Qeveria nuk e ka ftuar OSBE-në për të vëzhguar zgjedhjet e 13 tetorit

Qeveria shqiptare nuk e ka ftuar OSBE-ODIHR-in për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Lajmin e bëri të ditur për Exit një zëdhënës i OSBE-ODIHR-it.

“ODIHR u ftua të vëzhgonte zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe aktualisht po punon për raportin përfundimtar, i cili do të vlerësojë procesin zgjedhor në tërësi dhe do të ofrojë rekomandimet përkatëse. Aktualisht ODIHR nuk është ftuar nga Shqipëria për të vëzhguar zgjedhje të tjera.”

Raporti paraprak i OSBE-ODIHR arriti në përfundimin se zgjedhjet vendore të 30 qershorit “u zhvilluan pa marrë parasysh interesin e elektoratit”.

Presidenti Meta dekretoi datën 13 tetor si datë për zgjedhjet vendore më 27 qershor, me dekretin Nr 11211, pasi anuloi datën 30 qershor. Por si qeveria, ashtu dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e pranuan dekretin e anulimit të 30 qershorit dhe i zhvilluan zgjedhjet.

Javët e fundit, disa prej partive opozitare i kërkuan KQZ-së t’i regjistrojë për zgjedhjet e 13 tetorit, por deri më tani KQZ nuk e ka pranuar kërkesën e tyre.

Nëse OSBE-ODHIR nuk do të jetë e pranishme për të vëzhguar zgjedhjet e 13 tetorit, kjo do të jetë hera e parë që prej vitit 1996, që organizata do të mungojë në vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Vitin e ardhshëm Shqipëria pritet të marrë presidencën e OSBE-së. në qershor, zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj deklaroi se “Shqipëria do të marrë kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 e frymëzuar nga ndenja e përgjegjësisë dhe e shtyrë nga vendosmëria për t’i kontribuuar sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit tonë dhe përparimit të popujve tanë.”/ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne