Rama në OKB: Mbështesim transformimin e Urdhrit Botëror Bektashi si shtet sovran në Tiranë

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në Asamblenë e OKB në Nju Jork, në Samitin për të Ardhmen. Rama tha ndër të tjera se Shqipëria është një vend i bashkëjetesës dhe tolerancës në mes të trazirave kudo në botë.

Rama ndër të tjera foli edhe për kthimin e Selisë së Kryegjyshatës së Bektashinjve në një qendër sovrane brenda Tiranës. Ai tha se qeveria e Shqipërisë mbështet transformimin e urdhrit botëror bektashi në kryeqytet.

“Sot, sytë e botës duhet të jenë të kthyera në këtë mbledhje, pra mund të themi sinqerisht se popujt e botës vazhdojnë të besojnë në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, ndërsa na shohin të mbledhur këtu. Dyshoj seriozisht për këtë e kjo është diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi nën këtë çati, çatinë e Kombeve të Bashkuara. Na duhet të kemi kurajën të pranojmë se së fundi, veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë.

Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjithë angazhimet e saj, por më lini të theksoj, angazhimet të vetme nuk janë të mjaftueshme aspak.

Ndërkohë që Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë, që është çuar për të mbrojtur humanizmin tonë të përbashkët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë holokaustit falë familjeve muslilmane e të krishtere, që i mbrojtën nga nazistët. Më së fundi, pas shkatërrimit e rënies së Kabulit në duart e talibanëve 3 vjet më parë, ne strehuam disa mijëra afganë që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e nëntë të Ferrit!

Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”, tha Rama në OKB./BW

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne