Rama “lan duart” me inceneratorët: Procedurat nuk janë puna ime! Nëse ka probleme, t’i zgjidhin institucionet e tjera

Kryeministri Edi Rama, është pyetur sërish në konferencën e tij për shtyp, për koncesionet e inceneratorëve, lidhjet e Arben Ahmetajt me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton dhe për dijeninë e tij për një aferë korruptive.

Edhe pse e mburri, atë që e quajti rezultat fantastik të inceneratorëve, Rama u kujdes disa herë të nënvizojë, se ai nuk ka lidhje me procedurat dhe se nuk është i përfshirë në to, duke “larë duart” nga kjo çështje e nxehtë, por edhe duke i dorëzuar të gjithë ata që janë marrë me procedurat. Rama tha se nëse procedurat kanë probleme, atëherë të merren institucione të tjera.

Kujtojmë se Partia Demokratike, ka denoncuar në SPAK, gjashtë persona, si grup i strukturuar kriminal për aferën e inceneratorëve. Mes të denoncuarve janë Edi Rama dhe Arben Ahmetaj.

Unë nuk merrem me survejime në vrimën e çelësit, se kush është bashkëshorti i kujt dhe kush udhëton me kë, këto nuk janë punët e mia. Puna ime është t’ju them kaq, shikoni gjendjen e plehrave sot dhe dje. Shikoni si ishte dje Sharra, si ishte dje Elbasani, si është Fieri akoma edhe për pak kohë dhe shikoni si janë sot. S’janë fare punët e mia këto, procedurat nuk janë punët e mia, nuk merrem me procedurat. Unë shoh rezultatin, pastaj nëse ka probleme me procedurat, ato i zgjidhin institucione të tjera, jo unë. 

Por ama, unë di një gjë, shpifje, fabrikime, sajesa, marrëzira, më shumë se këtë herë të grumbulluara bashkë, në sulm kundër një modernizimi fantastik që është bërë, sepse është fantastike ajo që është bërë, kush nuk e sheh atë, ose nuk do të shohë dhe këmbëngul të mos shohë, ose është i pashërueshëm nga verbëria e shkaktuar prej mllefit. Fantastike ajo që ka ndodhur, standarte ndërkombëtare, të nivelit A. Pastaj, procedurat s’janë punët e mia, nuk merrem unë me procedura”, tha Rama./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne