Shqiperia

Rama ndryshon qëndrim për Saimir Tahirin: Nuk goditi nyjet e krimit!

Tani që Saimir Tahiri është strukur në pritje të gjyqit, i harruar nga qeveria dhe nga partia, Edi Ramës nuk po i duket aq perfekte puna e tij si Ministër i Brendshëm. Ndoshta për shkak të ritmeve të Fatmir Xhafës, ndoshta se tani ka ndërprerë komunikimin me Tahirin (që pas arrestimit të Orest Sotës), kryeministri foli me nota negative për punën e policisë në të shkuarën.

Ishte në Konferencës në Akademinë e Sigurisë, kur tha se nyjet e krimit nuk kanë qënë në fokus të punës së policisë vitet e shkuara.

“Vijimi i goditjeve për të shkatërruar grupet dhe rrjetet kriminale mbetet një prioritet operacional për policinë e shtetit. I kthehem edhe njëherë operacionit “Forca e Ligjit” si një ndërmarrje shumë e rëndësishme e cila do të synojë katet më të larta dhe nyjet më të thella të krimit të organizuar, që për hir të vërtetës, për shumë vite kanë qenë larg fokusit të goditjeve të mirëfillta” u shpreh Rama.
Fakti që nyjet e krimit nuk kanë qenë prioritet i policisë, është denoncuar nga media prej vitesh, por Rama asnjëherë nuk ka dëgjuar nga ai vesh. Prioritetet për policinë e drejtuar nga Saimir Tahiri kanë qenë të tjera, që nga fushatat e gjobave për qytetarët, që nga lojërat me policët e veshur si Batman apo Spiderman dhe deri tek konsolidimi i një marrëdhënieje të dyshimtë me kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit. Por me këto Edi Rama i ka larë duart me kohë, duke ia lënë peshën e fajita vetëm Saimir Tahirit.
Fakti që Tahiri sot gjendet në buzë të greminës, e bën Ramën të reflektojë, të bindet dhe madje të flasë për gabimet e policisë në të shkuarën, duke shpërfillur faktin se edhe atëherë ai ishte kryeministër.
Sa për Tahirin, atë ia ka lënë në dorë prokurorëve dhe vetë nuk ndjen asnjë përgjegjësi. E përsëriti edhe një ditë më parë, kur u pyet për Tahirin në Neës24.
“Unë do të duartrokas i pari vendimin e drejtësisë, u shpreh Rama. Çdokush që kalon moshën e parashikuar nga ligji është përgjegjës për veprimet e veta. Çfarë përgjegjësie mund të mbajë një prind shumë i mirë, se fëmija bën një krim” tha Rama.

OPINIONE