Shqiperia

Rama nuk shpall gjendjen e emergjencës, por thotë se kush ka mbetur pa shtëpi do të shkojë në hotel…

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar në rrjetet sociale, se personat që kanë mbetur pa shtëpi do të çohen në hotel dhe se qeveria do të bëjë marrëveshje me hotelet në Durrës, Kavajë dhe Vorë, për të mundësuar strehimin e tyre të përkohshëm.

Por, zoti Rama nuk ka shpjeguar ende se përse nuk ka shpallur gjendjen e emergjencës, siç e kërkon situata, për shkak se tërmeti ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur.

Nëse do të shpallej gjendja e emergjencës, të gjitha veprimet e organeve shtetërore rregullohen nga ligji për emergjencat civile. Në nenin 1 ky ligj thotë:

“Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon: parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile”.

Pra nëse qeveria e shpall gjendjen e emergjencës, ligji e imponon një dëmshpërblim në masën 100 për qind të çdo dëmi që prek popullatën.

Reagimi i Ramës:

“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale“, shprehet Rama.

Etiketa

OPINIONE