Radiovaticana: Vendi që myslimanët i japin Jezuit

Këto ditë mbahet në Shkodër Takimi V i delegatëve kombëtarë të Konferencave Ipeshkvnore në Evropë (CCEE) për marrëdhëniet me myslimanët. Flasin aty përfaqësues të dy bashkësive myslimane në Shqipëri, por edhe delegatë të tjerë nga e gjithë Evropa. Jezu Krishti është i pranishëm në Kuran, por cili është vendi që i japin myslimanët Jezuit të të krishterëve? Ky është argumenti i emisionit të sotëm.

Nga të 114-të suret dhe nga 6226 vargjet e Kuranit (sipas njërës nga llogaritë ekzistuese), në 15 sure e në 93 vargje përmendet “Isai”, Jezusi, “biri i Marisë, që për 11 herë quhet “masih”, pra Mesi, 3 herë quhet “fjala e Zotit”, shpesh quhet “rasul”, pra “i dërguar” e profet i Hyjit dhe, herë të tjera “musliman”, pra, besimtar, që i nënshtrohet krejtësisht vullnetit të Zotit. Myslimanët e konceptojnë Trininë e Shenjtë ndryshe nga të krishterët, pasi Kurani nuk flet për trini, të përbërë nga Zoti, Maria e Jezusi, por është mëse e qartë se për ta, koncepti i Jezusit si Bir i Hyjit është blasfemi.

Megjithatë, Islami e ndjen mjaft praninë e Jezusit brenda fesë, pasi kjo rrjedh nga kontakti, që pati Muhamedi me anëtarët e bashkësive të ndryshme të të krishterëve lindorë e me traditat e tyre. Historia e shën Gjon Pagëzuesit, Lajmërimi i Zojës, lindja e Jezusit, mrekullitë e fëmijërisë dhe të jetës publike të Krishtit, dija e Tij e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, figura e Marisë, që myslimanët e nderojnë jashtëzakonisht, apostujt, vdekja, ngjallja dhe ngjitja në qiell e Jezusit ripërpunohet nga Kurani e nga tradita e mëvonshme myslimane, edhe duke u bazuar në letërsinë apokrife të krishterë. Për shembull, vdekja e Jezusit paraqitet sipas “teorisë së sozies”, karakteristike e disa bashkësive të vogla të krishtera.

Sipas kësaj teze, Jezusi është kryqëzuar vetëm në dukje, pasi Zoti bëri mrekulli dhe e zëvendësoi me një hebre tjetër, ndoshta me Judën, ose me Simonin e Cirenesë, ose me një person tjetër. Ja ç’lexohet në suren IV: “Pretenduan se e vranë Mesinë, Jezusin, të birin e Marisë, lajmëtarin e Perëndisë. Në të vërtetë, nuk e vranë, nuk e kryqëzuan – u shtynë të mendojnë se po. Të gjitha grupet që debatojnë për këtë çështje janë plot dyshim sa i përket kësaj çështjeje. Nuk kanë njohuri; vetëm supozojnë. Një gjë është e sigurt: nuk e vranë. Po, Perëndia e ngriti atë te Vetja; Perëndia është i Plotfuqishëm, më i Mençuri” (vv. 157-158).

Prej këndej, kuptohet mirë se ç’i dallon njerëzit e Shkrimit, që për myslimanët janë hebrenjtë dhe të krishterët, nga vetë myslimanët, pavarësisht nga feja në një Zot të vetëm. Atëherë, mbi ç’baza mund të ngrihet dialogu me ta? Këtë mundësi e vë në dukje Koncili II i Vatikanit, i cili iu drejtua “me vlerësim myslimanëve, që adhurojnë Zotin e vetëm, të gjallë e të qënësishëm, të mëshirshëm e të gjithpushtetshëm, krijues të qiellit e të tokës, që u foli njerëzve. Ata – vazhdon dokumenti konciliar “Nostra Aetate”, duke përmendur myslimanët – përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër dekreteve të Zotit, ashtu siç iu nënshtrua edhe Abrahami, të cilit i referohet feja islame. Megjithëse nuk e njohin Jezusin si Zot, e nderojnë si profet dhe nderojnë edhe nënën e tij, Virgjërën Mari. Përveç kësaj, ata presin Ditën e Gjykimit të Mbramë, në të cilën Zoti do t’i shpërblejë të gjithë njerëzit e ringjallur. Ata vlerësojnë jetën morale dhe i ngrenë kult Hyjit, sidomos me lutje, lëmoshë e agjërim” (Nostra Aetate, n.3). Mbi këto baza, mund të ulen në tryezën e dialogut të krishterët e myslimanët.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne