Qeveria ndan para për komunitetet fetare, ja sa përfitojnë

Komunitetet fetare në vend do të përfitojnë këtë vit 109 milionë lekë mbështetje financiare. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme. Nga 109 milionë lekë të akorduara nga qeveria, pjesën më të madhe, 31 milionë lekë i kalojnë Komunitetit Mysliman që është më i madhi, ndërsa pjesa tjetër komuniteteve të tjera fetare.

VENDIMI
1. Masa e financimit, nga buxheti i vitit 2018, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 680 000 (tridhjetë e një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 11 520 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 80 punonjës të administratës;

ii. 20 160 000 (njëzet milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 140 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 776 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 20 016 000 (njëzet milionë e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 139 punonjës të administratës;

ii. 5 760 000 (pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 776 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 336 000 (gjashtë milionë e treqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 44 punonjës të administratës;

ii. 19 440 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e katërqind e dyzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 135 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç)  Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 768 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 3 744 000 (tre milionë e shtatëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 punonjës të administratës;

ii. 15 024 000 (pesëmbëdhjetë milionë e njëzet e katër mijë) lekë, përkatësisht:

– 12 024 000 (dymbëdhjetë milionë e njëzet e katër mijë) lekë,  për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;

– 3 000 000 (tre milionë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër.

iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë për shkak të pozitës së veçantë si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2018, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj të vitit 2018.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne