Ramës po i vjen fundi, por jo nga Basha

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duket se ka filluar me shpejtësi rënien e tij politike, për të prekur fundin.

Rama tashmë nuk mundet më ta ndalë vetëshkatërrimin e tij politik.

Në lumturinë e mbështetjes së ndërkombëtarëve për shkak të një rivali në opozitë të çoroditur dhe pa ide, Rama së fundmi ka filluar një sulm ndaj fjalës së lirë dhe mediave kritike.

Një lëvizje e shpejtë nën një moment zhurme për të tërhequr vëmendjen nga debatet thelbësore, të cilat nuk i tërhoqi dot me çitjanet e tij, ditën e zgjedhjeve.

“Vëllai” i Erdoganit përgatiti me shpejtësi një ligj kundër fjalës së lirë duke ngritur një “Gjykatë Speciale” për portalet apo agjensitë e lajmeve online.

Gjykatën e ka me seli tek AMA, ku për herë të parë në një vend europian pa folur drejtësia dhe ligji do flasin disa “specialistë” të emëruar nga naltgjatësia, të cilët do vlerësojnë cilësinë e lajmeve, më pas do vendosin edhe gjoba. Pasi të paguhet gjoba mund të shkosh në Gjykatë.

Ajo që është edhe më banale në këtë histori, është fakti se kryeministri sot shpifjen e ka në kod penal dhe vetë ka filluar procedurat me disa dhjetra padi. Por, paditë mund të jenë edhe civile, ligji i njeh të gjitha mundësitë. Por, Rama nuk e pranon këtë, ai kërkon të përplaset me portalet që ata të heqin lajmet që nuk i pëlqejnë atij.

Të mos shkruajnë Erion Veliaj “vrasësi” i Ardit Gjoklajt, Rama kapet duke vjedhur me koncesione, korrupsion e krim në Qeveri.

Por, këto të jetë i bindur Rama dhe çdo Ramë që mund të vijë pas tij se nuk i ndal dot kurrë. Sot zhvillimi i teknologjisë dhe hapësira globale të jep të tilla mundësi që ta bësh Ramën të flasë me vete, ndërsa tani duket se nuk do të ketë nevojë.

Edi ka firmosur vetëshkatërrimin dhe fillimin e fundit të tij. Luftën me mediat nuk e ka fituar ende askush.

Kryeministri ndoshta do vetëm lavde si shoku Enver, nga mediat, portalet që kontrollon Endri Fuga, servilat që i ka pranë, i paguan e i mbajnë ison, por kurrsesi nuk do mund të mbyllë fjalën e lirë me disa gjoba të cilat për vlerën e tyre janë një tjetër çmenduri.

Gjoba të cilat janë njësoj si ato të televizioneve të klientelës së Edit, njësoj gjobat për portalet apo për TV si Top, Klan apo Vizion Plus.

Ndërkohë që buxhetet e tyre nga reklamat janë qindra milionë lekë çdo muaj dhe taksat janë disa herë më të ulta se portalet, dhunën do ta kenë edhe më të madhe. Ndërsa një portal i ka pagat dhe shpenzimet vjetore se gjysma e shpenzimeve mujore të klientelës së Ramës.

TVSH për TV është 6%, ndërsa portalet e kanë 20%. TV marrin gjobë për shkelje etike ose diskriminuese, portalet duhet të heqin lajmin, ta zhdukin, në të kundërt gjoba 10 milionë, më pas duhet paguar shuma që të kesh mundësi të shkosh në Gjykatë. E gjitha kjo tregon urrjetjen e Ramës për mediat e lira që janë jashtë kontrollit të tij.

Shqipëria ka nevojë për një rregullim dhe lehtësisht tek ligji i medias të shkruar mund të shtoheshin dhe portalet që sot janë në betejë mbijetëse, kuptohet nuk kanë problem faqet web të televizioneve dhe gazetave të Qeverisë, Presidentit apo “kunatit të opozitës”.

Kryeministri ynë megjithëse pretendon se i përket medias, po sillet si një bandit mediatik, nuk ka asnjë ndryshim me vrasësit e Charlie Hebdo, asnjë.

Ai nxori automatikun  dhe i ekzekutoi me plumba, Rama nxjer ligje dhe i vret me gjoba ata që e kritikojnë dhe i flasin kundër.

Klientela e tij nga ana tjetër vetëm forcohet me koncesione, tendera dhe gjoba si të ishtë një grup i strukturuar kriminal drejtuar nga vetë kryeministri. Edi Rama është drejt fundit të tij./cna

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne