Rama ‘kërcënon’ BE-në: Nëse nuk hapen negociatat, njerëzit do të largohen

Në një intervistë për një nga gazetat më të mëdha në Gjermani, ‘Sueddeutsche Zeitung’ kryeministri Edi Rama ka folur për rekomandimin për hapjen e negociatave, deklaratat e Presidentit francez për zgjerimin, Angela Merkel dhe Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri shqiptar nuk bën asnjë kritikë në drejtim të Emmanuel Macron për deklaratën e tij se BE duhet të reformohet para se të zgjerohet, ndërsa shtron pyetjen “Përse duhet të bëhem i keq me presidentin Macron? Ndoshta për shkak se ai e eklipsoi lajmin më të mirë për Shqipërinë prej kohësh?”.

E ndërsa shprehet se ka deputetë të CDU që nuk e duan hapjen e negociatave me Shqipërinë, ai shton se nëse do të ishte vetëm për Angela Merkel nuk do të kishte asnjë dyshim, duke e cilësuar si partizane të zgjerimit të BE-së. Pas pak ditësh Rama do të vizitojë Berlinin ku do te takohet me Merkel.

Ashtu sikur deklaroi edhe në konferencën me Mogherinin pas marrjes së rekomandimit, Rama tha se nuk po trokasim në derën e BE-së për t’u bashkuar nesër, thjesht duam të ulemi në tryezën e negociatave. Por çfarë ndodh nëse nuk hapen negociatat në qershor? Kryeministri shqiptar ‘kërcënon’ me fluks emigrantësh duke thënë se nëse perspektiva e BE-së është e errët, njerëzit do të duan të largohen nga vendi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne