Raporti i Prokurorisë/ Pronat e sekuestruara të krimit, si ka dështuar drejtësia… (DOKUMENTAT)

Hetime dhe aksione të nisura me bujë për sekuestrimin e pasurive të bandave kriminale përfundojnë si një flluskë sapuni edhe pse dështimi i tyre nuk bëhet asnjëherë i ditur për publikun. Tv Ora ka siguruar raportin e prokurorisë për pronat e sekuestruara gjatë tri viteve të fundit ku rezulton se vetëm 4 për qind e tyre kanë kaluar në emër të shtetit. Ish-drejtori i agjencisë së pronave të sekuestruara tha se shteti shpenzon më shumë sesa fiton në këtë bejetë ndërsa shtoi se numri i ulët i konfiskimeve vjen nga korrupsioni dhe paaftësia.

Sekuestrimi i pasurive të bandave kriminale duket se mbetet thembra e Akilit për drejtësinë shqiptare edhe pse aksione të tilla reklamohen me bujë nga policia e shtetit.

Sipas një dokumenti të siguruar nga RTV Ora, rezulton se nga viti 2017, nga 107 pasuri të sekuestruara janë konfiskuar me vendim gjykate vetëm 4% e tyre, të cilat kanë kaluar në favor të shtetit.

Vetëm për vitin 2018 nga 45 apartamente të sekuestruara vetëm 3 janë konfiskuar, ndërsa në listën me 40 prona të tjera si troje e toka janë konfiskuar vetëm 8 prej tyre.

Ish-Kryeadministratori Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Hekuran Vladi tha për RTV Ora se numri i konfiskimeve gjatë viteve është nuk i kalon 2.5% ndërsa shteti harxhon më shumë se sa fiton në luftën me krimin e organizuar.

Hekuran Vladi: Jo më shumë se 2% në vlerë, sepse shteti nuk konfiskon vetëm para, por edhe pasuri të tjera si apartamente, makina, toka etj., një nga motivet e tjera që mendoj unë, përvec paaftësisë së gjykatave tona dhe të policisë dhe prokurorisë është edhe korrupsioni. Shteti harxhon shumë më tepër sasa fiton në luftën e vet kundër krimit të organizuar.

Sipas dokumentit të prokurorisë qytetet ku ka pasur më shumë sekuestrime pasurish në tri vitet e fundit kanë qenë Shkodra, Lezha dhe Tirana ndërsa rastet më të pakta janë në qytetet si Vlora dhe Fieri, të cilat herë pas here përmenden si strehë  e krimit dhe kryeqendra të trafikut të drogës.

Hekuran Vladi: Mendoj që bandat kriminale shqiptare po e përdorin Shqipërinë për pastrimin e parasë.

Shqetësimi për rrëzimin e vendimeve të konfiskimit të pasurive të sekuestruara është ngritur më herët dhe nga kreu aktual i agjencisë Artur Kala, sipas të cilit gjykatat rrëzojnë rreth 70% të tyre.

Sipas raportit që disponon RTV Ora, hetimet e këtij lloji zvarriten ndër vite pasi një pjesë e mirë e dosjet ende të hapura në vitin 2019 i përkasin rasteve të filluara në vitin 2016.

   

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne