Rama përgatit ‘grupet paramilitare’ që do ruajnë zgjedhjet

Me një opozitë jashtë zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pa një konkurent real për bashkitë e vendit, Edi Rama duket se ka filluar të bëjë llogaritë e situatës potencialisht kaotike post-zgjedhore.

Në mbledhjen e sotme të grupit të PS-së, Edi Rama i ka lënë porosi të vetëve që të jenë të kujdesshëm gjatë zgjedhjeve, për të mos i lënë vend opozitës të ankimojë procesin në një moment të dytë.

Burime të Lapsi.al bëjnë me dije se Rama ka porositur të mos bëhet asnjë ndërhyrje në proces, si shtimi fiktiv i votuesve apo manipulimet me listat. Ai ka kërkuar që në komisione të vendosen kryesisht njerëz që e njohin ligjin dhe dokumentacionin e procesit. Përpos kësaj, kryeministri ka kërkuar ‘grupe të gatshme’ njerëzish jashtë çdo qendre votimi për të evituar çdo pengim të mundshëm të procesit zgjedhor, duke dokumentuar me pamje incidentet e mundshme.

“Mos u provokoni. Regjistroni ata që mund të shkaktojnë incidente. Të provojmë që nuk jemi ne shkaktarë. Të denoncojmë këdo që cënon zgjedhjet.”– mësohet të jetë shprehur mes të tjerash Rama.

Palët janë barrikaduar në pozicione diametrialisht të kundërta përballë njëra-tjetrës për çështjen e zgjedhjeve. Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha ka bërë fakt të kryer se nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Deklaratat nga selia blu dhe aleatët e saj janë edhe më radikale. Ata nuk do të lejojnë që të mbahen zgjedhje ‘fasadë’ në fund të muajit të ardhshëm. Nga ana tjetër, Edi Rama, në dukje është i palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe pse ka lënë të hapur mundësinë për dialog me opozitën. Kryeministri madje edhe e ka sfiduar opozitën vetë, apo edhe nëpërmjet vartësve të tij, se nëse pengojnë procesin e votimit, do të përballen ashpër me ligjin. /Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne