Qeveria e Kosovës ndau 10 milionë euro kundër koronavirusit

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar një plan për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit.

Siç njofton komunikata nga Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është rekomanduar për Qeverinë e Kosovës që të ngritet niveli i gatishmërisë dhe është aprovuar “Plani për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit së bashku me Planin e veprimit”.

Kostoja e këtij plani kap shifrën mbi 10 milionë euro.

“Vendimi obligon Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe institucionet tjera relevante, të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij plani”, shkruan në komunikatë.

Kabineti qeveritar ka konstatuar se kërcënimet nga shtrirja e këtij virusi në Kosovë janë rritur për shkak të shtrirjes së tij në vendet fqinje, por që “në situatën tonë aktuale nuk ka vend për kurrfarë paniku se të gjitha rastet e testuara deri tani te ne kanë rezultuar negative”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se deri më tani, në laborator janë testuar mbi 60 raste të dyshimta që kanë rezultuar negative”.

Ndër të tjera Qeveria në mbledhjen e zhvilluar sot ka miratuar gjithashtu edhe Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020. Projektligji parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne