Rama fut PS-në në fushatë: Shkoni fshat më fshat, njerëzit nuk hanë shifra

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS-së, kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën. Sipas tij Shqipëria sot nuk ka opozitë, pasi nuk sfidon me intelekt, por me forcë. “Ne jetojmë sot në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. Nuk kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, po në thelb e bën shumë më të vështirë punën tonë.

Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, po fizikisht është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e sfiduar në intelekt, një opozitë që nuk shkon në parlament si në një kuvend po si në një tapet mundje, është një hata e madhe sepse ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar para alternativa, gjendemi në kushtet kur duhet të shtrihemi në një sport që nuk ka lidhje as me politikën po as me sportet e njohura nga federatat ndërkombëtare.

Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe program sharjen, është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për tu motivuar dhe për të bërë më të mirën”,- tha Rama.

Më pas ai la porosi se të gjitha strukturat e PS-së duhet të hyjnë në fushatë të mirëfilltë.

“Të hyjmë në fushatë të mirëfilltë me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona që nga nvieli i kryesisë së partisë, qeverisë, Asamblesë Kombëtare dhe të gjitha niveleve të dyta të organizimit për të shkuar qark më qark, bashki më bashki dhe fshat më fshat për të folur me njerëzit, jo për çka kemi bërë, po për çka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte, kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve. Njerëzit nuk hanë shifra, tha ai dhe maxhoranca nuk jeton në një guackë të shkëputur nga realiteti. Ne nuk jetojmë në një guackë të shkëputur nga realiteti dhe jemi të kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi të tillë nga njerëzit”, tha Rama./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne