Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga takimi i tij në Paris, ku u takua me ministrin e Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin. Sipas një postimi në Facebook, kreu i qeverisë ka zbuluar se gjatë bisedës u diskutua për pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal.
Rama ka bërë me dije se takimi u zhvillua përpara Samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, i thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elysée.
Kryeministri Rama theksoi se reforma do të harmonizohet plotësisht me standardet dhe praktikat më të mira europiane, duke synuar përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Përpara samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elysée, u takuam me ministrin e Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, për të folur lidhur me pjesëmarrjen e partnerëve francezë, në grupin e reflektimit mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standartet e me praktikat më të mira europiane”, shkruan Rama.
















