduale të tarifës”, kanë deklaruar për Gazetën Express nga zyra e kryeministrit.

Ky veprim pritet të acarojë edhe më shumë raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA’së që po kërkon heqje të menjëherhsme të taksës.

I pari i qeverisë kishte deklaruar se gjatë kësaj jave do të merrej vendim që prej datës 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja.

Kurti kishte kërkuar nga Serbia që këtij vendimi t’i përgjigjeshin me ndalje të fushatës, kështu që prej datës 1 prill të hiqej tarifa tërësisht.

Në të kundërtën, kryeministri kishte paralajmëruar se do të vazhdohej nga 1 prilli me reciprocitet të plotë, ekonomik, tregtar e politik.

“Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

Çështja e heqjes së pjesshme të taksës nuk ka arritur që të sigurojë unitet te kabineti qeveritar, pasi që Lidhja Demokratike kanë insistuar që të bëhet heqja e plotë, e jo vetëm e pjesshme. Në anën tjetër, presion të njëjte janë duke bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas lajmit se Siera Leone e ka tërhequr njohjen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar edhe përmes një shkrimi në Tëitter, duke shkruar se Kosova ka treguar vullnetin e mirë duke propozuar heqjen e taksës, megjithatë, Serbia është duke vazhduar fushatën për çnjohjen.

“Ne nuk jemi pengesa në rrugën e dialogut dhe nuk kemi qenë kurrë. Ne bëmë një hap përpara, ata bënë edhe një hap prapa. Pse?”, ka shkruar Kurti./GazetaExpress/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne