Kultura Opinion

Qimja e Pejgamberit, mekami i Abaz Aliut dhe Joan Vladimiri me kokën në dorë

Sheikh Adrihusejn Shehu inserts a zarf to the cheek of a member of the sect during the Nowruz ritual in Rufai sects tekka in Prizren, Kosovo.

Olsi Jazexhi

Në historinë e feve në Shqipëri por edhe në botë ka shumë përralla e mite të cilat i janë bashkangjitur feve monoteiste të cilat nuk kanë lidhje me revelatën hyjnore që Allahu i ka zbritur njerëzimit. Përrallat e mitet që u japin njerëzve përmasa hyjnore dhe kthejnë lopë e elefantë në zota nuk gjenden vetëm në fetë pagane sikur janë hinduizmi, budizmi etj, por edhe në fetë monoteiste, pra fetë të cilët besojnë në një Zot të vetëm Kreator të Gjithësisë.

Fetë monoteiste mbështeten në komunikimin e drejtë për drejtë që Zoti ka bërë me njerëzimin nëpërmjet fjalës së shkruar: në Teurat, Ungjill dhe Kuranit. Por ndërsa fetë monoteiste janë tekstualiste dhe mbështeten në komunikimin e Kreatorit me krijesën, në kohë dhe hapësirë, njerëzit kanë zhvilluar versione të këtyre feve të cilat mbështeten në përralla që shkojnë kundër thelbit të revelatës hyjnore i cili synon të vendosë shpirtin e njeriut në lidhje të drejtë për drejtë me Krijuesin e Tij. Mesazhi që Allahu i ka zbritur njerëzimit si në Bibël ashtu edhe në Kuran u tregon njerëzve që Allahu apo sikur ai quhet në Torën samaritane dhe judaike, Elohu është zoti absolut i gjithësisë dhe askush tjetër nuk mund të adhurohet përveç Tij. Në Teurat në librin e Gjenezës Zoti i tregon njerëzimit që Ai, Elohu është Zoti që ka krijuar qiejtë dhe tokën (Gjeneza 1.1). Elohu është një dhe i vetëm dhe askush nuk është si Ai (Deutronomi 4:35). Elohu u përkujton bijve të izraelit që njeriu nuk duhet të adhurojë zot tjetër përveç Atij dhe në adhurimin e njeriut me Zotin nuk duhet të ndërhyjë asnjë krijesë tjetër:

– Nuk do të kesh Zot tjetër përveç meje.

– Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet në qiej ose në tokë ose në ujërat nën tokë.

– Nuk do të përkulesh përpara askujt, nuk do t`i shërbesh askujt, pasi unë, Zoti, Sunduesi yt, jam Zot xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët ë tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë Mua

Eksodi 20: 2-5

E njëjta logjikë ekziston edhe në Kuran. Allahu, Zoti krijues i qiejve dhe i tokës i thotë botës së njerëzve dhe të xhindëve:

Vërtet, Allahu nuk fal që t’i bëhet shok Atij, kurse të tjerat përveç kësaj, ia fal kujt të dojë.

Kuran 4: 48

Allahu nëpërmjet shpalljes që i ka bërë të dërguarëve të Tij i ka kërkuar përgjatë të gjithë historisë njeriut që specia njerëzore të gjithë besimin dhe adhurimin e saj duhet ta përqëndrojë vetëm drejt Zotit Krijues i cili ka krijuar Gjithësinë. Allahu u thotë në mënyrë të vazhdueshme besimtarëve që ai i ka krijuar njerëzit dhe xhindët vetëm që ti falen Atij:

Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër gjë por që të më adhurojnë.

Kuran 51: 56

Allahu i kujton njeriut që ai duhet ti lutet Atij, të lidhet me Atë dhe me askënd tjetër:

E kur roberit e mi te pyesin per Mua, Une jam afer. I pergjigjem lutjes kur lutesi me lutet. Pra per te qene te udhezuar, le te me pergjigjen Mua dhe te besojne te Une.

Kuran 2: 186

Megjithatë, në historinë e feve monoteiste besimtarët shpesh janë larguar nga adhurimi i Zotit dhe kanë përfunduar në idhujtarë. Këtë histori Zoti na e tregon në Teurat librin e Eksodit 32: 1 – 4 dhe në Kuran 7: 152-153 kur çifutët shpikën një viç të cilit nisën ti falen duke menduar se ai ishte Zoti.

Legjendat dhe mitet që janë kthyer në idhujtari kanë qenë prezente edhe në historinë e shqiptarëve. Kisha e Shna Ndout në Laç, varri i Dervish Hatixhesë në Tiranë apo Mekami i Abaz Aliut në malin e Tomorrit psh. janë disa vende ku besimtarët e feve monoteiste që supozohet se duhet të adhurojnë Zotin, Krijues të Gjithësisë janë larguar nga mesazhi origjinal i Bibles dhe Kuranit dhe kanë shpikur ‘lopë’ apo simbole pagane për të krijuar një lidhje të shkurtër me Zotin.

Legjendat e Shna Ndout ku gratë shkojnë në Kishën e tij dhe shpresojnë që të ngelin me barrë, të Dervish Hatixhesë ku luten që dervishja të çohet nga varri dhe t’u bëj derman, apo përrallat e Mekamit të Abaz Aliut dhe Joan Vladimirit për orthodhoksët janë aq jo reale dhe anti-shkencore sa që ato nuk ka asnjë njeri normal që ti besoj. Ndërsa katolikët pretendojnë se në Kishën e Shna Ndout bëhen mrekulli, bektashijtë kanë shpikur mitin e Abaz Aliut sipas të cilit në malin e Tomorrit ka fluturuar me kalë nga Qerbelaja nipi i imam Aliut dhe aty ka lënë gjurmën e tij të cilës bektashinjtë duhet ti falen në mënyrë që t’u heci mbarë. Të njëjtën marrëzi kanë ndërtuar edhe orthodhoksët me mitin e Joan Vladimirit i cili tregohet si një shenjt i cili sikur legjenda tregon – pasi e vrau mbreti bullgar Vlladisllavi – mori kokën e tij të prerë në dorë dhe shkoi në Kishën e tij që të bëj më pas mrekulli për orthodhoksët.

Edhe Islami synit nuk ka ngelur i pa prekur nga mitet dhe legjendat. Ibrahim Manzur Efendiu, agjenti i Napoleon Bonapartit që jetoi në sarajet e Ali Pashait tregon që lebërit në kohën e tij kur konvertoheshin në Islam nuk e bënin këtë konvertim pse vendosnin që të braktisnin trinitetin kristjan për hir të mesazhit monoteist të Kuranit. Konvertimet e tyre lidheshin me legjenda shejlerësh dhe dervishësh, të cilët pretendonin se ishin hedhur dhe kishin fluturuar nga mali ndërsa priftërijtë kishin frikë që të hidheshin nga mali apo të futeshin në furrën e drurëve dhe të dilnin që aty të gjallë. Pra faktori që bënte fshatrat e krishtera të bëheshin muslimanë nuk lidhej me mesazhin e Kuranit të cilin lebërit as që nuk e dinin, por me aftësinë e shehut apo priftit për të fluturuar nga mali apo për t’u futur në zjarr. Ibrahim Manzur Efendiu tregon që lebërit e kohës së tij, kur flisnin për Muhamedin flisnin me një siguri idioti – thua se Muhamedi të ishte ndonjë fshatar i tyre – edhe pse ata nuk dinin asgjë nga Islami dhe pinin raki gjithë ditën me kaurët dhe vidhnin e grabisnin.

Marrëzitë islamike të kohës osmane të cilat janë trashëguar deri në ditët tona, bënin edhe myhipet e tarikateve rrufai të cilët shponin turinjtë me shigjeta dhe shpata për të përkujtuar kështu ditëlindjen e imam Aliut dhe treguar sesa të devotshëm ishin rrufaijtë për të përkujtuar martirizimin e familjes së Aliut. Në këto rituale ku besimtarët gjakoseshin dhe ulërinin Hu e Hu nuk kishte asnjë urdhër nga Kurani dhe as nga vetë imam Aliu.

Pjesë e marrëzive islamike të kohës osmane dhe shqiptariste është edhe shpikja e mitit të Qimes së Pejgamberit. Ky mit pretendon se familja Myftija në Shkodër ka trashëguar nga koha osmane një qime nga mjekra e Profetit Muhamed dhe vit për vit, në mënyrë rituale kjo familje nxjerr qimen e Pejgamerit dhe e çon nëpër xhami dhe teqe ku besimtarët duhet të shkojnë dhe puthin qimen.

Ky ritual qime-puthës jo vetëm që është një bidat i sajuar nga familja Myftija por mbi të gjitha nuk ka asnjë lidhje me Islamin. Shkencërisht askush nuk mund të provoj që qimja që familja Myftija mban në shishe është qime nga mjekra e profetit Muhamed dhe nuk është qimja e ndonjë rrufjani shkodran që e ka futur në shishe për t’u hedhur hi syve injorantëve që nuk kuptojnë dot mesazhin e Teuratit dhe të Kuranit. Probabiliteti shkencor e historik që një familje shkodrane të ketë trashëguar një qime 1450 vjeçare nga mjekra e profetit Muhamed është aq i madh, sa që është edhe pretendimi i Darvinit që njeriu rrjedh nga majmuni apo pretendimi i bektashijve që Abaz Aliu të ketë fluturuar me kalë nga Qerbelaja për në Tomorr apo i orthodhoksëve që besojnë se Joan Vladimiri ka marrë kokën e tij të prerë në dorë rrugëve të Elbasanit. Por edhe sikur kjo qime që kjo familje mban në shishe – të ishte me të vërtetë nga profeti Muhamed dhe të mos ishte sajesë e ndonjë rrufjani shkodran – pyetja që ngrihet është se pse duhet që besimtarët të puthin qimen e Pejgamberit? Personat që kanë lexuar Kuranin e kanë të qartë nga komunikimi që Allahu bën me njeriun, që në këtë tokë nuk ka askënd që duhet të adhurohet përveç Allahut. Allahu i mallkoi çifutët kur ata morrën dhe’ nga gjurma e këmbës së Xhebrailit dhe me atë bënë një viç të cilit i’u falën. Allahu i komunikon njerëzve në mënyrë të vazhdueshme që Muhamedi, Jezu Krishti, Moisiu etj ishin njerëz sikur gjithë të tjerët. Pse profeti Muhamed nuk donte që njerëzit pas tij të adhuronin atë – në vend të Allahut – ai ndaloi çfarë do lloj fotoje të tij dhe jo më që të linte nga pas qimet e tija që të putheshin dhe adhuroheshin nga injorantët e Shkodrës dhe Shqipërisë. Islami dhe Judaizmi janë fe ikonoklastike. Ata nuk besojnë në simbole tokësore si ikona, kryqe, xhybe, qime etj.

Kurani është i qartë për punën e qimes, adhurimin e njeriut nga njeriu etj. Në Kuran Allahu tregon që adhurimi si zot që të krishterët i bënë Jezu Krishtit dhe Trinitetit është mëkat. Ajo që bëjnë muslimanët që puthin dhe adhurojnë qimen e pretenduar të profetit Muhamed, jo vetëm që është një akt i pa kuptimtë, por mbi të gjitha nuk ka asnjë lidhje me Islamin. Rruga (Dini) Islam kërkon që njeriu të adhuroj vetëm Allahun dhe të shkëputet nga çfarë do lloj idhujtarie. Allahu thotë në Kuran:

Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson idhujt, por i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm.

Kuran 2: 256

Besimtarët muslimanë mësohen në Kuran që të mos besojnë në asgjë në këtë botë përveç Allahut, Zotit Krijues. Muslimanët nuk besojnë në natyrë mbi-natyrale të Jezu Krishtit, as të Shën Joan Vladimirit, as të Sari Salltëkut, as të Abaz Aliut, as të Shna Ndout dhe as të Qimes së Pejgamerit. Personat që besojnë se duke shkuar në Shna Ndo, në Sari Salltëk, në Kumlak të Tomorrit, apo ata që shpojnë turinjtë me shtiza apo që puthin qimen e Pejgamberit, janë duke adhuruar sajesa tokësore që nuk kanë asnjë lidhje me mesazhin e Teuratit dhe të Kuranit.

Allahu, Elohu, Adonai, Zoti i Kuranit dhe Teuratit është një zot mbi-natyror i cili i ka kërkuar besimtarëve të Moisiut dhe Muhamedit prej vitesh dhe shekujsh që ata duhet të adhurojnë vetëm Allahun. Kurani është libër komunikimi, ku Zoti i flet dhe e mëson njeriun sesi të lidhet me Zotin.

Muslimanët, të krishterët dhe çifutët që besojnë në komunikimin e Allahut me njeriun duhet të ndjekin urdhërin e Dekalogut që Allahu i ka dhënë Musait a.s. ku Allahu thotë:

– Nuk do të kesh Zot tjetër përveç meje.

– Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet në qiej ose në tokë ose në ujërat nën tokë.

– Nuk do të përkulesh përpara askujt, nuk do t`i shërbesh askujt, pasi unë, Zoti, Sunduesi yt, jam Zot xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë Mua

Eksodi 20: 2-5

Personat që i falen dikujt tjetër përveç Allahut bëjnë idhujtari. Allahu thotë në Kuran:

Allahu nuk fal të adhurohet dikush tjetër përveç Atij. Gjynahet e tjera ai ia fal kujt të dojë. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka bërë një gjynah të tmerrshëm.

Kuran 4: 48

OPINIONE