Rama emëron në krye të FSHZH një nga top-menaxherët e ‘Gener 2’

Kur skandali i DH Albania u bë publik u ngritën shumë pyetje.

Të parat kishin të bënin me kurajon e atyre që kishin kryer falsifikimet duke mundësuar një krim të rëndë në miliona euro në kurriz të qytetarëve taksapagues. Pastaj u ngritën të tjera. Dhe kishin të bënin me habinë se si falsifikime kaq lehtësisht të provueshme kishin kaluar nën hundën e administratës publike ku filtrat ligjorë dhe burokracitë janë të shumtë.

Përgjigja erdhi pas një hetimi të VOA, ku u dhanë provat e bashkëpunimit të plotë të administratës me falsifikuesit. Pra nuk kishte vend për habi. As falsifikuesit nuk kishin qenë kurajozë, as administrata nuk kishte qenë syleshe. Ishin thjesht bashkëpunëtorë.

Më pas ndodhën ato që ndodhën. U thanë gënjeshtra e të vërteta, u shkarkua ministri, u hoqën drejtorët që kishin firmosur, por një pyetje mbeti pezull: Sa i përfshirë ishte vetë kryeministri Edi Rama? A është ai vërtet kaq i paaftë sa t’ia hedhin në shifra kaq të mëdha dy drejtorë administrate?

Që t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve duhet të marrim në analizë disa faktorë, ndërmjet të cilëve atë që është më i rëndësishmi: natyra e raportit të Kryeministrit Edi Rama me biznesmenin pas DH Albania, Bashkim Ulaj.

Bashkim Ulaj është një nga ikonat e lidhjeve biznes-politikë, të shumëkritikuara për shkak se prodhojnë korrupsionin e niveleve më të larta, kapjen e shtetit. Madje nëse këto lidhje në disa raste konsiderohen të errëta, në rastin Ulaj, kanë qenë të hapura në mënyrën më provokative: Sepse z.Ulaj jo vetëm njihej si biznesmeni i preferuar i familjes Berisha, por është donator i apartamenteve të tyre luksoze në Tiranë si dhe i studios private ku punon edhe sot e kësaj dite Sali Berisha pas dorëheqjes formale si kryetar i PD.

Për ironi zyra e regjistruar në QKR e DH Albania, (të cilën APP e kryeministrit nuk e gjen dot për qamet), ndodhet një kat sipër zyrës së doktor Berishës në të njëjtën godinë në qendër të Tiranës, përballë TVSH. Bëhet fjalë për Aba Center ose siç njihet ndryshe Coin në pronësi të zotit Ulaj.

Pra Bashkim Ulaj ishte ky që ishte deri në 2013, kur në pushtet erdhi Edi Rama dhe Rilindja me premtimin se epoka e korrupsionit  do merrte fund dhe që litarët e lidhjeve biznes-politikë që e mbajnë në këmbë oligarkinë dhe korrupsionin, do priteshin.

Ajo që ka ndodhur pas 2013 është e qartë: sistemi i rrjepjes që majm dhe pasuron 10-15 vetë në kurriz të 3 milion të tjerëve ka mbetur i paprekur. Por le të rrimë tek Ulaj që të dalim më pas tek ajo që është e rëndësishme për t’u kuptuar.

Duke qenë se Ulaj ishte ky person i identifikuar me sistemin berishian të klientelizmit dhe abuzimit, a është e mundur që dy drejtorë administrate të Rilindjes të kishin kurajon të krijonin lidhje direkte me të? Apo ta bënte këtë ekspozim kaq të rrezikshëm ndaj karrierës dhe bashkëpunëtorëve një ministër?  Po edhe sikur dikush prej këtyre të kishte guxuar ta bënte këtë lidhje të drejtpërdrejtë për një nga tenderat e mësipërm, po për koncesionin Thumanë – Kashar i firmosur në shifra të llahtarshme e të padëgjuara më parë për ndonjë shtrim rruge, a do guxonte kush pa ditur asgjë Kryeministri ?

Ka pak gjasa të jetë kështu. Logjika ta do që vetëm kryeministri dora vetë mund ta lëronte atë brazdë.

Kur Rama u shfaq si përshëndetësi kryesor dhe i ftuari i nderit në ceremoninë e hapjes së televizionit të Bashkim Ulajt u bë edhe më e qartë që pas gjithë “fatit” të pazakontë në tendera të Ulajt qëndronte vëmendja e kryeministrit.

Po pse? Pse kryeministri po merrte përsipër gjithë këtë kosto politike duke favorizuar e madje duke u shfaqur hapur në publik me një person që përfaqëson ato lidhje që ai në të vërtetë do duhej t’i shkatërronte sipas premtimeve të 2013-s? I pëlqejnë prerjet e kostumeve të Bashkimit?

Le të gjykojmë me qetësi veprimet dhe deklaratat e tij pasi skandali i Unazës u bë publik.

Fillimisht ai heshti. Pastaj në një intervistë televizive deklaroi se “falsifikime të tilla ndodhin në gjithë botën” dhe la të kuptohej se ai “dhe qeveria amerikane” po punonin bashkë për të zbuluar këta falsifikatorë “të rëndomtë”.

Përgjigja nga amerikanët i erdhi pak orë më pas. Zëri i Amerikës publikoi provat e bashkëpunimit të plotë të administratës së Ramës me falsifikatorët e Ulajt. Duke i dhënë edhe mesazhin që të mos spekulojë më në publik me emrin e qeverisë amerikane.

Rama nuk e kapi mesazhin. Spekuloi prapë ca më pas kur Dita botoi konfliktin e interesit me bashkëshorten Linda në bordin e një banke me rrënjë të fshehura në parajsat fiskale (në një prej atyre ku ishte regjistruar edhe mëma e DH Albania).

Sërish luajti në mënyrë naïve me kartën e “bashkëpunimit me qeverinë amerikane” e cila sipas kanaleve të tij të padukshme të informimit “po hetonte” maskarenjtë e kazanit që “kishin sulmuar një bankë amerikane”.

I erdhi dhe përgjigja e dytë. Zëri i Amerikës publikoi përgjimet e drejtorit të burgjeve me kabinetin e kryeministrit.

Po pas kësaj a e kapi mesazhin që nuk duhet të luajë me emrin e amerikanëve në publik si me kutitë e bojërave në studion e tij të pikturave (atë pa oxhak)? Dmth a i është mbushur mendja që nuk mund t’ua hedhë as amerikanëve, partnerët e vetëm të një Shqipërie pas asnjë antikorp mbrojtës në rajon e më gjerë; as asaj pjese të kazanit që është matur 100 herë përpara se ta presë një herë; as atyre që e kanë votuar për të ndershëm e për të majtë; e as atyre që vazhdon ende t’ua hedhë, por që është vetëm çështje kohe përpara se të mësojnë të vërtetën?

Këta të fundit, të prirur të mos besojnë se e liga për fat të keq tashmë ka ndodhur, duke parë shkarkimin e drejtorëve, ministrit dhe anulimin e Thumanë Kashar, menduan të lehtësuar se më në fund kryeministri vuri mend. Duket sikur kuptoi që lidhjet me njerëz si Ulaj përfaqësojnë të kundërtën e pritshmërive që kanë prej tij të sipërpërmendurit. Duket sikur kuptoi që pavarësisht se këto shkarkime provojnë bashkëfajësinë e plotë të administratës në këto vepra korruptive, nga ana tjetër provojnë se ai vetë i ka bërë nga padija i ziu, nga nxitimi, nga pëlqimi i kostumeve të Bashkimit ndoshta, dhe ja tani bëri distancë, me vonesë por e bëri etj. etj.

A është vërtet kështu? Nëse do ishte, Kryeministri tani e tutje do duhej të qëndronte larg e më larg Bashkim Ulajt dhe gjithçkaje që mund ta rilidhte me të e që mund t’ia ribaltoste emrin me të? Apo jo?

E pra jo. Një emërim i orëve të fundit dëshmon se lidhja dhe detyrimet e ndërsjellta mes Ramës dhe Ulajt janë më të thella se ç’duken dhe se “anulimi i Thumanës” për t’ia kaluar “fondin studentëve” dhe shkarkimi i drejtorëve të skandaleve të Unazës dhe OST janë vetëm propagandë dhe veprime dinake për t’u hedhur sërish hi syve publikut dhe vëzhguesve të tjerë, ndërkombëtarëve. Dhe kazanit.

Bëhet fjalë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, një institucion i rëndësishëm financiar që qarkullon 140 deri 160 milionë dollarë në vit, financues i projekteve të rëndësishme në infrastrukturë.

Në krye të këtij Fondi Rama sapo ka emëruar Dritan Agollin.

Të gjithëve Agolli u sjell në mend ish-Bashkinë e Tiranës, po ajo është histori e vjetër dhe e shfrytëzuar bukur këtë herë.

Dritan Agolli gjatë kësaj kohe, të paktën që nga 2016, kur Gener 2 mori të drejtën e zbatimit të projektit TAP në pjesën shqiptare, ka punuar në… ja gjejeni pak: pikërisht në Gener 2, kompaninë e Bashkim Ulajt. Madje jo punonjës i zakonshëm, por i atij rangu sa ishte i vetmi, bashkë me Presidentin e kompanisë që ka përfaqësuar Gener 2 në  ceremoninë e inaugurimit të TAP në Selanik në 2016.

Këtë e provon kjo foto zyrtare, botuar sot nga Dita, ku Agolli shfaqet ngjitur me Ulajn të dy përfaqësues të Gener 2.

Vendosja e një bashkëpunëtori kaq të ngushtë e të besuar të z.Ulaj në krye të një institucioni të rëndësishëm shtetëror, pikërisht në këto momente të vlimit të pasojave të skandalit Unazë-OST na shtyn drejt pyetjeve edhe më dyshuese për natyrën e raportit mes Kryeministrit dhe biznesmenit Ulaj: Sa dijeni ka patur kryeministri për falsifikimet e DH Albania? A i mori vesh ato pasi dolën në publik si gjithë ne të tjerët? Apo i dinte më parë? Është kryeministri i mashtruar apo bashkëpunëtor?

FOTO: Ulaj dhe Agolli, përfaqësues të Gener 2, në ceremoninë e TAP në Selanik
“Nën kujdesin e vecantë të Alexis Tsipras kryeministrit të Republikës Helene, Trans Adriatic Pipeline (TAP) shënon startin e ndërtimit të projektit gazsjellës” – thuhet në shënim dhe poshtë publikohet fotoja e pjesëmarrësve në ceremoni, përfaqësues të TAP dhe bizneseve që do ndërtojnë pjesët sipas shteteve ku kalon projekti.
Në rreshtin e dytë, i katërti dhe i pesti nga e majta, siç edhe prezantimi zyrtar e ve në dukje, janë dy përfaqësuesit e Gener 2, Dritan Agolli dhe presidenti Bashkim Ulaj.
Dritan Agolli sapo është emëruar nga kryeministri Rama në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Edhe sikur të ishte një nga ish-menaxherët më të aftë që Rama ka patur dikur në Bashki (meqë kjo përflitet si arsye e emërimit) do mjaftonte kjo pjesë e CV-së së Agollit në Gener 2 si dhe rrethanat e sotme të skandalit të Unazës dhe OST-së që ai të mos ishte kandidatura më e përshtatshme për një post shtetëror që qarkullon 140-160 milionë dollarë në vit./ dita

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne