Rama tha se këtë vit nuk ka fonde luksi për festa/ Kryebashkiaku i Elbasanit harxhon 134 milionë lekë për dritat

Edhe qyteti i Elbasanit ka ndezur dritat e festave, për të cilën u zhvillua edhe një ceremoni me prezencën e kryebashkiakut Gledian Ljatja.

Qindra drita, artikuj dekorues dhe pemë, i kanë dhënë një pamje të mrekullueshme Elbasanit dhe veçanërisht qendrës, e cila ka marrë pamjen më të bukur.

Veç elementëve të shumte dekorues risi e këtij viti janë shtëpizat prej druri ku bizneset ofrojnë shërbime te ndryshme, e ngjashme me atë që ndodh dhe në qendrën e Tiranës.

Janë të shumtë qytetarët që mbrëmja i gjen në shesh teksa sodisin zbukurimet, por shkrepin edhe fotot e rastit. Ndërsa për fëmijët bashkia ka menduar të instalojë lodrat e lëvizshme, ç’ka duhet thënë se ka shtuar gjallërinë në qytet.

Por i gjithë ky dekor vezullues padyshim që ka një faturë nga pas.

Fax News mëson se fondi i përdorur nga pushteti lokal është i konsiderueshëm, ndërsa blerjet janë mbyllur që më datë 15 nëntor.

Dekori festiv për fundvit i ka kushtuar bashkisë së Elbasanit plot 134 milion leke te vjetra.

Gazetarja e Fax News Entela Duka iu drejtua kësaj të fundit për të mësuar më shumë rreth shpërndarjes së këtij fondi dhe përgjigja e marrë me shkrim është kjo:

“Në përgjigje të kërkesës tuaj për dekorin festive të fundvitit Bashkia Elbasan ju informon se dekori i këtij viti është një dekor krejtësisht i ri, pasi u pa e nevojshme që pas shumë vitesh ti jepej një pamje e re qytetit me rastin e festave.

Dekori, vlera dhe e gjithë procedura është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe më pas është bërë procedura e hapur e tenderimit publik në 23.10.2019.

Dekori i festave është një dekor që i mbetet Bashkisë së Elbasanit për vite me radhë, për t’i dhënë qytetit pamjen që meriton në këto ditë të fundit të vitit.

Ne gjykojmë se krijimi i një atmosfere festive, të gëzueshme dhe të bukur, gjallëron jetën në qytet dhe ndikon pozitivisht në jetën e gjithsecilit, fëmijë apo i rritur qoftë”, citohet në deklaratën për Fax News.

Ndonëse pas tërmetit të 26 nëntorit kryeministri paralajmëroi kryebashkiakët se këtë vit nuk ka fonde për dreka darka dhe shërbime të tjera luksi, duket se Kryebashkiaku i Elbasanit ka menduar të mos i privojë qytetaret e tij për të festuar.


/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne