Rabinët Hebraik Ortodoks: Doni të ndihmoni hebrenjtë, ndiqni shembullin e Presidentit Erdogan; shteti i Izraelit të shpërbëhet

Antisionistët e “Neturei Karta”: Doni të ndihmoni hebrenjtë, ndiqni shembullin e Presidentit Erdogan
Organizata antisioniste “Neturei Karta” ka dhënë një mesazh mbështetjeje dhe solidariteti ndaj Palestinës, por edhe një kritikë e dënim ndaj Izraelit për keqtrajtimin e civilëve palestinezë…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti në takim përfaqësues të Komunitetit Hebraik Ortodoks “Neturei Karta”, të udhëhequr nga kryerabini Elahanan Beck, në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Organizata antisioniste “Neturei Karta” ka dhënë një mesazh mbështetjeje dhe solidariteti ndaj Palestinës, por edhe një kritikë e dënim ndaj Izraelit për trajtimin e civilëve palestinezë.

Pas një takimi me Presidentin Erdogan mbrëmjen e së hënës në Londër, kryerabini Beck tha: “Ne duhet të konceptojmë dhe të kuptojmë se të ndihmosh shtetin e Izraelit nuk është në favor të popullit hebre.”

“Sionistët thonë se duan të bëjnë një strehë të sigurt për popullin hebre dhe se ata duan të ndihmojnë hebrenjtë, por kjo nuk është e vërtetë. Vendi më i rrezikshëm sot për të gjithë popullin hebre, për të mos folur për palestinezët, por vetëm për hebrenjtë, është shteti i Izraelit”, deklaroi ai.

Duke lavdëruar Erdoganin për tërheqjen e ambasadorit të Turqisë në Izrael pas hapjes së ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem, kryerabini i organizatës “Neturei Karta” tha: “Nëse doni të ndihmoni popullin hebre, ndiqni shembullin e asaj që bëri presidenti turk: Tërhiqni ambasadorin tuaj nga atje dhe dilni me qëndrime të qarta.”

“Dilni hapur dhe thoni me zë të lartë se ne jemi kundër shtetit të Izraelit. Ne jemi kundër pushtuesve dhe duam të sjellim paqe në rajon. Si hebrenj, ne po lutemi që shteti i Izraelit të shpërbëhet plotësisht në mënyrë paqësore. Ne s’duam as që të ketë dy shtete. Ne mbështesim një shtet, nga deti e deri tek lumi, ku të kthehet i gjithë populli palestinez. Atje, hebrenjtë dhe myslimanët mund të jetojnë së bashku në paqe”, shtoi Elahanan Beck.

Tensionet janë ngritur në rajon pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit në dhjetor të vitit të kaluar dhe urdhëroi hapjen e një ambasade të re amerikane në qytetin e kontestuar dhe të pushtuar, një vendim që ka ngjallur kritika në shkallë globale dhe ka nëpërkëmbur shumë marrëveshje lidhur me statusin e Jerusalemit.

Të paktën 62 demonstrues palestinezë në kufirin midis Rripit të Gazës dhe Izraelit, të cilët protestonin për përurimin e ambasadës, u vranë të hënën nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF).

Vrasjet kanë shkaktuar një indinjatë globale, me shumë udhëheqës botërorë që dënojnë Izraelin, i cili pretendon se ishte duke u vetëmbrojtur./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne