Raporti i INSTAT: Tirana dhe Kukësi, qarqet me shkallë më të ulët punësimi

Qarqet e Tiranës dhe Kukësit rezultuan me shkallën më të ulët të punësimit në vitin 2016, përkatësisht me 50.3% secila, sipas përllogaritjeve të INSTAT.

Kukësi vijon të jetë në këtë renditje për shkak të mungesës së mundësive si një qark pa industri dhe me pak toka për të zhvilluar bujqësinë. Nga ana tjetër, Tirana vuan pasojat e mbifurnizimit me forcë pune për shkak të popullsisë së saj gjithnjë e në rritje për shkak të migrimit të brendshëm. Popullimi në rritje i kryeqytetit e bën gjithnjë e më të vështirë aktivizimin e forcës së punës, sidomos pas rënies së sektorit të ndërtimit në të cilin u punësuan shumica e të ardhurve në kryeqytet.

Një analizën e INSTAT mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2016, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë Elbasani me (64,5 %), Fieri (61,5 %) dhe Berati (61,5 %).

Popullsia e Beratit në fillim të vitit 2017 pësoi rënie me 2,6 %, e Fierit me 2.6 % dhe e Elbasanit me 3.7%. Sipas të dhënave të INSTAT popullsia e Tiranës në janar 2017 u shtua me mbi 19 mijë persona ose 2.2 për qind më shumë. Tirana dhe Vlora ishin të vetmet qytete ku popullsia u rrit, të gjitha qarqet e tjera patën rënie te theksuar.

Ndryshimet demografike të vendit kanë ndikuar edhe tregun e punës.  Me shkallën e papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 25,1 % dhe ai i Tiranës me 19,8 %, te cilat patën rritje të popullsisë më 2016. Ndërkohë që shkalla më e ulët vërehet në qarkun e Dibrës me 8,6 %.

Në vitin 2016, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej ( 5,4 %). Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (68,5 %). Një peshë të konsiderueshme zë edhe industria ( 26,1 %).

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne