Rama humbi betejën e propagandës, ngutet të vendosë nën censurë mediat kundërshtare

Kryeministri Edi Rama e ka humbur betejën e propagandimit të sukseseve, e përkthyer kjo në daljen në publik të zullumeve të qeverisë së drejtuar prej tij.

Nuk ka ditë që të mos botohet në mediat shqiptare një skandal, një vjedhje e përmasave gjigande, një tender i manipuluar nga fillimi deri në fund dhe një oligark që i ka marrë arkës së shtetit miliona euro, përmes koncesioneve të dhëna pa garë nga Edi Rama.

Teksa gjendet i zbuluar përballë zbardhjes së maskarallëqeve të qeverisë, të vëllait të tij Olsi dhe të oligarkëve klientë, Edi Rama po nxiton që të miratojë sa më parë paketën anti-shpifje, që do të vendosë nën censurë të gjitha mediat, të cilat ai nuk i ka blerë dhe që bëjnë detyrën e tyre të informimit me korrektesë të publikut.

Dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ditën e hënë, nga 30 minuta takim me deputetët e tij, kreu i mazhorancës më shumë se gjysmën e kohës e ka përdorur për t’ju bërë presion që të kalojnë sa më shpejt paketën anti-shpifje, duke spekuluar se rezoluta e Parlamentit Europian është pjesë e kësaj pakete.

Madje Rama, në shkelje të plotë të procedurave ligjore ka kërkuar nga deputetët socialistë që ta miratojnë urgjent ligjin për t’u mbyllur gojën gazetarëve dhe mediave që kanë refuzuar benefitet e qeverisë, duke cënuar rëndë lirinë e shtypit e duke shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare.

Paketa anti-shpifje që po ngutet Rama ta miratojë në Kuvend, autorizon AMA-n që të mbikqyrë median elektronike, duke përfshirë edhe publikimet online, e duke i lënë “dorë” të lirë për të bërë presione për të gjitha ata media që nuk janë në linjën pro-qeveritare.

Me miratimin e kësaj pakete, shkelet parimi i sigurisë juridike, pasi asnjë gazetar apo media në tërësi nuk është i sigurtë se do të trajtohet në mënyrë të drejtë nga një institucion, i cili ende nuk është ngritur mbi kritere të qarta ligjore.

Defekti në zbatimin e këtij ligji fillon që në gjykatë, ku asnjë gazetar dhe media nuk ka garanci se do gjykohet nga gjyqtarë të specifikuar për këtë qëllim, përfshirë këtu dhe Këshillin e Etikës, që përbëhet nga anëtarë të zgjedhur pa kriter arsimi juridik për të dhënë një gjykim të drejtë mbi median.

Pra mbetet mister fakti se kush do ta ndajë se cili lajm është shpifje dhe cili është i vërtetë, duke rrezikuar që të gjitha lajmet që evidentojnë abuzimet dhe skandalet e qeverisë, të futen në të njëjtin kallëp, atë të shpifjes.

Por dhe pas këtij procesi, ajo që “kërcet” kundër medias është e drejta për të apeluar. Sipas ligjit, gjobat e AMA-s, të cilat variojnë nga njëqind mijë lekë deri në një milionë lekë të reja, janë të zbatueshme menjëherë, pavarësisht nëse media merr përsipër të shkojë në gjykatë apo jo.

Pra, gjoba e AMA-s është “titull ekzekutiv”, sikurse është fatura e energjisë elektrike, e cila pavarësisht se mund të jetë disa fish më e lartë dhe abuzive, ajo paguhet në fillim të herës, dhe pastaj rregullohet hap pas hapi në të ardhmen derisa debia të bëhet zero.

Një shkelje flagrante tjetër është dhe fakti se AMA, pra shteti, merr përsipër të zbatojë një Kod Etike pa kaluar në rrugë gjyqësore, duke marrë realisht nën kontroll median.

Ka një nen në paketën anti-shpifje që nënvizon se, në rast se një gazetar gjykohet se ka shpifur ndaj një zyrtari të lartë, atëherë AMA i vendos një dritare “pop-up”, siç janë dritaret e reklamave, që të thotë se ky portal ka shpifur.

Kjo do të thotë të imponohesh tek portali apo media dhe se të gjitha këto veprime të AMA-s bëhen përpara se media apo gazetari që ankohet shkon në gjykatë. Për këtë “shkelje” vendoset gjobë 100 mijë deri në 1 milionë lekë të reja, kjo do thotë se portali apo media do të falimentojë.

Por Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ka shqyrtuar gjerësisht çështjen e gjobave për shpifje, dhe kur shpifja ekziston me të vërtetë, liria e shprehjes është me e rëndësishme se sa liria e dinjitetit të një personi dhe liria e shprehjes do të thotë se gjoba s’mund të jetë penalizuese dhe nuk mund ta vendosë subjektin shpifës në gjendje falimenti.

Por Rama nuk dëgjon nga ai “vesh”, duke kërkuar me insistim miratimin sa më shpejt të ligjit që vendos nën censurë të gjitha mediat kundërshtare, si dhe i vendos ato përballë falimentit për shkak të gjobave të rënda që ka parashikuar, nëse shkruan për skandalet e qeverisë.

Tashmë ka ardhur koha e përballjes me këtë qeveri, e cila kërkon t’i mbyllë gojën mediave të lira, ose shqiptarëve do t’u mbyllet përfundimisht e vetmja “dritare” ku mund të evidentojnë keqqeverisjen dhe shpërdorimin e taksave të tyre./Pamfleti/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne