Raporti/ Dvorani krijoi situatë antikushtetuese dhe bunkerizoi KED-in

Zëri i Amerikës ka zbardhur detaje nga raporti paraprak i Komisionit të Venecias për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Duhet thënë se raporti është një shuplakë e fortë për të gjitha veprimtarinë e mazhorancës.

Por bie në sy pjesa ku flitet për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, strumbullarin e kësaj situate. Edhe pse nuk përmendet emri i drejtuesit të KED, Ardian Dvorani, që është nën akuza, sërish në raport konfirmohen akuzat që janë bërë në drejtimin e tij.

Goditja më e rëndë është kur thuhet se ai ka krijuar një situatë antikushtetuese me dërgimin e listave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.

Po ashtu në raport flitet edhe për atë që është etiketuar si bunkerizimi i KED nga Dvorani.

Sipas Komisionit të Venecias, një nga elementët më të rëndësishëm të KED është transparenca, për të pasur besimin e publikut për procesin e emërimeve. Por me miratimin e një rregulloreje të brendshme, KED përjashtoi nga pjesëmarrja në procesin e vlerësimit te kandidatëve Avokatin e Popullit.

Sipas ‘Venecias’, ky nen i rregullores së KED, duhet ndryshuar. Po ashtu, ‘Venecia’ konstaton shkelje, edhe për mos publikimin e proces-verbaleve të mbledhjeve të KED, që kërkohet me ligj.

Pas hartimit të listave nga KED për dy emërime në Gjykatën Kushtetuese, që duhet të bënte Presidenti dhe dy të tjerë, që duhet të bënte parlamenti, sipas Komisionit të Venecias, “është e qartë që data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të afatit 30 ditor të zgjedhjes së kandidatëve”./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne