Qeveria e re e Kosovës taksën do ta zëvendësojë me reciprocitet

Taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin, nga qeveria e re e Kosovës pritet të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

Kështu paralajmërojnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve ngaSerbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1,2 milionë euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, që nga vendosja e taksës, vlera e importeve nga këto shtete ka rënë për 99 për qind. Por, nuk dihet saktë se sa është vlera e produkteve nga Serbia, të cilat nga shtetet e tjera, posaçërisht nga Maqedonia duke u ripaketuar hyjnë në Kosovë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka thënë si në fushatë ashtu edhe pas saj se tarifën 100 për qind do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve reciproke me Serbinë.

*

Kurti tregon për prioritetet e bashkëpunimit me Shqipërinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se në qeverisjen e ardhshme do të angazhohen që me Shqipërinë të ketë komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë.

Kurti gjithashtu ka thënë se me Shqipërinë do të angazhohen të kenë edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve, një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët.

Kurti këto komente i ka bërë gjatë takimit me kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Shqipëri, Shpëtim Idrizi.

“Kurti foli për marrëdhëniet e reja në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në kuptimin që 50 marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve nuk do të mbeten në letër, por do të zbatohen sa më parë. Fitorja e Lëvizjes i jep kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitetdhe këtë po e ndjejnë shqiptarët kudo që janë”, thuhet në njoftim.

*

Preken me alergji zyrtarë të KQZ-së gjatë verifikimit të zarfeve me vota nga Serbia

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë të dielën, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat nga Serbia u është shfaqur alergji në duar.

Nëntë persona janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe Klinika Infektive, kanë njoftuar se nëntë zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, kishin kruarje të intensitetit të ulët dhe se gjendja e tyre është stabile.

Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani u ka thënë mediave se në Klinikën Infektive, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë dhe dy nga to kanë patur edhe vjellje.

“Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese, janë paraqitur tek mjekët së pari dhe pastaj në Klinikën Infektive. Ekipet kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore“, ka thënë ai.

Drejtori në vazhdim ka thënë se pas analizave, rezultatet laboratorike presin kohën e vet kur e kanë të përfundojnë nga 24 deri 48 orë.

Procesi për votat e ardhura nga Serbia është vendosur të suspendohet për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi pakove nga Forenzika. Votat e ardhura nga Serbia ishin të vendosura në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës, ku është i vendosur shërbimi votues.

*

Serbët thonë se është kurdisje

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq si dhe Lista Serbe, pas lajmit për shkaktimin e alergjisë nga zarfet e ardhur nga Serbia, thanë se kjo është tendencë për të paralajmëruar opinionin vendas dhe ndërkombëtar se po përgatitet manipulimi i votave serbe në Kosovë.

Sipas tyre, kjo gjë ka për qëllim të dëmtojë vullnetin e popullit serb.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhet në reagim.

*

Lista serbe i ka vjedhur votat, sipas partisë së Jabllanovic

Partitë Serbe që funksionojnë në Kosovë kanë filluar të akuzojnë njëra–tjetrën për vjedhje votash në zgjedhjet e 6 tetorit. Lista Serbe ka akuzuar Partinë e Serbëve të Kosovës që udhëhiqet nga Aleksander Jabllanoviq.

E partia e Jabllanoviqit, i është kundërpërgjigjur duke thënë se metodat kriminale për vjedhje të votave dhe shantazhim të njerëzve janë të panjohura për Partinë Serbe të Kosovës.

Tutje është thënë se Lista Serbe ka vjedhur vota me 6 tetor.

*

KQZ thotë se do të ofrohet siguri të mos preket integriteti zgjedhor

Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi gjatë vizitës së vendit ku janë helmuar zyrtarët e KQZ-së, ka theksuar se do të ofrojnë sigurinë maksimale që mos të preket integriteti i procesit zgjedhor. Përveç kësaj, Halimi bëri të ditur se bashkë me votat e ardhura nga Serbia janë edhe zarfe nga shtete të tjera. Derisa tha se KQZ-ja pritet të vendosë se si do të veprohet më tutje me këta zarfe.

“Është çështje e vendimmarrjes së KQZ-së, ju e dini që zarfi përbën material të ndjeshëm. Tashmë është në pronësi të KQZ-së, e cila do të vendosë se si do të veprohet me këtë material të ndjeshëm, por ne jemi të interesuar që të ofrojmë sigurinë maksimale në këtë material dhe mos të ketë prekje në integritetin e procesit zgjedhor”, tha ai.

*

Janë arrestuar katër persona të dyshuar për bixhoz dhe skema piramidale

Katër të dyshuar janë arrestuar dje në Gjakovë për veprën penale organizmin i skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

Nga policia thonë se pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Personat nga njësiti policor janë hasur duke luajtur lojëra fati në një lokal pa emër, pronari i të cilit lokal nuk kishte qenë aty dhe nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë konfiskuar: tre monitor, një server i kamerave, një dreambox, një roter dhe 170 euro para të gatshme që kishin qenë në aparate të lojërave”, thuhet në raportin e policisë.

*

Ambasadori Amerikan në Kosovë ndërlidh rritjen e bimëve me demokracinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në Kosovë, Philip Kosnett, ka bërë një ndërlidhje për zhvillimin e demokracisë në Kosovës. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka postuar dy fotografi ku shihen disa persona në një laborator të bimëve.

“Shndërrimi i bimëve të egra në vajra esencialë është një proces i ngadaltë, i ndërlikuar. Kështu është ndërtimi i demokracisë gjithëpërfshirëse në një vend të ndërlikuar si Kosova. Por suksesi do të sjellë përfitime për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Kosnett.

*

Ish-shefi i Telekomit mbrohet në heshtje

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pasi që ka deklaruar se nuk janë vërtetuar akuzat ndaj tij, ka shtuar se do të mbrohet në heshtje, në rastin ku ai bashkë me ish-drejtuesit e kësaj kompanie publik, Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

“Unë konsideroj se akuzat e prokurorisë deri më tani nuk janë vërtetuar, andaj mbes në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici dhe nuk do shtojë asgjë më tepër. Dëshiroj të hesht në këtë çështje penale”, ka thënë Agron Mustafa.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile, raporton “Betimi për Drejtësi”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne