Rama përbetohet: Nuk jam hajdut, nuk kam futur dorën në xhepin e njerëzve, por jam arrogant

Kryeministri Edi Rama, mbajti një fjalim në hapjen e fushatës së Partisë Socialiste, e cila garon me veten, në zgjedhjet lokale, pasi opozita ka vendosur të bojkotojë.

Rama, në pjesën më të madhe të fjalimit, foli për Partinë Demokratike dhe gjëmën, që sipas tij, opozita po i bën vendit. Me një mori sharjesh dhe ofendimesh për liderët e opozitës, kryeministri arriti të ekzaltojë turmën.

Por, pati edhe një moment në fjalimin e kryeministrit, ku ai preku një temë mjaft të ndjeshme për shqiptarët, korrupsioni. Rama tha se ai nuk është një hajdut dhe nuk ka vjedhur asnjë qindarkë. Akuzat e opozitës dhe medias për korrupsion, me koncesionet dhe tenderat e rrugëve, si në rastin e Unazë së Re dhe rrugës “Milot-Balldre”, e kanë detyruar kryeministrin të përbetohet përballë shqiptarëve “se nuk është hajdut”.

Mund të jem pasionant edhe arrogant po të doni, po kurrë s’kam qenë materialist e as kriminel e hajdut si ata që më ngrenë e ulin nga mëngjesi në darkë nga viti në vit , nga dekada në dekadë. Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendime të gabuara po kurrë as kam bërë e as kam marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di përpara si të gabuara. Kurrë s’kam për ta futur dorën në xhepin e asnjë njeriu të gjallë në këtë vend kurrë s’do hedh firmën time në veprime të paligjshme për të dëmtuar vendin. S’kam si të provoj fjalët e mia, por i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën ta provojnë me fakte jo me fjalë, jo me sajesa e fabrikime të ulëta. Kjo detyrë është mision, pasion, jo kalkulim është bindje atdhetare dhe një sfidë me hisorinë që unë besoj se mund ta fitoj sepse kam fuqinë e gjithëve ju, fuqinë e PS. Le të thonë cfarë të duan, të lehin sa të duan. Kjo është e vetmja parti e shqiptarëve që kurrë se ka tradhtuar interesin kombëtar. Me gjithë të metat gabimet e dështimet, mbetet sot e gjithë ditën forca politike më e madhe më e fortë me e aftë e më atdhetarja ndaj edhe më e besueshmja nga shqiptarët.”/tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne