Racionalizimi, arsyeja dhe argatllëku

Nga: Dritan Goxhaj

Para nja dy ditësh, rastësisht duke lundruar nëpër internet, m’u shfaq një artikull i shkruar nga Bardhyl Mahmuti me titull “Shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Sindromi i Fregolit”.

Në këtë shkrim të tijin është munduar të na mbushë mendjen se reagimet e njerëzve ndaj pamjes së fytyrës së kësaj shtatoreje, e cila i përngjet pamjes së Ed(vin) Ramës, qenkan sulme politike dhe se paskëshin ardhur ngaqë në internet paskësh qenë manipuluar me programe të veçanta kjo pamje, duke i dhënë asaj imazhin e Ramës. Dhe për këtë ai i konsideron të gjithë ata që kanë reaguar si të prekur nga Sindroma e Fregolit.

Duke e lexuar shkrimin më erdhi në mendje një situatë që në fushën e psikologjisë së aviacionit shpjegohet si racionalizimi kundrejt arsyes.
Racionalizimi i ndodh shpesh pilotëve gjatë fluturimit kur duan të justifikojnë ndonjë veprim të gabuar si të vetmin opsion të mundshëm në atë moment.

Në fushën e psikologjisë së aviacionit racionalizimi përkufizohet si më poshtë:
“Një mekanizëm mbrojtës në të cilin sjelljet e diskutueshme justifikohen dhe shpjegohen në një mënyrë në dukje racionale ose llogjike për të shmangur shpjegimin e vërtetë, dhe bëhen me vetëdije të tolerueshme – ose edhe të admirueshme dhe superiore – me mjete të besueshme. Dhe ky racionalizim ndodh në dy hapa:
1. Një vendim, veprim ose gjykim merret për një arsye të caktuar, ose për një arsye të panjohur fare.
2. Bëhet një racionalizim duke ndërtuar një arsye në dukje të mirë ose llogjike, si një përpjekje për të justifikuar aktin pas faktit për veten ose për të tjerët.

Dhe pikërisht edhe Bardhyl Mahmuti këtë bën, ka zgjedhur të racionalizojë duke ndërtuar një arsye në dukje të mirë, dhe këtë e nis duke na shpjeguar për Horën e Arbëreshëve dhe se kjo statujë është bërë për të nderuar ata. Pra, arsyeja është e mirë dhe llogjike.

Por më pas duket qartësisht që mundohet të justifikojë aktin si për veten e vet pasi ka qenë edhe vetë pjesëmarrës në këtë ceremoni, i ftuar nga vetë autori i shtatores, por edhe për gjithë pjesëmarrësit e tjerë, kur fillon e na tregon se imazhet mund të manipulohen dhe për më tepër kur mundohet me zor të na shpjegojë prezencën e ujkut në supin e Skënderbeut.

Të gjitha këto janë përpjekje racinonalizimi ndaj arsyes, pasi arsyeja jonë që kemi folur ndaj kësaj shtatoreje nuk na e pranon që ajo të ketë si imazh fytyrën e një të marri.
Arsyeja jonë nuk na e pranon që Emblema Kombëtare, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut të cënohet duke i vendosur atij figura dhe simbole të cilat nuk i përkasin aspak historisë sonë, as asaj mitologjike e as asaj të kohës së Skënderbeut.

Pavarësisht tentativës tepër të lodhshme që Bardhyl Mahmuti ka bërë për të na mbushur mendjen se çfarë simbolizon ujku mbi supin e Skëndërbeut, si dhe racionalizimit të faktit se shumë artistë të tjerë e paskan parë dhe nuk paskan thënë ndonjë gjë për këtë lloj simboli mbi supet e Heroit Kombëtar, e ka lënë pa shpjeguar se në cilën periudhë të mitologjisë dhe historisë së kombit tonë na qënkësh përdorur ky simbol.

Pasi në realitet ky simbol nuk është përdorur kurrë në gjithë historinë e shqiptarëve duke nisur që nga Ilirët, po qe se ka dëshirë shoku Bardhyl Mahmuti.

Me gjithë racionalizimin e tij, të paktën t’i kishte bërë një pyetje vetes se si do mundet një arbëresh t’ia shpjegojë një italiani kur ta pyesë: “Çfarë simbolizon ujku në historinë tuaj?”
Kësaj pyetjeje nuk mund t’i japë përgjigje as arbëreshi e as shoku Bardhyl Mahmuti që ka marrë përsipër të na shesë racionalizimin e faktit si arsye.

Por as unë nuk mundem t’i jap një përgjigje fëmijës tim 7 vjeçar se çfarë tregon ujku mbi Skënderbeun, dhe ashtu si unë as edhe një shqiptar me arsye të shëndoshë dhe që nuk vuan nga narcizmi, ashtu si kryeministri ynë që e konsideron veten Skënderbe – për këtë ju sugjeroj të shihni intervistën e Spiropalit në Top Chanel ku deklaron se i marri i drejtohet asaj si Mamica (motra e Skënderbeut).

Gjithsesi, në rast se shoku Bardhyl Mahmuti nuk e di, në Republikën e Shqipërisë ka një nen në Kodin Penal që mbron cënimin e simboleve dhe emblemave kombëtare, dhe duke qenë se ju, por edhe të gjithë ne, e konsiderojmë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun si Emblemë Kombëtare, çdo lloj simboli që nuk puqet me historiografinë e kohës dhe të Shqipërisë është cënim i kësaj embleme.

Dhe shoku Bardhyl është marrë vetëm me ujkun duke anashkaluar total yllin e Davidid në mburojën e Skënderbeut.
Në asnjë riprodhim të sajin dhe as në versionin e saj origjinal nuk mban kjo mburojë nëj yll mbi kokat e shqipnjës.
Edhe në këtë rast është tentuar të cënohet jo pa qëllim flamuri ynë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut.

Flamur të cilin autori i kësaj shtatoreje e ka cënuar.

Ky lloj punimi mund të jetë i denjë për një ekspozitë personale dhe për t’u vendosur në ndonjë ekspoze private, por kur merr përsipër të vendosësh një Emblemë Kombëtare në një shesh publik, ku do të përfaqësojë historinë tonë dhe të atij komuniteti që jeton aty, emblemat nuk cënohen, shoku Bardhyl, sepse jo vetëm që ke shkelur ligjet e Shqipërisë, por edhe na ke fyer të gjithë neve të tjerëve që e mendojmë ndryshe nga ju.

Më vjen keq, por edhe kësaj radhe shoku Bardhyl Mahmuti ka vendosur të bëjë argatin.

Dhe jo pa qëllim, edhe gjatë këtij shkrimi, i jam drejtuar me nominativin shoku, pasi si ish-anëtar i një lëvizjeje politike “ilegale” si LPK-ja, në të cilën anëtarët i drejtoheshin njëri-tjetrit me nominativin shoku, më solli në kujtesë një shkrim të vet shokut Bardhyl të bërë në fillim të viteve 2000, ku në formën e një fletë-rrufeje kritikonte vetveten për argatllëkun që u kish bërë shokëve të vet të kësaj “ilegaleje”.

Titulli i këtij artikulli më ka mbetur në mendje dhe ishte “Krisi pushka e i ra lisit, paskisha qenë argat i pisit”.

Në realitet, në Kosovë e në Tetovë, nga është edhe vetë autori, kjo shprehje popullore përdoret në formën e saj origjinale: “Krisi pushka e i ra dudit, (Bardhyl Mahmuti- shënimi im) paskish qenë argat i mutit”.

Ps: Në foto bashkangjitur këtij shkrimi është fotoja e shtatores në punishten e skulptorit. Por ndoshta edhe këtë do e kenë “manipuluar” në internet.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne