Rama: Teatri do shembet! Vetëm në Shqipëri aktorët zihen për mure

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se godina e Teatrit Kombëtar do të shembet dhe se do të ndërtohet Teatri i ri.

Kreu i qeverisë ftoi opozitën që të shkojë në teatër, pasi sipas tij ka që pas vitit ’91 që nuk shkel në teatër, ndërsa tha se vetëm në Shqipëri aktorët zihen për mure, ndërsa fatkeqësia e tyre është se nuk ka role.

“Në teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do mësoni nga e  para ç’është teatri sepse keni që në vitin ‘91 që nuk keni shkuar në teatër.

Pse po fyen, artistët dhe aktorët. Na thoni ku është fyerja apo se ju kapeni pas çdo fije bari si i mbyturi dhe kujtoni se do ktheheni aty ku nuk ktheni dot. Jemi të pakonkurrueshëm. Nuk na konkurroni dot.

Mos duhet t’ua ndajë qeveria rolet. Të ngrihet kinostudioja e re dhe t’u japim punë. Përse? Keni parë ndonjë vend normal ku aktorët ngrihen sa herë flitet për mure e karton xhes.

Beteja komplet pa përmbajtje.

Ligji për arsimin e lartë është i duhuri.

Jeni djathi kaçkavall plot vrima që nuk hapet”, tha Rama.

Kryeministri tha se debati për ndërtimin e teatrit ka 20 vite që diskutohet dhe se askush nuk ka marrë përsipër të ndërtojë një godinë të re.

“Jeni gati të kapeni pas çdo gjëje, sepse jeni në ajër e doni vetëm të kapeni. Ne do ta ndërtojmë Teatrin e ri Kombëtar më në fund. Se kjo mbledhje që vazhdoi ka nisur para 20 vitesh. Kanë vdekur të tërë ata që e nisën mbledhjen përveç Robert Ndrenikës.

Ju që na qaheni për kulturën e artin. Teatrin e ri Kombëtar do ta bëjmë dhe atë godinën e re do ta shembim dhe do të krijojmë hapësirën europiane për të dhënë shfaqje, parë teatër. Dhe teatri juaj mund të vazhdojë, bijni daulleve por gjëma nuk do të ndodhin”, theksoi ndër të tjera kryeministri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne