Rama i jep tokë Patozit, deputetët e rinj i hidhen në fyt: Duam shtëpi edhe ne

Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, deputetët e rinj të PS-së, nëpërmjet zërit të Myslym Murrizit janë vetëshpallur të pastrehë dhe i kanë kërkuar kryetarit të vërë dorën në zemër e t’u japë një kredi të butë për të blerë shtëpi. Kërkesa e tyre është mbështetur në precedentët e mëpërashëm, tek ligji që deri në vitin 2009 zbatohej për çdo deputet, tek ato vendimet që deputetët kishin makinë, shtëpi, celular, shërbime ekstra etj., etj. Si të tjerët, edhe ata duan të kenë privilegjet e të qenit ligjvënës. Dhe këtu rroga nuk quhet fare.

“Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nëse është e mundur të bëjmë një vendim a të biem dakort të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetë të rinj të cilët kanë nevojë të mbështetën, ka thënë Murrizi. Me duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që funksionarët e lartë publik përfitonin kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia të bëhet një vendim Kuvendi apo Qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Mysym Murrizi (!), që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë, as në PPP dhe as ne tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten në një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë. Nuk bësoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë prandaj duhet ta bëjmë me një vendim. Pra bëhet fjalë për 1 miliardë lek të vjetër që me duket se janë 1 milion euro. T’ia heqim unazës 100 metra dhe t’ia japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra”.

Thënë ndryshe rioshët e Kuvendit e duan nga një shtëpi në Tiranë. Me gjithë atë kontribut që japin e mëritojnë apo jo?! Ose më mirë të themi me gjithë ato para që ju kalojnë nën hundë, me gjithë ato miliona që Rama iu jep oligarkëve të vet, tenderat e pafundmë që e kanë futur Shqipërinë në borxhe deri në brezin e shtatë, iu jep të drejtë edhe atyre të hapin gojën. Sidomos pasi shohin ca kapadainj që krekosen në sallë e ca të tjerë që hanë në kurriz të shqiptarëve.

Fundja, Rama ia ligjëroi shërbimin “rivalit” politik, Astrit Patozi, duke i dhënë zyra në përdorim pa asnjë qindarkë në këmbim. Me këtë rast edhe deputetët shpresojnë të kapin një kockë.

A do ua plotësojë dëshirën Rama? Të shohim. Me kaq shumë dhimbje koke sa ka në këto momente, duket se Kryeministri nuk ka pasur kohë as t’u sulet të vetëve. Siç bën zakonisht…/Pamfleti/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne