Nga Artur Shkurti
Drejtor, “Udha e shkronjave”
Tiranë, 16 qershor 2026
Zoti i madh vendin tuaj
e bëri për ju të tërë,
për fqinj e për të huaj
s’e ka bërë! s’e ka bërë!
NAIM FRASHËRI
“Histori e Skënderbeut”
Ne të mos heqim dorë kurrë nga plakoni e Strabonit, nga pleqësia, të cilën e kemi ruajtur edhe gjer më sot, se kurdoherë pleqësija urdhëron në Shqipëri.
Pleqësija t’urdhëronjë e të mbretëronjë gjithënjë.
SAMI FRASHËRI
“Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”
Nëse njerëzit që e duan Shqipërinë dhe janë ngritur në protestë, nuk vënë në lëvizje kreativitetin, përkushtimin, diturinë për komunitetet dhe t’i gjallërojnë ato sipas një koncepti plotësisht ligjor, atëherë do të shohin riprodhimin e Kartelit me fytyrë tjetër.
Komunitetet zgjedhin përfaqësues
përmes bordeve të prindërve të shkollave dhe të universiteteve (pedagogë/studentë)
Nuk ekziston grup tjetër më përfaqësues jopolitik sesa bordet e prindërve të shkollave. Ato janë hapur njëtrajtësisht në të gjithë territorin dhe fare mirë e njohin komunitetin dhe qytetin dhe kanë një organizim në bazë të ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” dhe Urdhrit 31. Për efekte të ngritjes së Qeverisë Teknike, të gjitha duhet të kalojnë në rizgjedhje të kujdesshme dhe me njoftim 100% të prindërve. Ato mund të zgjedhin saktë njerëzit më profesionalë dhe me integritet. Bordet krijohen në shkollat që kanë mbi 300 nxënës, për efekte praktike të besueshmërisë dhe kontrollit të opinionit publik, por edhe menaxhim të kohës dhe energjive. Shkollat më të vogla, me dakortësinë e tyre u ngjiten bordeve të shkollave mbi 300 nxënës. Shkolla (drejtori + staf) e ka detyrim ligjor të vërë në dispozicon mjediset dhe kontaktet e të gjithë prirndërve për krijimin e bordit të prindërve konform ligjit 69/2012. Pasi jep ndihmën për krijimin e bordeve, shkolla nuk ka asnjë autoritet mbi bordin e prindërve. Nga çasti i krijimit në bazë të ligjit, bordi me vullnet shkëputet të zgjidhë detyra që janë jashtë fokusit të ligjit për interes kombëtar. Bordi i shkollës krijohet me logjikën për çdo 10 nxënës një anëtar bordi. Pra në një shkollë me 300 nxënës do të ketë 30 anëtarë dhe në një shkollë me 1000 nxënës do të ketë 100 anëtarë.
Bordet komunitare të shkollave dhe universiteti
Çdo bord i prindërve të shkollës dhe çdo bordi i universiteteve (studentë pedagogë) zgjedhi nga komuniteti që njohin 10 figura përfaqësuese që plotësojnë dy kritere: janë profesionistë të zotë dhe kanë integritet.
Secili përfaqësues i zgjedhur bëhet anëtar/delegat i një prej 10 asambleve kombëtare profesionale/sektoriale, nga do të dalin edhe propozimet për 10 ministrat kryesorë të Qeverisë Teknike. Kujdes maksimal tregohet në shmangien e figurave politike të partive të Kartelit Politik PD-PS-LSI-Mundësi etj. Bordi mund të zgjedhë edhe nga vetja, por kryesisht zgjedh nga komuniteti. Bordet shmangin dublimin. Nëse i njëjti person zgjedhet nga dy borde prindërish, personi vetë zgjedh cilin bord do të përfaqësojë dhe bordi tjetër që mbetet pa përfaqësues e zëvendëson atë emër.
Struktura e 10 përfaqësuesve të çdo bordi
të cilët hyjnë në Asambletë Kombëtare Sektoriale
1. Mësues/pedagog/psikolog me integritet.
2. Mjek me integritet
3. Jurist me integritet
4. Inxhinier/arkitekt/specialist mjedisi me integritet
5. Ushtarak me integritet
6. Historian/politikan/studiues/filozof etj. me integritet
7. Financier/kontabilist/ekonomist me integritet
8. Artist/krijues/operator turistik me integritet.
9. Agronom/zooteknik/studiues i fushës me integritet.
10. Sportist apo specialist i sportit me integritet.
Personat zotohen se me dituritë, aftësitë e veta dhe nderin e vet do të përfaqësojnë interesin më të lartë kombëtar në sektorin përkatës, do të tregohen bashkëpunues me çdo përfaqësues tjetër të zgjedhur kudo në Shqipëri.
Asambleja Kombëtare Sektoriale
1. Asambleja e Arsimit dhe e Universiteteve
2. Asambleja e Sistemit Shëndetësor dhe Mirëqënies
3. Asambleja e Forcave të Armatosura (Mbrojtje, Rend)
4. Asambleja e Rinisë dhe Sporteve
5. Asambleja e Sistemit të Drejtësisë
6. Asmableja Mjedis, Ndërtim, Infrastrukturë, Energjisë
7. Asambleja e Politikës së Jashtme
8. Asambleja e Ekonomisë dhe Financave
9. Asambleja e Kulturës, Arteve, Trashëgimisë
10. Asambleja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit rural
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare Sektoriale
Secili anëtar i zgjedhur nga bordet e shkollave dhe të universiteteve, ka marrë një mandat përfaqësimi, me shkresë të firmosur për vetëm një nga Asambletë Kombëtare Sektoriale. Një Asamble Kombëtare Sektoriale do të këtë të paktën 300 anëtarë. Mendohet që në rang Republike, do të krijohen të paktën 300 borde shkollash dhe universitetesh që do të sjellin të paktën 3000 përfaqësues në tërësi ose të paktën 300 përfaqësues. Asambleja Sektoriale cakton Komisionin e verifikimit të Mandateve. Më pas fillon diskutimet për konceptimin e një Asambleje Kombëtare të Diasporës për sektorin përkatës me shtrirje globale, për tërheqjen e mendimit të kualifikuar të Diasporës. Në përfundim të dy Asambletë bashkëpunojnë për të paraqitur listë me të paktën 10 kandidatura për Ministrinë Përkatëse. Të dhjetë asambletë standardizojnë procedurat me njëra-tjetrën përmes shkëmbimit komunikimit.
Për çdo kandidaturë asambleja verifikon dhe miraton CV-në e personit të propozuar. Propozimet Asambleja i bën publike dhe pastaj ia paraqet propozimin zyrtar Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit Parlamentar që mbulon sektorin dhe kryetarëve të grupeve parlamentare politike, për të marrë vendimet konform Kushtetutës.
Detyrat e Qeverisë Teknike
Përgatitja për Zgjedhjet e Reja, pas forcimit të institucioneve demokratike, siç janë zgjerimi i mbështetjes dhe lehtësirave për partitë e reja që janë krijuar ose do të krijohen, që do të konkurrojnë në Zgjedhjet e Reja.
Financimin dhe forcimin demokratik e profesional të Asambleve Kombëtare Sektoriale (duke përfshirë dhe diasporën) në atë mënyrë që ato të jenë të afta të orientojnë profesionalisht opinionin publik në sektorët përkatës të shtetit dhe të rikonceptohet ndërtimi i shtetit duke u bazuar jo në konceptin “e majtë” “e djathtë” por në konceptin e interesit kombëtar që mbrohet nga çdo sektor në mënyrë profesionale, ku zgjidhjet mund të jenë herë të majta dhe herë të djathta, apo kombinim kreativ miks.
Propozimet për ndryshime kushtetuese për kuotat profesionale të Kuvendit, për të cilat konkurrojnë vetëm profesionistët e atij sektori në logjikën që Kuvendi të ketë të përfaqësuar profesionalizmin e duhur. (ta zemë 10 vende të rezervuara për mjekët, apo 10 vende për inxhinierët, 10 për mësuesit e pedagogët, 10 për juristët 10 vende për ushtarakët etj.). Detyrë e Qeverisë Teknike është dekurajimi i sistemit të partive “gjithçkabërëse” që s’kanë profesionalizmin e duhur dhe që realisht nuk kanë bërë asgjë veçse kanë shitur Shqipërinë dhe shqiptarët, për interesa të tyre personale duke shtrembëruar e dëmtuar çdo sektor të jetës së vendit. Detyrë e Qeverisë Teknike zbatimi real dhe jo fiktiv i ndërtimit të institucioneve demokratike nga poshtë lart. Ofrimi i propozimeve për ndryshime kushtetuese të rendit demokratik.
Ndryshimi i menjëhershëm i stafit të çdo Ministrie duke depolitizuar këto ministri dhe duke rritur në maksimum profesionalizmin që këshillon Asambleja.
Të tjera në këtë frymë.

















