Racistët polakë sulmojnë studentet muslimane në përmendoren e Holokaustit në Poloni

Një grup vajzash muslimane nga Berlini thonë se janë abuzuar në mënyrë islamofobe në një vizitë në përmendoret e Holokaustit në Poloni. Vajzat, pjesë e një grupi studentor, thanë se banorët vendas i sulmuan dhe i kërcënuan, ndërsa policia lokale nuk bëri asgjë për t’i mbrojtur.

Njëzet të rinj nga Shkolla Komunitare Theodor Heuss në rrethin e Moabit të Berlinit shkuan në një udhëtim të organizuar nga Shtëpia e Konferencës Wannsee me bazë në Gjermani, një grup memorialesh për Holokaustin. Grupi shkoi në Varshavë, Lodz, Lublin dhe Krakov dhe vizitoi ish-kampet e përqendrimit Majdanek dhe Treblinka.

Udhëtimi synonte të edukonte studentët mbi Holokaustin dhe se si e pësuan polakët gjatë pushtimit nazist.

Katër vajza nga grupi i thanë më vonë radio stacionit gjerman Deutschlandfunk se kishin pësuar abuzime racore gjatë udhëtimit.

Para së gjithash u shënjestruan ato që mbanin shami, tha mësuesja e tyre Sabeth Schmidthals, siç raportohet nga Tagesspiegel.

Një nga vajzat në veçanti tha se një burrë e pështyu atë në rrugë në Lublin dhe policia që qëndronte pranë nuk veproi aspak.

Seydanur Kiliç, një prej vajzave të veshura me shami, tha se “ne i pamë policët që qeshnin, dhe një polak na shpjegoi se policia nuk donte të ndihmonte”.

Policia konfirmoi incidentin, por tha se ata i keqkuptuan studentët për shkak të gjuhës, duke dëgjuar “nga njerëzit që përkthyen se nuk kishte asnjë problem”.

Një deklaratë e policisë arriti në përfundimin se “pjesëmarrësit e udhëtimit nuk raportuan asnjë ankesë për policët e Lublinit”.

Disa nga vajzat thanë se një shitës në Lublin refuzoi t’u shiste ujë, sepse ishin të huaja.

Një vajzë gjithashtu tha se ishte kërcënuar me thikë, ndërsa një tjetër raportoi se një grua në Lodz derdhi një pije mbi të, duke i thënë asaj të dilte jashtë.

Studentë të tjerë muslimanë thanë se nuk u lanë të hynin në një sinagogë në Lublin, njoftoi Die Zeit.

Drejtori i trupit përkujtimor të Holokaustit, Hans-Christian Jasch, tha: “Unë jam veçanërisht i tronditur që kjo ka ndodhur me të rinjtë që janë nën kujdesin tonë për këtë udhëtim – me të vërtetë, në një udhëtim të dedikuar për të studiuar këtë temë [racizmin]. Kjo është veçanërisht e trishtueshme,” siç citohet nga BBC.

Studentët u kthyen nga Polonia të dielën dhe diskutuan përvojën, duke planifikuar gjithashtu një takim të grupit për t’u marrë me ngjarjet e udhëtimit, raportoi Tagesspiegel.

Politikanët polakë të opozitës e kanë përdorur episodin për të akuzuar partinë konservatore në pushtet se ka kontribuar në ksenofobi.

Një javë më parë, Partia e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS) postoi  një tabelë sondazhi me deklaratën: “Mos e lejoni veten të bindeni se neveria për refugjatët është diçka e keqe. Polakët nuk janë një përjashtim në Evropë.” Postimi u zëvendësua shpejt me një deklaratë më të butë duke iu referuar krizës së refugjatëve në përgjithësi.

Në maj, ministri i brendshëm i Polonisë tha në radion kombëtare që lejimi i refugjatëve në vend do të “ishte sigurisht shumë më keq” sesa dënimet e Brukselit për të mos i lejuar ata, pas një komisioni të BE-së që kërkoi që Polonia dhe Hungaria të zbatonin kuotat e refugjatëve ose të përballeshin me masat. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne