Kryeministri Edi Rama ka ndezur sërish debatet në rrjetet sociale me një postim ku shkruan: “Çorba e sorrave, korbave dhe kuzhinierëve nga Lindja ku prodhohet shumica e helmit të urrejtjes digjitale (së shpejti edhe provat)”, duke e shoqëruar me një sërë emoji-sh dhe duke lënë të kuptohet se do të publikojë prova për atë që e cilëson si fushatë të organizuar të urrejtjes në internet.
Por, në vend të mbështetjes, postimi është përmbytur nga komente kritike. Qytetarë të shumtë e kanë akuzuar Ramën se merret me rrjetet sociale, ndërsa, sipas tyre, injoron problemet reale të vendit.
“Janë patronazhistët e tu në aksion. Ju erdhi fundi”, shkruan një komentuese, ndërsa një tjetër ironizon: “Po shihja mos më kishe nxjerrë edhe mua. Asgjë s’është reale.”
Një qytetare pretendon se profilet që komentojnë në favor të kryeministrit janë të rreme, duke shkruar: “Po nxjerr që të komentokan profile fallco. I bëj vetë këto dhe e di si bëhen.”
Komentet vijojnë me akuza se qeveria po shpërqendrohet nga problemet e qytetarëve. “Kush e di sa persona paguhen me taksat tona që bëjnë çdo ditë postime të tilla”, shkruan një përdorues.
Të tjerë e kritikojnë për situatën ekonomike dhe emigracionin. “Shqipëria ka rrogën minimale më të ulët, pensionin minimal më të ulët dhe super korrupsion, ndërsa ti merresh me komentuesit”, thuhet në një nga komentet me më shumë pëlqime.
Nuk mungojnë as ironitë ndaj deklaratës së Ramës për “provat”. “Na nxjerr këto postime pa lidhje fare. Çfarë vërteton me këto idiotësira?”, shkruan një komentuese, ndërsa një tjetër i kërkon: “Jep dorëheqjen e shpëto nga kjo torturë që po i bën vetes.”
Postimi i kryeministrit ka gjeneruar qindra reagime dhe ka rikthyer debatin mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga politika, me një pjesë të komentuesve që kërkojnë më shumë fokus te problemet ekonomike dhe sociale./gazetaimpakt




















