Rama refuzon propozimin e Metës për qeveri të besimit

Në një status në facebook kryeministri i vendit Edi Rama ka refuzuar propozimin e Ilir Metës, që një natë më parë deklaroi se vendi ka nevojë për qeveri besimi.

“E vlerësoj përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, Ilir Meta, për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike.

Edhe unë kam qënë dhe mbetem i gatshëm per cdo zgjidhje që i’a lehtëson Partisë Demokratike rrugën për t’u kthyer në Kuvend; votuar Vetingun; vazhduar betejën e vet politike në shinat e Kushtetutës e të ligjshmërisë dhe garantuar bashkë me ne, që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

Qeveria jonë është angazhuar në një rrugë reformash tërësore. Kemi vendosur një bazë ligjshmërie për të bërë shtet, në vend të rrëmujes së paligjshmërisë pa shtet.

Kemi rikthyer rritjen e qendrueshme ekonomike, në vend të batakut të një ekonomie të zhytur në borxhe paralizuese e korrupsion mbytës. Dhe as do te kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!

Nëse Partia Demokratike kërkon një diskutim serioz me ne, jam i gatshëm të ulemi për të diskutuar, që sot, edhe në çadër po të jetë nevoja. Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike.

Kushtetuta jonë është shumë e qartë – zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.

Kushtetuta është shumë e qartë – qeveria është vullnet i shumicës.

Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithçka tjetër”, shkruan Edi Rama.//Gazeta Impakt

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne