Rajoni Shqiperia

Rama: Mbizotëroi arsyeja, Greqia partner strategjik

Nuk ka më dilema se Tirana dhe Athina i kanë zgjidhur brenda 3 muajsh të gjitha mosmarraveshjet politike dhe historike.  Pas klimës optimiste që shoqëroi bisedimet e Korçës dhe deklaratës së përbashkët, kryeministri Rama konfirmoi suksesin e negociatave që u mbyllën në dy raunde brenda 3 muajsh. Në një intervistë për Report Tv, zoti Rama ka konfirmuar se do takohet në pranverë me homologun e tij grek Cipras, për të nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik që zëvendëson traktatin e miqësisë së vitit 96’.

“Synimi është të nënshkruajmë një dokument të partneritetit strategjik.  Jemi në një proces, të gjitha çështjet janë në tavolinë, që nga ligji absurd i luftës, deri në çështjet që kanë të bëjnë me lehtësimin maksimal të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, lidhur me procedura që kanë qenë pengesë për ta. Do kalojë në procedurat ligjore të shtetit fqinj dhe do jetë një dokument që i mbetet historisë dhe jo një ligj në fuqi që na ka penguar të rishkruajmë një histori të re”-deklaroi kryeministri.

Rama anashkaloi t’i përgjigjet se çfarë efekte do të ketë shfuqizimi i dekretit mbetëror në çështjen e pronave të çamëve, duke kaluar menjëherë te marrëveshja e detit, për të cilën mesa duket është rënë dakord.

“Kemi studiuar me shumë imtësi të gjitha aspektet e kësaj marrëveshjeje. Në atë kohë ne dëshiruam të qëndronim larg politizimit, sepse mund të na çonte në një situatë me shumë rrezik nga pikëpamja e një fryme nacionaliste brenda vendit dhe preferuam t’i drejtohemi Kushtetueses. U ulëm në tryezë me një përgatitje shumë serioze, edhe seriozitet i palës greke do jetë një konstante deri në fund”-theksoi kryeministri.

Ndonëse kryeministri nuk jep detaje se çfarë ka fituar pala shqiptare nga rinegocimi i marrëveshjes së detit, ai thotë se progresi ka ardhur si rezultat i qëndrimit këmbëngulës nga Tirana për të afirmuar të drejtën e barazisë, duke shtuar se “gjuha e arsyes po forcohet dita-ditës dhe paragjykimet e ardhura si rezultat i mosthellimit në proces po fashiten”.

Pamvarësisht argumentit të kryeministrit se mbizotëroi gjuha e arsyes, ndikim vendimtar në këtë proces duket se ka patur kërcënimi me veto i Athinës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

OPINIONE