Racizmi, një “drogë” e fuqishme falë së cilës Trump mund të rizgjidhet president

nga Montel Williams.

Diskursi ynë kombëtar, është pushtuar sërish nga postimet raciste dhe skandaloze në rrjetet sociale të një njeriu që e kam njohur për më shumë se 20 vjet, dhe që na shfaqet vazhdimisht përpara syve tanë në Twitter apo direkt në televizion.

Ndërsa dua ta besoj me gjithë shpirt se zgjedhja e ish të njohurit tim ishte një aksident, është koha që thjesht ta pranojmë të vërtetën ashtu siç është. Donald Trump u zgjodh president, pikërisht për shkak të racizmit të tij. Partia Republikane, ku dikur bëja pjesë, përfshirë votuesit e saj, është e infektuar nga ky racizëm.

Dhe nëse nuk jemi tepër të kujdesshëm, ai do të rizgjidhet në këtë detyrë, pasi racizmi është një “drogë” e fuqishme. Që është racist një postim, ku i tregohet një kongresmeneje nga Minesota që të rikthehet në Afrikë nga e ka origjinën, kjo duhet të jetë diçka mbi të cilën mund të biem dakord të gjithë.

Jo shumë ndryshe nga mënyra se si anëtarët e një sekti mbrojnë me mish e me shpirt udhëheqësin e tyre, partia ime e dikurshme është sjellë ditët e fundit në një mënyrë shumë burracake, duke u përpjekur të mbrojtë të pambrojtshmen.

Dhe unë e them këtë si një afro-amerikan që u bë dikur republikan, pasi Ronald Reagan ishte intolerant ndaj racizmit dhe fanatizmit. Ndërsa po e shihja ish-partinë time të poshtëronte veten, në përpjeke për t’i mbrojtur postimet në Twitter të presidentit, m’u duk do të ishte shumë më e lehtë për republikanët, nëse e pranojnë që racizmi i tyre është një strategji për presidencialet e vitit 2020.

Synimi i tyre duket i qartë:të bindin votuesit e bardhë, se ndodhen të rrethuar nga njerëzit me lëkurë të zezë dhe ngjyrë kafe. E vërteta e pakëndëshme mbi presidencën Trump, është se kjo situatë është një reflektim mbi të gjithë ne. Është koha për të mos pretendohet më që vetë Trump nuk është racist, dhe është koha të pranojmë se është racizmi, ai që e garantoi mbështetjen ndaj tij në zgjedhjet e vitit 2016.

Mjafton të shihni tubimin e tij të mërkurën në mbrëmje në Grinvil të Nju Jorkut, kur Trump akuzoi publikisht kongresmenen demokrate të Minesotas Ilhan Omar, se “i sheh me përbuzje amerikanët që punojnë fort”, ndërsa turma shpërtheu në korr: “Ktheje atë andej nga ka ardhur!”.

Unë nuk e mbështes politikën e Omar, dhe 3 kongresmeneve të reja demokrate. Ajo që unë do të mbroj deri në vdekje, është realiteti se secila prej tyre është po aq amerikane sa edhe presidenti, apo edhe unë. Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për përpjekjen e hapur të presidentit për ta cilësuar Omar si një shtetase amerikane të kategorisë së dytë, meqë ka mbërritur në SHBA si refugjate në moshën 8 vjeçare, për shkak se është nga Somalia, dhe sepse është myslimane.

Ne nuk mund dhe s’duhet t’i trajtojmë ndryshe emigrantët, nga amerikanët e lindur në SHBA, theksoi me të drejtë David French në “National Riview”. Vlen të kujtojmë se një pjesë e arsyes se përse ndodhemi në këtë situatë, është se shumë amerikanë të mire, votuan për një racist me aftësi të diskutueshme, “për shkak të abortit”, apo sepse Hillary “do të na marrë armët”.

Ka ardhur koha t’i jepet fund debatit, nëse presidenti është apo jo një racist. Është mëse e qartë që ai është një i tillë. Është ndërkaq koha të pranojmë, që parimet unifikuese për kandidaturën e tij ishin ksenofobia dhe racizmi.

I vetmi debat që ia vlen, është nëse ne si vend do të mobilizohemi mjaftueshëm për të rezistuar kundër racizmit. Kundër-helmi më i mirë ndaj Trumpizmit, dhe forma e vetme më e rëndësishme e rezistencës, është që të marrim pjesë dhe ta ndëshkojmë atë me votë në çdo palë zgjedhje që zhvillohen. Vendimet merren nga ata shfaqen në skenën politike. Dhe është një fakt që gjendemi në këtë derexhe, pikërisht pasi shumë njerëz nuk e morën mundimin të votonin në nëntorin e 2016-ës.

Shënim: Montel Williams, është një ish-republikan, dhe veteran i Korpusit dhe Marinës Detare të SHBA-së./usatoday/tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne